Dërguar me email në
adresën e kryeredaktorit
Ka një disproporcion mes përmbajtjes dhe kërkesave që bën sot opozita e pandëshkuar e Berishës (apo e Bashës quajeni si të doni). Po të lexohet ajo, thuajse 80% të akuzave i adresohen kryeministrit Edi Rama, sidomos për kriminalizimin, abuzimin, rënien ekonomike etj.. E megjithatë, partia më e madhe opozitare angazhohet e gjitha në një betejë që ka dy synime “minore”: dorëheqjen e Sajmir Tahirit dhe Ilir Metës.
Nën akuzë Kryeministri dhe qeverisja, por protesta do të jetë për Ilir Metën dhe Sajmir Tahirin??!!
Nuk është e qartë se cila është loja që qëndron pas kësaj shakaje politike, por për krahasim, po sjellim në vëmendje faktin se ish-opozita socialiste e drejtuar nga Edi Rama, nuk u pa në ndonjë betejë të vërtetë pa patur si objektiv njeriun kryesor: Sali Berishën. Ndaj të ndezësh motorrët e protestave, verbalisht të paktën, bazuar në akuza për kryeministrin dhe qeverisjen, dhe të kërkosh dy dorëheqje si këto më sipër, nuk ngjan serioze.
Dikur Edi Rama dhe PS-ja pas tij thoshte: “Hap kutitë, ose largohu”. Me të drejtën e sistemit, ish-kryeministri Sali Berisha përgjigjej: “Drejtohu në gjykatë”. Finalen e kësaj përballjeje e dimë të gjithë. Ndoshta për akuzat penale ndaj Metës dhe Tahirit, është mirë që edhe PD-ja të kërkojë drejtësi nga gjykata. Protesta formalisht bëhet për qeverisjen dhe kundër saj. Kuptohet, kur atë e ideon vërtet opozita.
