Çfarë përsërisim ne pronarët autoktonë të Dukatit për kryeministrin Edi Rama

Bora Basholli

Zotërinj të nderuar, po ndjekim me shqetësim, zhvillimet politike dhe protestat që po bëhen kaq masive në Tiranë dhe jam pjesë e pakënaqësisë së popullit.

Ne jemi me protestuesit që kërkojnë; “E duan Shqipërinë si gjithë Europa-“Këtë ka kërkuar i gjithë populli në Qershor 1991 kur pritëm dhe brohoritëm në sheshin Skënderbej sekretarin e Shtetit Amerikan,  James Baker.

Në 1991 u përmbys monumenti i diktatorit dhe mori rrugë ekonomia kapitaliste, janë zhvilluar biznese të suksesshme, por sistemi kapitalist, është zhvilluar me shumë të meta dhe në dëm të popullit.

Ju drejtoj këtë letër, në pamundësi bisede të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorët, që t’i argumentoja se shpërthimi i pakënaqësisë së protestuesve, është pasojë e padrejtësisë sociale e krijuar nga politika e post-komunizmit.

Mua nuk më intereson emri i Kryeministrit aktual apo ai që do fitojë zgjedhjet, por më shqetëson pyetja: – do ta zbatojë Kryeministri detyrimin kushtetues për pronat, apo do vazhdojnë të bëjë interesin e tyre dhe të klanit mbështetës duke shkelur të drejtën tonë kushtetuese për pronën e trashëguar nga brezat.

Kini besim se njëlloj si unë mendojnë të gjithë banorët e krahinës së Dukatit dhe në gjithë Shqipërinë, me përjashtim të atyre që pas 1991 kanë përfituar në mënyrë të paligjshme pronat tona ose pasuri të shtetit.

Në gazetën “Balli i Kombit” 17 gusht 2000 është bërë publik një shkrim me titullin “Ramiz Alia dhe demokracia jonë”, ku publikohet vendimi i Byrosë Politike të PPSH në Tetor 1989, ku ndër të tjera, Ramiz Alia tha:

“Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji në dy drejtime: Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik.  … 

Në zbatim të të drejtave të njeriut duhet që t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve dhe te sekuestruarve e të shpronësuarve t’u kompletojmë komoditete banimi.

Do t’u japim nga një letër në dorë që u njihet prona, por këtë (pronën), nuk do t’ua japim asnjëherë. Do t’i ngatërrojmë në forma të ndryshme njeri me tjetrin që të kalojnë në gjykatë, ku do të zbatohet rotacioni: nga gjykata e shkallës së parë në të dytën dhe për shkak difektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë.

Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por edhe këtyre, duke u dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë. Ata që do të pretendojnë dhe do të këmbëngulin do të lëndohen! Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë”.

Në dështimin politik dhe ekonomik në këto 28 vjet, kanë përgjegjësi politikanët shqiptarë. Ana tjetër e medaljes është: – po ambasadorët, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, që erdhën për të na udhëzuar në rrugën e demokracisë, a kanë përgjegjësi për menaxhimin e tranzicionit në Shqipëri.

Ambasadorët dhe reporterët e BE, kane marrë nga shoqatat tona informacione të plota dhe të përsëritura  për djallëzitë e oligarkëve dhe të gjithë qeverive të mëparshme, përfshi dhe këto të Qeverise së tanishme të Edi Rama me pronat tona të trashëguara.

Oligarkët pa marrë asnjë sugjerim të pronarëve po vjedhin me ligjet që miratojnë dhe Komiteti i Ministrave i KE, prej 29 vjetësh nuk po vepron ne mënyrë efikase. Lidhur me pronën e trashëguar normat e sistemit kapitalist janë fikse. Veprimet e derisotme janë diametralisht të kundërta me demokracinë dhe drejtësinë e modelit amerikan, dhe te drejtat e njeriut për të cilat kemi qenë me mish dhe me shpirt.

Theksojmë edhe një herë se Qeveria Edi Rama, po vazhdon në rrugën e gabuar, në dëm të pronarëve autoktonë, duke miratuar ligje dhe VKM, që na zhveshin dhe mohojnë të drejtat kushtetuese që secili të gëzojë lirisht pronën e tij të trashëguar, ashtu siç e përcakton qartë neni 41 dhe 181 i Kushtetutës në fuqi.

Jemi të bindur se në adresën tuaj, nga e gjithë Shqipëria, mund t’ju kenë ardhur shumë ankesa, për anarkinë postkomuniste më pronat dhe apelojmë që veprimi i ndërkombëtarëve nuk duhet të vonojë.

Zgjidhja e problemit të pronës kërkon që shteti demokratik, t’i kthejë sot çdo trungu familjar, pronën që i ka konfiskuar pas vitit 1945, si dhe ta kompensojë për ato prona që janë tjetërsuar për nevoja publike.

Ky është problem i thjeshtë dhe transparent, por maxhorancat e derisotme nuk kanë dashur të zbatojnë këtë parim bazë të të drejtave të njeriut. Janë një grusht oligarkësh dhe mbështetësit e tyre që nxjerrin lloj-lloj pengesash për korrigjimin e hajdutërisë postkomuniste.

Ne na shqetëson mungesa e vëmendjes se KE dhe BE ndaj ankesave tona për këtë situatë që prodhon korrupsion vertikal, kriminalitet të organizuar dhe vrasje.

Ambasadorët në relacionet e tyre nuk e kanë pasur sa duhet në vëmendje problemin e pronës dhe si rezultat edhe progres raportet e ndryshme e kanë paraqitur të zbetë këtë problem.

Përmendim vetëm ligjin 133/2015 dhe ligjin Nr. 93/2015 “për turizmin”, që janë një njollë turpi për ata që i kanë votuar dhe justifikuar Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar në Kuvend se për shkak të pronës janë vrarë mbi 8000 njerëz, më vonë ky numër është rritur, pa llogaritur konfliktet brenda familjeve, fëmijët e ngujuar, të rinjtë që për t’i shpëtuar gjakmarrjes detyrohen të emigrojnë.

Nëse do të kthehet prona tek i zoti dhe kjo është gjëja me e thjeshtë që bëhet dhe kur secili trung familjar merr nga shteti pronën e tij, zgjidhja është e shpejtë dhe nuk ka asnjë faturë financiare.

Në mungesë të vullnetit politik nga Edi Rama dhe Lulzim Basha, faktori ndërkombëtar duhet që  krahas  “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, të kushtëzojë dhe të monitorojë kthimin e pronës së grabitur tek i zoti. Po të ishte bërë kjo, me siguri do të ishin shmangur shumë konflikte, që kanë qenë faktori determinues në prishjen e rendit dhe të stabilitetit në vendin tonë me rritjen marramendëse të kriminalitetit.

Asnjë Qeveri nuk do të ketë qetësi pa marrë përsipër që Shteti me ligj të kthejë pronën e konfiskuar tek i zoti dhe ti ndëshkojë grabitësit dhe falsifikatorët e dokumenteve të pronësisë.  Karaburuni ashtu siç ka qenë para 1945, para shtetëzimit komunist do të bëhet përsëri prona jonë. Cilido që do të tentojë të përvetësojë pronat tona, në emër të ligjit apo VKM të Edi Ramës apo të Sali Berishës do të detyrohemi t’a konsiderojmë armik dhe do ta trajtojmë si pushtues.

Zgjidhja e krizës dhe shkurtimi i replikave të Kryetarit të opozitës z. Lulzim Basha me Kryeministrin Edi Rama, mund të thjeshtohet dhe të bëhet real, nëse zoti Basha do të shtojë në deklaratën e tij se të nesërmen, pas dorëheqjes së Kryeministrit Edi Rama edhe ai vetë jep dorëheqjen nga kryetar i PD dhe do ta fusi PD në zgjedhje të reja.

Qeveria Teknike, që do të zgjidhet të përgatis zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kësaj Qeverie teknike t’i kërkohet ligji i ri, që zgjidh problemin e pronave në përputhje me origjinën, me kërkesat e GJEDNJ, që secili të marri pronën e tij të trashëguar, sipas nenit 181 të Kushtetutes. Këtë ligj ne shoqatat e pronarëve e kemi draft të përgatitur dhe të gatshëm për ta diskutuar me ekspertët vendas dhe të huaj.

Detyra e dytë e kësaj qeverie teknike të jetë përpunimi i Kodit zgjedhor të përshtatshëm për të cilin duhet të angazhohen struktura dhe ekspertë të fushës, ku edhe nga emigracioni shqiptar ka mjaftueshëm njerëz me eksperiencën dhe kualifikimin e duhur.

Shpreh besim se këto mendime do gjejnë mbështetjen tuaj.

Me respekt

Nuro Kulluri

 

b.b/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *