(Vijon nga numri i kaluar)
Edhe pse qenë të frikësuar se mos prapa Partisë Demokratike fshiheshin skalionet rrugaçërore, anëtarët e ndershëm të ish Partisë së Punës nuk nguruan t’ia jepnin votën opozitës së Berishës… Por “besimi” zgjati vetëm 4 muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit 1992. Zhgënjim masiv dhe fluks militantësh në administratë…. Bastisjet policore të mbështetura nga SHIK-u në familjet e ish-ushtarakëve të rënë viktimë nga reformat Zhulali
Në 22 mars të vitit 1992 përsëri votuesit shqiptarë do të paraqiteshin përpara kutive të votimit për të përcaktuar të ardhmen e tyre politike. Fitorja 67 përqind e opozitës demokratike në këtë proçes zgjedhor do të ishte gjithëkombëtare nisur nga dëshira e përbashkët e shumicës së shqiptarëve për të ndryshuar sistemin, muret e kalasë së të cilit qenë shëmbur që nga Rusia deri në kufijtë e Gjermanisë Perendimore. Për këtë fitore historike patën kontribuar me vullnet të lirë jo vetëm pjesa opozitare e popullsisë, por edhe ajo që aderonte në rradhët e Partisë së Punës, e që zhvillimin e vendit e shihte të lidhur me ndryshimin e sistemit politiko- shoqëror. Edhe pse qenë të frikësuar se mos prapa Partisë Demokratike fshiheshin skalionet rrugaçërore të kësaj partie, deri atëherë të mbetura në hije, anëtarët e ndershëm të ish Partisë së Punës nuk nguruan t’ia jepnin votën opozitës, duke shkelur nenin themelor të statutit që përcaktonte “besnikëri ndaj mësimeve të partise deri në frymën e fundit të jetës”.
Duke ndryshuar menunë politike të qeverisjes, anëtarët jo fanatike të partisë së Ramiz Alisë besonin se “Fitorja në zgjedhjet e 22 marsit ‘92 do ta bashkonte Shqipërinë me Kombet Demokratike,” – siç shkruante në faqen e parë gazeta konservatore e partisë, “Zëri i Popullit” që, duke përdorur në faqosje shkronjat kapitale, e quante surprizë faktin që: “Populli i majtë votoi për të djathtën” , por edhe i buzëqeshte humbjes duke lançuar titullin: “Populli verdiktin e dha, PD përballë provës historike për të përmbushur ato shpresa dhe ato premtime që i dhanë fitoren e bujshme”.
Duke e patuar të qartë se për momentin lënia e stafetës qeverisëse ishte një domosdoshmëri, PPSH luajti kartën e tërheqjes paqësore nga pushteti duke respektuar rotacionin. “Do të qëndrojmë në opozitë dhe do të luftojmë për një përfaqësim dinjitoz në Kuvendin Popullor, – deklaronte kryesia e PPSH nëpërmjet faqeve të gazettes “Zëri i Popullit”.
E njëjta sinoptikë vlerësuese jepej edhe nëpër raportet zyrtare të palëve kundërshtare. Sipas tyre, proçesi zgjedhor, përgjithësisht, ishte zhvilluar qetësisht, por duke mos i shmangur plotësisht incidentet. Ja përmbledhtazi disa nga raportimet:
Ditën e votimeve në fshatin Drenovë të Korçës rreth 200 votues pa nënshtetësi shqiptare rezultonin se kishin votuar “pro” Partisë Demokratike. Në Këlcyre, kryetari i Komisionit të votimeve, Agron Tirçe, që i përkiste PD-së, një dite para zhvillimit të zgjedhjeve kishte vulosur të gjitha fletët e votimit dhe po kështu kishte ndodhur edhe në Levan, në Zonën 26 Patos, në Zonën 29 Roskovec, në Zonën 58 të Matit etj. Nga 300 votues arixhinj që duhej të paraqiteshin në qendrën e votimit të lagjes “ 30 Vjetori “ të Beratit u paraqitën vetëm prijësit e tyre, të cilët votat i deklaruan hapur për Partinë Demokratike të detyruar nga falangat dhunuese të PD-së, që i kishin kërcënuar me ushtrim dhune dhe i prisnin pas dere. Megjithë protestën e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, në komisionin e kësaj qëndre votimi, askush nuk morri mundimin të korrigjonte diçka në këtë shkelje flagrante të ligjit. Të tilla denoncime ankimuese pati edhe nga rrethe të tjera të vendit. Fatkeqësisht ky ishte sfondi i zhvillimit të këtyre zgjedhjeve të para të vërteta pluraliste, rezultati i të cilave, duke ju referuar raportit të KQZ-së, me kryetar Nikolla Nosi, paraqitej i tillë:
“Në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 marsit u regjistruan për pjesëmarrje 2.021.169 zgjedhës, nga të cilët votuan 1.826.142 zgjedhës, ose 90.35 përqind e votuesve. Rezultojnë të zgjedhur 89 deputetë, nga të cilët 79 deputetë i përkasin subjektit Partia Demokratike, 6 deputetë i përkasin subjektit Partia Socialiste, 2 deputetë i përkasin subjektit Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, 1 Partisë Republikane dhe 1 Partisë Socialdemokrate. Në ndryshim nga një vit më parë, kuvendi ’92 do të përbëhej nga 140 deputetë të zgjedhur sipas sistemit propocional.
Mbi këtë bazë Presidenti Ramiz Alia, – i zgjedhur në këtë post me votat e deputetëve të shumicës së partis së tij, që zotëronte Kuvendin, në datën 30 prill 1991, dekretoi thirrjen e Kuvendit në sesionin e parë të legjislaturës së trembëdhjetë. Për mbajtjen e tij u caktua dita e shtunë, 04 prill 1992. Nr. i dekretit 159 /dt.27.03.1992.
Raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve u mbajt në dt. 29 mars, ditën e diel, në 11 zona elektorale dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli si rezultat përfundimtar fitoren nga Partia Socialiste të 38 deputetëve, ose të 27.14 përqind të vëndeve në parlament. Me këtë fitore të bujshme Partia Demokratike dhe satelitët e saj fituan të drejtën ti udhëhiqnin shqiptarët drejt Europës së kulturuar demokratike, sikurse edhe u kishin premtuar.
26 korrik 1992
Shkëndijat e para të edukates së manipulimit hapur të votave të elektoratit u dhanë katër muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit 1992. Në votimet për pushtetin lokal, të mbajtura në datën 26 korrik edhe ajo fitore modeste e Partisë Demokratike, në pjesën e saj dërmuese, ishte vepër e manipulimit të hapur. Në këto zgjedhje për të parën herë partia e shpresave të mëdha europiane hodhi në veprim kontigjentin e dhunuesve të votës së lirë, të cilët në të ardhmen do të përbënin krahun e hekurt të kësaj partie.
E frustuar nga ideja e një humbjeje të mundëshme, për shkak të një fillimi të mbrapshtë qeverisjeje, krejt të kundërt nga sa u kishte premtuar votuesve shqiptarë, para zgjedhjeve 1992, ish-partia e opozitës, tashmë në pushtet, projektoi ushtrimin e forcës, kundrejt kujtdo që do të gjykohej se nuk do të votonte për të. Ndërkohë që drejt këtij votimi PPSH vinte me një status të ripërtërirë e të ndryshuar: – Ramiz Alia ishte dorëhequr nga posti i presidentit, të cilin e kishte zënë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kongresi i qershorit e kishte shndërruar Partinë e Punës në Parti Socialiste,- me hapat disamujor të politikës së saj qeverisëse PD-ja kishte mbjellë pakanëqësi masive me shkatërrimin e menjëhershëm e të pakuptimtë të administratës zyrtare dhe zëvendësimin e saj me militantë e sojsorollopin e vet nepotik, si dhe me fillimrrënimin e vlerave kombëtare. Ish punonjës të forcave të policisë, të ushtrisë, por edhe të administratës lokale e qëndrore u pushuan nga puna pa asnjë plan e motive, por vetëm nisur nga simpatia apo antipatia e pushtetmarrësve të rinj. Zëndësimet e tyre ishin deri dhe banale. Nëpërmjet një denoncimi publik bëhej e ditur se tridhjetë e dy gazetarë e drejtues të Agjencisë Telegrafike Shqiptare(ATSH) ishin hequr nga puna brenda disa ditëve. Në raportim ngrihej zëri i protestës rreth faktit se:”…Të gjithë ata janë me arsim të lartë, të kualifikuar e me stazh pune në këtë institucion të rendësishëm të informacionit kombëtar. Pushimi nga puna pa asnjë motivacion” .
Ky ishte trashazi sfondi politiko-social, ndërsa disa javë para mbajtjes së votimeve, nisën të raportoheshin ato që u konsideruan “shkelje të renda të ligjit të zgjedhjeve lokale”. Ankesat dhe protestat i adresoheshin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili bëhej përgjegjës për mosshpalljen e listave të zgjedhjeve pesëmbëdhjetë ditë përpara ditës së mbajtjes së votimeve, siç përcaktohej në nenin 12 të ligjit, nr.7573 “Për zgjedhjet e organeve të pushtetit lokal”.
Raportohej dhe shprehej ankesë, gjithashtu, për shkelje në caktimin e qendrave të votimit njëzetë ditë ditë para mbajtjes së votimeve, siç përcaktonte neni 21 i ligjit, për mosmiratimin dhe shpalljen e komisioneve të votimit njëzetë ditë para(neni 26 i ligjit),por edhe për mosmiratimin në kohë të kandidaturave të subjekteve elektorale, sikurse përcaktonte neni 52 i ligjit.
Nga raportimet zyrtare dilte se në Tiranë, megjithse afati i fundit i caktimit të qendrave të votimit kishte qenë data 06 korrik, e data shënonte 15 korrik, ky proces nuk kishte përfunduar ende. Listat e zgjedhësve duhej të ishin shpallur brenda datës 11 korrik, por kjo nuk ishte realizuar në asnjë lagje të kryeqytetit, megjithse kishte kaluar një javë nga ky afat. Ligjërisht, brenda datës 06 korrik duhej të ishin miratuar e shpallur komisionet për çdo qendër votimi, gjë që edhe kjo nuk ishte realizuar, megjithëse kishte ikur gjysma e muajit korrik…Të tilla shkelje rezultonin të ishin prezente edhe nëpër rrethe të tjera të vendit si Pogradec, Berat, Librazhd, Lushnje, Fier, Vlorë, dhe pothuajse në të gjitha komunat e vendit. Ndërkohë, strukturat e policisë kishin nisur aksionet frikësuese. Sipas raportimeve të ardhura nga opozita socialiste, terrori dhe dhuna psikologjike ishte bërë pjesë e strategjisë së pushtetit, që në mënyrë të kundraligjëshme operonte nëpërmjet punonjësve të policisë së shtetit. Disa inspektorë, oficerë të policisë së rendit e asaj kriminale dhunonin e bastisnin shtëpi qytetarësh të dyshuar për kundërshti ndaj partisë në pushtet. Motivi “për kontroll armësh”. Këta ishin, kryesisht, punonjës të hequr nga puna e të linçuar për shkak të bindjeve dhe rreshtimit politik me të majtën. Sundonin ish-ushtarakët e rënë viktimë nga reformat Zhulali dhe ato në polici e Shբrbimin Informativ Kombëtar (SHIK). Edhe këto aksione policore, të mbështetura në prapashpinë edhe nga SHIK-u, qenë me shtrirje gjithëvendore.
Qytetari nga Durrësi, Robert Bali, denonconte se: ” Në datën 21.07.1992, ora 00:15’, vetëm pak kohë pas lirimit nga detyra e ushtarakut, trokiti dera e shtëpisë. Ngrihem dhe pyes se kush është.Më thonë se “jemi policia”. E hap dhe shoh para meje shtatë policë të armatosur. U them se çfarë kërkojnë. Thonë se “do bëjmë kontroll” banese. I kërkova autorizimin nga prokuroria dhe përfaqësuesit e pushtetit kurse ata me kokëfortësi më thanë se ishte urdhëri i shefave e “autorizim nuk kemi”. Hynë me forcë dhe më pyetën në kisha armë. U thashë se armë nuk kisha, se e kisha dorëzuar, duke i paraqitur dokumentin me numër 7/1, dt. 07.07.1992. Pyetën sa veta jemi në shtëpi. I them se jemi katër vetë: përveç meje, gruaja dhe dy fëmijët. Urdhërojnë të ngrihemi e të mblidhemi në kuzhinë. Këmbëngula që të mos e bënin një veprim të tillë, se janë në kundërshtim me ligjin dhe se kjo është dhunim banese e qytetarit. Asgjë nuk bëri efekt. Filloi kontrolli në të gjitha dhomat deri dhe në VC. Gjatë kontrollit nuk doli asgjë, gjë për të cilën u mbajt edhe një proces-verbal. Pas një orë kontrolli ata u larguan, duke zhbllokuar jo vetëm banesën time por edhe pallatin që e kishin rrethuar me policë dhe tre mikrobuza”.
Po të njejtin denoncim bënë edhe qytetarët Besnik Kurshumi dhe Ismet Varfi, që të dy me banim në Tiranë. Por shkelje dhe raportime kishte dhe për manipulime dhe blerje votash (në Kodër Vorë, i’u jepej fshatarëve votues nga 500 lekë, si ndihmë ekonomike)…
E megjithatë rezultati i dalë pas votimeve ishte sfidues.Sipas raportimit zyrtar dilte se nga tridhjetë e gjashtë këshilla rrethesh, Partia Socialiste kishte fituar në njëzetë e pestë, ndërsa në të tilla si Berati, Fieri,Elbasani, Mallakastra, Pogradeci, Kuçova etj., kjo fitore e socialistëve shkonte në rreth 70 përqind. Fitorja e Partisë Socialiste në këto zgjedhje shkonte në 69.4 përqind. Nga dyzetë e tre bashki dhe këshilla bashkiake, gjithsej, PS kishte fituar njëzetë e tre bashki ose 52.48 përqind, dhe njëzetë e shtatë këshilla bashkiake ose 62.7 përqind të tyre. Po ashtu, nga treqind e dymbëdhjetë komuna dhe këshilla komunare, gjithsej, Partia Socialiste kishte korrur fitore në njëqind e shtatëdhjetë e tre komuna ku kishte marrë 55.44 përqind të votave dhe në njëqind e tetëdhjetë e një këshilla komunare ku kishte marrë 58 përqind të votave të votuesve.
*Cikli i gazetarit Xhovani Shyti mbi zgjedhjet shqiptare pas ‘90-s ka nisur dje në DITA me zgjedhjet e vitit 1991 – vijon sot me zgjedhjet e vitit 1992 dhe do vijojë me kronikën e të gjitha zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale të zhvilluara pas 90-s në Shqipëri.
E vleresoj shume kontributin e gazetarit shyti. e kam ndjekur sistematikisht dhe me vjen mire qe ai eshte i perkushtuar pas te vertetes.Edhe me kete cikel qe ju keni nisur shoh po te njejtin pozicionim te tij dhe uroj te jete keshtu deri ne fund pa mbajtur anen e asnje partie epolitikani per ta patur mire per te zene nje karrige si bejne shumica e gazetareve qe jane bere te neveritshem.Edhe redaksise i uroj qe i ben jehone ketyre ngjarjeve se ne kemi nevoje ti kujtojme gjerat se harrojme.urime.
Me veshtiresi e lexova. Veshtiresite mi krijoj shija shume e keqe qe me la shkrimi i pare i ketij cikli. Paanesia sigurisht qe eshte vlere per nje autor, por shkrimin e mbajne ne kembe faktet, vertetesia e tyre. E ne pjesen e pare kishin plotesisht te drejte dy komentues. Faktet jo vetem mungonin, por jepej informacion krejtesisht i pavertete.
Fatmiresisht ne kete pjese permbajtja eshte me e mbeshtetur ne te verteta.
e kujt i plasi Dhori se ti e ke lexuar me veshtiresi nga qe te paska lene shije te keqe shkrimi i pare qe per ne te tjeret ishte nje fillim i mire.iu ktheva ta lexoj i nxitur nga ky mesazh jot dhe nuk pash ndonje hata te keqe atje.ishte nje rrefim i gjerave qe kane ndodhur ne vitin 1991 me ngjarjen tragjike te shkodres qe u be kater dite pas mbajtjes se zgjedhjeve dhe ka te drejte gazetari shyti qe e quan si krimin e pare pas votimeve.lexova dhe ato qe kishe shkruar ti,me emer te ndryshuar dhe kuptova se je dashakeq ne komente nga qe duhet te jesh vete nje nga ata qe kane qene pjese e dhunes ndaj protestuesve.sa per raportet nderkombetare qe i cilesuan ato votime te ndershme,te lira mos na mallengje se keta mostrat te gjitha votimet keshtu i kane cilesuar.ju kane bere qejfiun ju dhe ramiz alise qe ju udhiqte.uroj qe gazetari i nderuar Shyti te mos ti kete lene jashte ne kete cikel shkrimesh edhe keta te huajt. ec perpara z.shyti dhe mos u ligshto nga mostrat e te shkuares nje nga te cilet eshte edhe ky berisha i sotem.