Çfarë po ndodh me ekonominë tonë, a po rimëkëmbet ajo kur papunësia arrin të njëjtin nivel si në kulmin e karantinës?

Edlira Shehu

Ndonëse ekonomia po rimëkëmbet, papunësia rritet, arrin të njëjtin nivel si në kulmin e karantinës, efekti nga të rinjtë

Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare për tremujorin e parë të vitit u rrit në 11.9%.

Sipas Institutit të Statistikave, papunësia u rrit me 0.5 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe 0.1 pikë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e papunësisë tregon se ekonomia ende nuk e ka rimarrë veten plotësisht nga pasojat e pandemisë.

Niveli i papunësisë është njësoj sa në tremujorin e dytë të vitit 2020, kur vendi ishte në kulmin e kufizimeve, çka çoi në mbylljen e shumë bizneseve. Më pas, papunësia u ul në tremujorin e tretë dhe të katërt, me rihapjen e ekonomisë.

Ndërsa të dhënat e tjera në tremujorin e parë të këtij viti tregonin për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë, kjo nuk po shoqërohet me përmirësimin e treguesve të punësimit, përkundrazi ai u përkeqësua në raport me fundin e 2020-s.

Rritje të ndjeshme shënoi papunësia tek të rinjtë, që është madje më e lartë sesa në periudhën e karantinës. Përkeqësimi është më i lartë te femrat e grupmoshës 15-29 vjeç, që arriti në 24.4%, me rritje 3.6 pikë përqindje në raport me tremujorin e dytë 2020 dhe në nivelin më të lartë që nga tremujori i parë 2018.

Edhe te meshkujt e rinj, 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë arriti në 22.5%, me një rritje prej 0.6 pikë përqindje nga periudha e karantinës.

Sipas INSTAT, shkalla  zyrtare  e  papunësisë  për  burrat është 11,7% dhe  për  gratë12,1%. Krahasuar  me  të  njëjtin tremujor të vitit 2020,shkalla e papunësisë për burrat është rritur me 0,7pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 0,2pikë përqindje

Shkalla e punësimit në ekonomi ka rënë në 59%, në rënie me 2.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe 0.5 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të 2020. Sipas të dhënave sektoriale të INSAT, efektin kryesor në rënien e punësimit e ka dhënë bujqësia.

Në terma vjetorë, INSTAT vlerëson se punësimi ka rënë me 7.8 % në sektorin e bujqësisë, me 0,3 % në sektorin e shërbimeve, ndërkohë që është rritur me 1.5 % në sektorin e industrisë.     e.sh/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *