Ndryshimi i sistemit të taksave, në kahjen e rritjes së tyre, duket që nuk ka sjellë të ardhura të tjera në buxhetin e shtetit.
Kjo shihet nga vetë pritshmëritë e qeverisë në përiudhën afatmesme 2017-2019. Rishikimet e fundit kanë korrektuar pritjet për rritjen ekonomike edhe për vitin 2015, ku treguesi pritet të finalizohet në 2.6% nga 2.7% që ishin pritshmëritë e mesit të vitit të kaluar.
Gjithashtu qeveria ka rishikuar me ulje pritjet për rritjen e vitit 2017 dhe 2018 përkatësisht me nga 0.1%. Gjithashtu në këta tregues të publikuar qeveria ka rishikuar me ulje edhe pritshmërie për borxhin dhe për rritjen ekonomike, ku dihet se dy treguesit shkojnë në kah të kundërt, çka do të thotë se nëse borxhi rishikohet me ulje duhet t’i përgjigjet një rishikim me rritje i ekonomisë. Planifikimet e reja që i përkasin fundit të janarit synojnë një nivel borxhi për këtë vit në 70.9% nga 71 për qind që ishin pritshmëritë e korrikut 2015.
Gjithashtu pritjet për borxhin janë rishikuar me ulje edhe për vitin 2017, duke synuar një nivel 68% të PBB-së krahasuar me 69.2 për qind që ishte planifikimi i mesit të vitit 2015. Ekspertët e ekonomisë pohojnë se një rritje reale mbi 4% është e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë.
Qeveria shqiptare ka rënë parimisht dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtare (FMN) se performanca e ekonomisë do të jetë më e ulët.FMN dhe sidomos Banka Botërore, po e furnizojnë qeverinë shqiptare me kredi dhe projekte që synojnë të përshpejtojnë rritjen ekonomike, të nxisin konkurrueshmërinë dhe krijimin e vendeve të punës.
Por vendi po rrezikon të futet në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur atë në afatin e mesëm, duke detyruar financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor. /DITA/
