Çfarë po ndodh në Kërrabë me folklorin?

redaktor

Me iniciativë të drejtuesve të ansamblit folklorik “Visaret e Kërrabës” në skenën e hapur në natyrë të “Teatrit Kame” në kuadrin e Festës së Bajramit, ditës së parë të çeljes së vitit mësimor është zhvilluar një veprimtari e gjerë folklorike më shtrirje mbarëkombëtare. Grupe dhe ansamble folklorike shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia prezantuan vlera unikale të folklorit shqiptar në prani të qindra shikuesve nga krahina e Kërrabës, Tirana dhe Elbasani. “Jo vetëm në ditët e shënuara dhe shenjtëruara të Bajramit që festohen me madhështi brenda dhe jashtë kufijve dhe nga besimtarë të feve të ndryshme si një festë e të gjithëve, e të pasurve dhe të varfërve, festë ku të gjithë gëzojnë, por edhe në evente të tilla si dita e çeljes së vitit shkollor, por edhe në ditë të tjera si Festa e Verës, Dita e Pavarësisë, dhe ditë të tjera të shënuara të historisë, në njësinë administrative Kërrabë ne i përcjellim me veprimtari të tilla folklorike me qëllim që vlerat tona kulturore unikale t’i përcjellim të pastra tek brezat e rinj”, thotë imam Ilir Selba, njëkohësisht edhe drejtues artistik i ansamblit  “Visaret e Kërrabës”.

Ndërsa inspektori i kulturës pranë Këshillit të Qarkut të Tiranës, Fatmir Veleshnja, lidhur me këtë traditë të veçantë të Kërrabës thotë se: “Nuk është kaq e lehtë të arrish atë vlerësim dhe nivel të organizimit të veprimtarive folklorike që ka në Kërrabë. Është për t’u habitur se si është ruajtur këtu tradita e festës së lashtë pagane të Ditës së Verës e cila në mars të këtij viti shënoi edicionin e 10-të të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar të Ritet Pranverore”.

img_2717Në koncertin e fundit folklorik të zhvilluar së fundi në Teatrin Kame në Ibë të Kërrabës, morën pjesë 7 grupe folklorike nga Medvegja në Serbi, nga Malisheva e Kosovës, nga Gramshi, nga Berati, ansamblet e njohura: Visaret e Kërrabës, AlbaFolk nga Kamza, ansambli Shqiponja i Bashkisë së Tiranës dhe Benda i Krujës. Të pranishmit si spektatorë në shkallët e teatrit natyror duartrokitën bartësit e njohur të folklorit, këngëtarin gramshiot Xhevair Bora nga Gramshi, rapsodin Xhemali Berisha nga Presheva dhe këngëtaren dhe interpretuesen virtuoze Paro Zilfaj nga Tepelena. Kjo veprimtari që organizohet për rreth një dekadë nga Ansambli Folklorik “Visaret e Kërrabës” dhe SHKA Tirana, për herë të parë ka patur mbështetjen e Bashkisë dhe këshillit të qarkut të Tiranës. Ekspertë dhe bartës të folklorit nga gjithë hapësira mbarëshqiptare të pranishëm në koncert e kanë vlerësuar këtë veprimtari si një mundësi më shumë për të ruajtjen e trashëgimisë së lashtë kulturore folklorike me synim evidentimin, interpretimin dhe përcjelljen e vlerave të folklorit të pashtershëm autentik shqiptar nëpërmjet nëpërmjet koncerteve të përbashkëta.

Për regjisorin e njohur Gëzim Kame, trashëgimia shpirtërore folklorike shqiptare është një vlerë e pamatshme që ruhet me fanatizëm nga vetë njerëzit e thjeshtë. “Më bën shumë përshtypje se si këto interpretime të vjetra dhe të rralla janë të ruajtura me kujdes e fanatizëm nga vetë njerëzit dhe janë të trashëguar me po kaq kujdes brez pas brezi”, shprehet regjisori Kame.

img_2716Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, piktori i njohur Abas Hado, vlerësoi si origjinale veshjet e larmishme popullore të interpretuesve në skenë si vlera të rralla të etnografisë për të gjitha hapësirat dhe trevave shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të vendit. “Kostumet tradicionale shqiptare janë impresionuese dhe të mahnitshme. Veprimtari të tilla me vlera për ruajtjen e traditave të identitetit kulturor kanë gjetur dhe vazhdimisht do të gjejnë mbështetje të Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Hado.

Veprimtaritë folklorike të zhvilluara në Kërrabë të Tiranës kanë shënuar interesim në rritje, si në aspektin e pjesëmarrjes së grupeve folklorike edhe në gjurmimin, zbulimin dhe paraqitjen e vlera unikale folklorike, nga të gjitha trevat e hapësirës mbarëshqiptare. Folkloristi i njohur dhe organizator i disa festivaleve folklorike kombëtare në Gjirokastër, Prof. Ermir Dizdari, në mbyllje të veprimtarisë e vlerëson atë si një koncert krejt të veçantë folklorik që organizohet nga një grup i vogël dashamirësish dhe interpretuesish të folklorit në Tiranë dhe në zonën e Kërrabës si Fatmir Veleshnja, Ilir Selba, Refik Velia, Alfred Braja etj., të cilët duke ftuar grupe dhe bartës të folklorit nga mbarë hapësirat shqiptare, njëkohësisht kanë kontribuar kështu në qarkullimin e këtyre vlerave unikale brenda këtyre hapësirave shqiptare duke i dhënë frymë dhe përjetësi folklorit shqiptar të pasur dhe të larmishëm.

 

Engjëll SERJANI

Share This Article
2 Comments
  • “TRINITRINE” gjalleruese “KRABA me FOLKLOR” !

    Vertet sot mora nje”trinitrine” nga “KRABA me FOLKLOR”, derguar nga ajo pene- “SHPRESE”po e quaj -te djalit krijues Engjell Serjani;(Permetar nga mbiemri miq te mij), une 80 vjecari mesues, nje jete mes brezave parardhes te Tyre.
    Mesues edhe aty ne Krabe mes Minatoreve( me 1991 dale ne pension), sa fshatreve duararte sa deri ne Vakumanen e vitit 1966 apo SELBE 1988. me Zall-Dajti 7 vjet gjurme,deri ne ato festivalet nga Lezha-Tirane ne Gjirokaster..
    Mes Shengjergjit; “ajka e folklorit Tiranas sa SHUPALIT,PREZES, PEZES e PETRELES…AH !!!….
    Ndjese atyr qe si kemi me midis nesh, jetegjatesi, vetraneve artiste mes nesh,si Besim Zekthi me shoke e shoqe.. sa Nuri Bumja me shoke ne Vilze e gjith ate zonen e BENDE-TAMADHE-se(Shupal-SHengjergj.
    Po po nje jete me kesi veprimtarish,anise sot ja 80 vjecar,lotoj per ato arritiet tuaja.( nga Toronto, nw dhe te huaj pwr te marre eren e pasardhesve, ‘te detyruar lene atdheun”..) ju shkruaj e me ju jetoj..
    Ju kam merzitur, te nderuar lexues me “TRINITRINAT” e mia,po dijeni, vertet jane te tilla keto veprimtari mbrodhesuese, ne atdheun tim, mare tej oqeanit.
    Ju faleminderit e suksese suksese.
    Nje “trinitrine” te tille kam ne “diktofonin tim mare ne festen e “TAMADHE-BENDE”, inxizuar ne VILZE te malsise bri Qafshtambes e Malit me GROPA, ne ate feste madheshtore,me folklorin kryefjale.
    Nje ore,jo me larg se mbreme(25 dita Barjamit festuar dhe ketu ne Toronto),mes miqve nga mabreshqiperia e Kosova) degjova familiarist,deri ne intimitete. Falemindrit “TAMADHE-BENDES”per ate ruajtie trashegimie ne breza, kaseten me vete,(Ne TV. ketu ne Toronto jua kam dhene, ne dite festat e Nendorit, besoj do mbushi ekranin sa valet e RT”Pasqyra SHQIPTARE” qe drejton atdhetari pasionuar Ilir Lena me shoqe e shoke…
    Faleminderi gjithe pjesmarresve ne ate aktivitet,jo vetem te KRRABES,po mbare vendit sa lexova e pashe ato foto brilante.Urime artisteve amatore-artiste te vertete; burim i artit tone.
    Gjithe te mirat dhe kenge e valle atij populli te shumevuajtur, (me politikat e mbrapshta qe keto aktivitete i sfidojne). Arti dhe Kultura ti sfidoje ata.
    MBRODHESI ATDHETRE VELLEZER;BIJ E BIJA!
    ***
    Ketu ne Toronto keni pasues nga gjithe trevat shqiptare qe na kenaqin. kete te diele, na ka ardhur nga larg Albert Frasheri,do perurojme nje liber per DANGELLINE dhe “FRASHERIN NAIMJAN”.
    Faleminderi shoqates “SHQIPTARO_KANADEZE” sa “KOSOVA” sa intelektualet nga mbare trojet shqiptare qe i meshtet.Ne krye Tiranasi Ramadan Kellezi,kryetar i shoqates,sa Ilir Lenes qe ben te ushtoje Tv. Pasqyra shqiptare me kete lajm sa te tjera…

    ME JU !
    80 vjecari Guri Naimit D.

    Toronto 26-09-2016 (Dhimiter M. XHOGA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *