Ndarje? Apo largim i lidhur me fushatën zgjedhore dhe panikun nga një përmbysje e situatës politike në Tiranë në 2013? Është larguar vetëm gruaja dhe fëmijët pas një drame familjare që mund t’i ndodhë kujtdo? Apo janë larguar jo vetëm gruaja dhe fëmijët, por është larguar edhe pasuria e Shkëlzenit?
Pyetjet e para lindën që pas postimit të një fotografie familjare për Vitin e Ri në profilin e kryeministrit Sali Berisha në Facebook. Në foto ndodheshin të gjithë pjesëtarët e familjes përveç Sadije Berishës, bashkëshortes së Shkëlzen Berishës. Me sa duket pyetja “pse” u bë bezdisëse sepse fotoja në fjalë u hoq nga profili pas pak kohe.
A ndodhet në Shqipëri Sadije Berisha?
Gazeta DITA ka bërë një verifikim në programin TIMS ku regjistrohen të gjithë hyrje-daljet në Shqipëri. Dhe rezulton se znj.Berisha është larguar bashkë me fëmijët me “Austrian Airlines” nga Rinasi në datën 1 dhjetor të vitit të kaluar. Megjithëse kanë kaluar tashmë 45 ditë, ajo nuk është rikthyer. Nuk ka qenë as në festimet e Vitit të Ri të familjes Berisha, gjë që shpjegon mungesën e saj në foto. Çfarë ka ndodhur?
Dy versionet e përfolura
Në qeveri dhe në korridoret e administratës lajmi ka nisur prej ditësh të përflitet në zë. Ka zëra të besueshëm se Sadije Berisha nusja e djalit të kryeministrit Berisha është larguar nga shtëpia dhe nga Shqipëria. Është në prag divorci me Shkëlzen Berishën? Kjo është hipoteza e parë që të vjen në mend, sidomos duke patur parasysh fjalët që qarkullojnë në Tiranë për një lidhje të djalit të kryeministrit me të bijën e një personazhi të njohur televiziv, lidhje e kuptuar tashmë, sipas këtyre zërave edhe nga znj.Berisha. Por largimi i saj dhe i fëmijëve është mbajtur i fshehur për shkak se një krisje e tillë në prag fushate elektorale dëmton imazhin e familjes tradicionale, që kreu i PD-së dhe kryeministër aktual i vendit, e ka shumë për zemër. Në fakt, divorci është vetëm njëri version që qarkullon këto ditë në Tiranë.
Sepse nuk mungojnë të tjerë zëra (dje, kjo temë ishte temë qendrore në mjedise të frekuentuara nga qarqet e politikës dhe medias në kryeqytet) që e lidhin largimin e gruas dhe fëmijëve të Shkëlzen Berishës, me shtimin e sinjaleve për rotacionin politik të 2013-s. Sipas tyre, largimi përkon me rritjen e tensioneve dhe akuzave për përfshirjen e Shkëlzen Berishës në ndërmjetësime dhe vendimin për largim të familjes ia atribuojnë vetë djalit të kryeministrit.
Ndarje? Apo bëjnë sikur ndahen?
Ndarje? Apo largim i lidhur me fushatën zgjedhore dhe panikun nga një përmbysje e situatës politike në Tiranë në 2013? Është larguar vetëm gruaja dhe fëmijët pas një drame familjare që mund t’i ndodhë kujtdo? Apo janë larguar jo vetëm gruaja dhe fëmijët, por është larguar edhe pasuria e Shkëlzenit? Këto janë pyetje që lindin vetiu duke dëgjuar atë që përflitet këto ditë në Tiranë. Pyetje që mund të marrin përgjigje të saktë, vetëm nëse vetë familja Berisha vendos t’u përgjigjet atyre publikisht. Në të kundërt, spekullimet me variantin e parë do nisin të mbushin shumë shpejt faqet rozë të gazetave, kurse varianti i dytë do mbetet me shumë pikëpyetje nga pas, si çdo vendim që e ka mundësinë të mbulohet apo të zbulohet politikisht.
****
Historia e një martese të vështirë
Lidhja mes Shkëlzen dhe Sadije Berishës është ndoshta një nga martesat e VIP-ave që ka intriguar më shumë opinionin publik shqiptar. Në tavolina informale prej vitesh përflitej se martesa e tyre nuk kishte patur asnjëherë miratimin e Sali Berishës, asokohe lider i opozitës. Gjithçka mori një formë më të qartë në vitin 2009 kur një e përditshme shqiptare botoi pasazhe nga një libër me kujtime të shtetasit shqiptaro-suedez Hasan Berisha. Hasan Berisha është i ati i Sadijes, nga Tropoja gjithashtu.
Ajo që me siguri dihet është fakti se Shkëlzen Berisha në vitin 1998 është dërguar nga familja e tij në Suedi, tek familja e Hasan Berishës. Ky i fundit ishte tropojan por rezulton se është njohur me Sali Berishën vetëm pas ardhjes së demokracisë në vend. Hasan Berisha në Suedi kishte disa dekada i shpërngulur dhe kishte arritur madje të ndërtonte atje një aktivitet privat biznesi dhe jetonte në mirëqënie. Sadija është një prej katër vajzave të Hasan Berishës. Ajo bashkë me të ëmën dhe një motër për disa vite jetuan në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo u martua me një shqiptar dhe nga martesa e parë pati dy fëmijë binjakë, Muratin dhe Muradien. Pas problemeve në çift, Sadija u divorcua dhe mori me vete fëmijët e saj. Në kohën që Shkëlzeni shkoi te miqtë e të atit në Suedi, Sadija ndodhej atje sëbashku me dy fëmijët e saj. Jeta e përbashkët nën një çati afroi më shumë Shkëlzenin dhe Sadijen të cilët me kalimin e kohës nisën të lidheshin më shumë me njëri tjetrin. Ata nuk e mbajtën për shumë kohë lidhjen e tyre të fshehtë.
Ajo që dihet është se kur ish-lideri i opozitës Sali Berisha mësoi për këtë lidhje mbajti fillimisht një qëndrim të prerë dhe tërësisht kundërshtues. Janë shumë të paktë dëshmitarët okularë të kësaj marrëdhënie të tensionuar mes çiftit të ri dhe familjes së Shkëlzenit në Tiranë. Thuhet se në muajt e parë Sali Berisha ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me të birin dhe e distancoi së tepërmi atë, por duket se Shkëlzeni kishte gjetur femrën që kërkonte dhe kishte vendosur të paguante çdo çmim për ta mbajtur. Në kulmin e këtij tensioni, Shkëlzeni dhe Sadija marrin vendimin për tu martuar me njëri tjetrin. Edhe pas martesës marrëdhëniet me familjen e Shkëlzenit në Tiranë mbeteshin të tensionuara. Sadija dhe Zeni u bënë me një vajzë që e quajtën Medina. Lindja e kësaj vajze duket se solli dhe “flladin e pajtimit” dhe pas lindjes së Medinës nisën dhe kontaktet e para të Shkëlzenit me të atin e tij, i cili duket se kishte vendosur më në fund të respektonte zgjedhjen e të birit. Martesa mes Shkëlzenit dhe Sadijes u pasua edhe me lindjen e një djali disa vite më vonë, djali i tyre quhet Lajdon.
Që prej vitit 2005 Sadije Berisha dhe Shkëlzen Berisha kanë jetuar në Tiranë, ndërsa Sadija ka publikuar dhe një libër në Shqipëri të quajtur “Receta të Ëmbla”, libër me receta embëlsirash.
Diferenca mes dy fotove ku mungon Sadija
Në prag të Krishtlindjeve, më datën 24 Dhjetor të vitit të kaluar në profilin zyrtar në “facebook” të kryeministrit Berisha u publikuan dy foto të familjes Berisha. Fotot ishin të shoqëruara me një diçiturë ku “të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, por edhe të gjithë besimtarëve të Zotit” familja i uronte festën e Krishtlindjeve. Njëra prej fotove ishte e realizuar në shtëpi dhe dukej qartë se fotoja ishte bërë në një periudhë dimri që korrespondon me të ftohtin e Dhjetorit. Në këtë foto vihej re mungesa e Sadije Berishës. Por Sadija ishte prezente ama në foton tjetër të publikuar , vetëm se kjo foto dukej qartë se ishte bërë në një periudhë verore, pra disa muaj më përpara. Janë vetë teshat e lehta që kanë veshur antarët e familjes që e konfirmojnë një fakt të tillë. Fotot në fjalë i promovoi në “Facebook”-un e sa dhe zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli. Pas këtij publikimi, në faqen e saj në “Facebook” disa gazetarë e pyetën Erlën se cila ishte Sadija në foton familjare dimërore. Atëherë Erla shpjegoi se Sadija nuk ishte në atë foto por te fotoja tjetër(verore), foto e cila ishte “shkrepur” shumë kohë përpara vigjiljes së Krishtlindjeve.