Çfarë po ndodh me Luan Ramën në LSI? Një foto e dy nënkryetarëve ulur në një cep trotuari dhe historia e farave të kungullit

Ornela

Bedri Islami

Është një foto e njohur e dy nënkryetarëve të LSI-së, Luan Rama dhe Petrit Vasili , ulur në një cep trotuari, duke ngrënë fara kungulli. Për disa kohë ajo u bë virale. Sado të ndryshëm që janë nga njëri tjetri, për shumë kohë ata sillnin imazhin e një lidhje më shumë se nga politika. Luan Rama, që u bë i njohur para se të bëhej pjesë e politikës dhe Vasili, që as politika nuk i dha kostumin e intelektualit, tani, jo vetëm që nuk janë më sëbashku, por i dyti bën thirrje të mohohet miku i tij i dikurshëm, që, si edhe ai vetë, vazhdon të jetë njëri ndër figurat kryesore të partisë së përbashkët.

Një mijë shkaqe ka në ndarjen mes Luan Ramës dhe forcës së tij politike, ku ishte që nga fillimi. I gjendur kurdoherë në krahun e Metës, e më pas të Kryemadhit, figurë e dytë pa synuar të jetë i parë: luajal, por jo lolo; i devotshëm, por pa dashur të jetë humbës; bashkëbisedues dhe mik i mirë, por pa e humbur veten; kundërshtar i Ramës tjetër, Edit, por jo armik;  për herë të fundit e kam takuar në Shkupin e vjetër, në Kongresin e BDI-së. Nuk kishte qenë i një mendje me braktisjen e parlamentit, çka ia thonte kolegut të tij nga PD-ja, Shehut, po ashtu i ftuar në Kongres; i bindur se nga largimi do të kishte humbje, por që nuk kishte dalë publikisht kundër dhe ishte bindur te braktisja; si duket, dita kur e bëri publik mendimin e tij do të ishte edhe fillimi i humbjes së besimit ndaj tij. Sidoqoftë, ai nuk ishte larguar nga afërsia e shefit edhe kur kishin ikur figura të njohura si Xhufi, Sabit Brokaj, Fatos Klosi e shumë të tjerë, dhe as nuk ishte bërë kurriz-ulur si ndodhte me çupëlinat dhe çunat e futur në detashmentin politik të LSI-së. I gjendur mes dy ngasjeve, mes pranimit të gjithçkaje, në emër të unitetit, dhe mendimit vetjak, që nuk është blasfemi, aq më tepër që nuk ishte i pashpallur nga vetë shefi i madh, tani ai është dhe nuk është më drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, ashtu si është dhe nuk është më nënkryetari i partisë ku ishte bashkëthemelues.

Zakonisht shefat e partive të njohura i kanë zbuar apo larguar figurat e njohura përmes disa rrugëve: ose i kanë lënë jashtë listave për deputetë, si ndodhi në vitin 2017 me Lulzim Bashën, që, përmes një vije të papritur u ra vizë Topallit, Patozit, Bregut, Rulit, Bodes, Imamit – që i kishte gjetur në parti si ndër më të rëndësishmit; ose i vënë në vende ku përfshirja e mëpasme është e vështirë, si ndodh tani në PS me Xhafën, Kodhelin, Majkon etj, ; ose gjejnë një vijë të mesme, u premtojnë poste të larta pas zgjedhore, për t’i harruar menjëherë pas datës së zgjedhjeve.

Është hera e parë që ndodh ndryshe. Pra, që, drejtuesi politik bëhet kurban i vetë partisë së tij, apo, si ndodh tani, kundër tij ndizet gjithë bateria ushqyese e një mohimi partiak.

Luan Rama është i pari në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Vlorës. Pas tij, si ndodh rëndom në LSI, janë renditur çupëlina dhe çunakë që nuk kanë pasur asnjë influencë e njohje në qarqet e tyre, që nuk njihen e nuk do të njihen, që harrohen menjëherë me rënien e listave, që më parë bëhen deputetë e pastaj fillojnë e merren me politikë.

Manipulimi politik i tyre është lehtësisht i mundshëm. LSI është mjeshtre e këtij manipulimi. Përmes indoktrinimit ata nuk e kanë për gjë të këndojnë hymne për “burrneshën”, të dëshmojnë rrejshëm, të përbetohen për shefin apo shefen, të harbohen në Jalë, të hakrrohen se nuk mund të martohen me një socialist se kanë bindje të ndryshme politike, të kërcënojnë, të gjakosen në një gisht prej rrëzimit dhe të dëshmojnë se e kanë sulmuar bandat e qeverisë, të rrëmbejnë kartonat e votimit, të përplasin këmbët, të dëshpërohen kur është i dëshpëruar shefi dhe të brohorasin kur brohoret ai.

Çfarë do të ndodh tani me kandidatin për deputet Luan Rama? Kjo është një gjë që i përket atij dhe partisë së tij, por tej atyre, shumë tej atyre, mendja të shkon te ai që quhet mendim i lirë edhe brenda një force politike, te mendimi ndryshe që, duhet pranuar, është tabu për të gjithë shefat e mëdhenj të politikës.

Droja që ka LSI ndaj qëndrimit të mëtejshëm të Luan Ramës ka të bëjë me vetë përvojën që ata vetë kanë. Disa vite më parë, ende pa u numëruar votat, ish deputeti Dritan Prifti, megjithëse nga një forcë politike që trumbetonte se ishte e majta e vwrtetë, deklaroi se vota e tij do ë ishte për Sali Berishën, duke u bërë deputeti i saj i 71-të dhe duke i dhënë të drejtën e qeverisjes. Katër deputetët e artë të asaj legjislature nga LSI pollën vezën e artë të saj, pasi morën thuajse një të tretën e pushtetit dhe kështu filloi rritja e tyre. Praktikë në ndarjen e vendeve të punës, të paskrupullt në rrëmbimin e qosheve të njohura ku lëviznin paratë, mjeshtra të presionit politik, ata u bënë një forcë politike që njësohej me vendin e punës, përfitimin, bindjen, besnikërinë dhe uljen e kokës.

A mund të jetë Luan Rama versioni ndryshe i Dritan Priftit, që vota e tij të kalojë tani në të majtën?

Nuk e di, dhe as nuk më intereson. E njoh Luanin prej më shumë se 30 viteve dhe e di se ka një cak durimi i tij, ashtu si ka në kokë më shumë mendime dhe influencë se sa shfaq.

Ai edhe mund të mos dalë fare deputet, pasi sondazhet e deritanishme kanë një dëshmi braktisje për forcën e tij politike.

Zhvendosja e presidentit drejt Vlorës, përbetimet marroqe, njësimi i tij me Adem Jasharin dhe fëmijët, përbetimi për sakrificë tregojnë se ka një hall të madh. Katër vite më parë përbetohej për Viktor Tushën dhe lëshonte kërcënimin se drejt Lezhës po shkon Ilir Meta dhe miqtë e tij, deputeti i ardhshëm shpërndante para në shkallët e banesës ku kishin qenë për kryeshendoshë, dhe , tani, i shpërngulur në Vlorë, duke mënjanuar gjithçka nga çfarë ka lënë pas gruaja e tij, hakërrimi është kaq meskin, habitës, ngulmues dhe i çoroditur. Luan Rama, besoj, nuk ka faj në se shefi i tij po shkon kaq shpejt drejt degradimit.

Si e shkrova në fillimin e këtij shënimi,  është një foto ku dy nënkryetarët e LSI-së po hanë fara kungulli.

Kungulli zakonisht rritet shpejt dhe plas shpejt.

Për t’u rritur ka nevojë për gardh.

Çfarë të them tjetër?

 

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
6 Comments
  • Dy kunguj nuk mbahen dot nen sqetull!?
    Madje edhe Iliri nuk i duhet tani Monikes…sepse nuk e mban dot mes shaleve
    Hidheni ne det te shpetojne te gjithe!

  • Luan Rama Eshte i vetmi ne LSI me integritet dhe eshte e habiteshme qe ka rezistuar deri tani mbase Meta tani ne ezaurim nervor eshte bere paranojak dhe ka rene pre e ndonje intrige nga ana e PD , per ti marre deputetib mbase te vetem qe mund te merrte ne Vlore , nuk e besoj se Luan Rama do ta tradhetonte LSI , pas zgjedhjeve , sepse nuk ka karakterin e Priftit & Co tani Meta kot i shperndan dekoratat si karamele sepse per keto dekorata eshte ritur shume inflacioni

  • Agush Meta eshte hileqar i lindur .Nuk ka dashuri per asnje njeri vec lekut , por dekorimet i bene ne kembim te parase .Nuk paguan qe te mos akuzohet per shteblerie por dekoron qe te entuziazmoje emocionalisht aq sa mundet njerez qe mund te lekunden e te votojne LSI , e keshtu neser te mos akuzohet e te ket motiv per cmendurirat e tij psiqike

  • Ne antishqiptaret nuk falenderojme vetem Edi ramen per shkaterrimin e Shqiperise! Edhe Ilir Meta dhe e shoqja kane ndihmuar ne kete drejtim, teksa atij i futem ne mendje idene djallezore te berjes se president, si posti i trete me i larte i pakapur nga ai! Dhe aty e kuptuam se do te niste shkaterrimi i LSI-s! Pastaj Monika na ndihmoi edhe me shume, duke e shpejtuar renien e LSI-s, permes kapjes se partise si nje brigande pa idera konkrete e vetem me aksione, keshtu shmangu nga LSI-ja disa figura gjysem te vlefshme, si keta te dy ne foton e mesiperme. Konflikti i interesit midis pozicionit te saj dhe te shoqit do te plaste dikur, keshtu ajo morri ne qafe edhe te shoqin! Tani minat e vena LSI-s nga vete familja Meta-Kryemadhi nuk mund te cmontohen me, ato do te vazhdojne punen e tyre. Sikur Monika te kish mbajtur pozicionin nr. 2 apo 3 ne LSI, ajo do te ruante te pakten te paster figuren e te shoqit! S.d.q., ne antishqiptaret arritem ne kete rast rezultate te shkaterrimit te politikes shqiptare, pa nderhyre fare! Me tej keshtu!

  • Bedriu po ben te pamunduren qe ti perçaje partite opozitare vetem e vetem te fitoje Rama(Edi) por nuk po ja arrin qellimit as ky as miku i tij Mero.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *