Nga Bedri Islami
U bënë disa muaj që Hashim Thaçi arriti të parritshmen dhe që nga pak kush ishte menduar: U zgjodh presidenti i Kosovës. Pas Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiut, pakditë president Pacollit dhe të emëruarës, Jahjaga, ai është tani presidenti i rradhës.
Problemi tashmë nuk qëndron në se do të jetë, por si do të jetë: Do të jetë ai një president ndryshe nga të tjerët, apo do të jetë vazhdë e presidentllëkut të deritashëm?
Rugova ishte karizmatik, sidomos në pjesën e tij të votuesve, dhe, nga ana tjetër i përbuzshëm për kundërshtarët e tij politikë, njëri nga të cilët, për shumë vite, kam qenë edhe unë.
Ai ishte gjithnjë brenda kornizës së tij, në një rrugëtim të shkurtër nga njëra banesë në tjetrën, enigmatik dhe i mbështjellë gjithnjë nga misteri i së shkuarës dhe i të ardhmes njëkohësisht. I zgjedhur me votat e Thaçit, në votimin e tretë, duke bërë një gjysmë lëshimi, që kryeministri i qeverisë së parë të jetë nga njerëzit e luftës, por jo vetë Thaçi, Rugova u bë njeriu i presidencës, të cilin pak vetë e panë, edhe më pak e takuan, por qëndroi deri në fund besnik i linjës së tij.
Sejdiu ishte njeriu intelektual, që i ra në hise të jetë president pas largimit jetëshkurtër të Rugovës dhe që, mjerisht, kurrë nuk e kuptoi se pas tij, ata që po i mbështeste, dikur pjesë e klaneve titiste, ishin të gatshëm ta gëlltisnin, ashtu si edhe e kapërdinë.
Duke dashur të bëjë zgjedhjen mes presidencës dhe partisë, ai ngeli jashtë të dyjave. Ndodh edhe kështu: I parrahur me prapaskenat e politikës dhe pa qenë në gjendje të krijojë klanin e tij, si e kishte Rugova, ai e la gjithçka në dorën e klanit titist, të cilët, pasi i përkëdhelën shpatullat, e lanë pas derës.
Pacolli ishte presidenti më jetëshkurtër në këtë post. Nuk e di se çfarë do të kishte bërë nëse do të vazhdonte të qëndronte më gjatë. Prej tij mund të pritet gjithçka, si e mira e madhe, ashtu edhe dëmtimi i madh. Karizmatik në jetën e tij, njeriu që pëlqen të papriturën dhe luksin, i shumëfishuar nga miqtë dhe i përpjestuar nga vetë partia e tij, të cilët e deshën deri sa menduan se ishte zenithi i së ardhmes, ai u rikthye në partinë e tij, tashmë të rrudhur.
Jahjaga bëri më shumë nga sa ishte menduar. E gjetur në një post presidencial, të cilin nuk e kishte pasur kurrë ndër mend, ajo nuk e la veten të bëhet lojë e afateve dhe, kur menduan se do e nxirrnin nga dritarja, ajo u tregoi derën. Gjurmët janë të pakta në jetën e saj presidenciale, por ndoshta më mirë që ka ndodhur kështu sepse nganjëherë gjurmët mund të jenë të dëmshme. Varet se si i sheh.
Tani, Thaçi është presidenti i Kosovës. Kohë më të vështirë për të qenë president nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë. As nuk do të ketë.
Ai ndodhet tani përballë “rrethimit” të brendshëm, ku opozita nuk pranon, ndoshta me të drejtë, të quajturin Demarkacion me shtetin malazez, e po ashtu edhe marrëveshjen ende të panjohur si duhet me shtetin serb. Secili prej këtyre dy problemeve ka lindur që në kohën e tij si shefi i qeverisë dhe janë ende po aq të pazgjidhshme siç ishin në fillim. Nuk ka asnjë hap para e asnjë hap pas.
Ai ndodhet përballë “rrethimit” ndërkombëtar, ku edhe pak muaj, ndoshta më pak nga sa pritet, mund të fillojë punën konkrete Gjykata Ndërkombëtare Speciale, e cila, krejt mënjanë, do të trajtojë krimet e supozuara të luftës. Dhe në këtë luftë ai ishte Drejtori Politik, figura më përfaqësuese. Do të ketë punë apo jo tribunali me të, ai sidoqoftë nuk do të ndjehet i qetë në punën e tij, pasi, duam apo nuk duam, akuzat më të ndjeshme janë mbi bashkëpunëtorët e tij, nganjëherë tepër të ngushtë. Personalisht jam i bindur se shumica e akuzave nuk kanë një shumësi faktesh, por kjo nuk është temë e këtij shënimi politik. Thaçi, edhe sikur të jetë krejtësisht jashtë, sepse nuk do të ketë gjykime mbi nisjen e hierarkisë, ai do e ndjejë, qoftë edhe moralisht, përgjegjësinë e tij.
Në fakt, asnjëherë një president nuk është zgjedhur duke pasur kaq shumë vemendjen e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Duke nisur që nga institucionet më vendosëse politike, në Bruksel dhe në Uashington, por, mendoj se edhe të institucioneve që merren me çështjet e sigurisë, stabilitetit dhe shtetformimit.
Shpesh herë është menduar apo edhe është shkruar se lëshimet ppolitike që ka bërë Thaçi si shefi i qeverisë së Kosovës, kanë qenë të ndikuara nga një farë “marrëveshjeje” që paska bërë me ndërkombëtarët në këmbim të mos ndjekjes së tij nga Tribunali. Një mendësi e tillë do të thotë të barazosh drejtësinë në Kosovë, e cila gjykon nga i shkel syrin më i forti, me drejtësinë ndërkombëtare, përballë së cilës janë të gjithë njëlloj. Edhe nëse dikush mund të shpresojë se lëshimet politike ndikojnë në lëshime igjore, jam i bindur se kjo është rrugë e gabuar. Përvoja e Bosnjes dëshmon se asgjë nuk lëshohet nga pozita e të fortit. Ish presdenti i Bosnjes “shpëtoi” nga gjykimi vetëm pasi jeta e tij biologjike ndodhi e shkurtër.
Jam i bindur se në të gjitha atë që ka ndodhur në Kosovë, gjatë zgjedhjes së tij si president, vemendja ndërkombëtare ka qenë në maksimumin e mundshëm, dhe, megjithëse pas zgjedhjes së tij janë pritur zhvillime më dramatike të supozuara apo reale, në fakt ata erdhën drejt shuarjes. Kauza e moszgjedhjes së Thaçit si president kishte qenë e përkohshme dhe e gjithë ajo që ndodhi, më shumë e dobësoi opozitën se sa e forcoi atë.
Thaçi e ka shansin të jetë një president ndryshe, por nuk mendoj se mund të jetë një tjetër. Ai, deri tani, lojën e politikës e ka luajtur me dy duar, fuqishëm, ashpër herë pas here, me harresa e lëshime, por gjithnjë e ka ditur se ku do të ishte caku që do të arrinte. Mirë apo keq, bardh a zi, kjo tashmë është temë e së shkuarës, në fakt ai ka qenë njeriu politik më i fuqishëm në Kosovë dhe do të vazhdojë të jetë edhe për disa kohë.
Thaçi u bë president nga radhët e partisë ku ishte njëri ndër themeluesit kryesorë, PDK. Në fakt, me kalimin e kohës, u bë shembulltyra e saj. Kjo nuk duhet të jetë harresë e tij, por as rëndesë, duke u nisur nga fakti i depolitizimit të rolit të tij si president.
Kur mendoj të mos jetë harrimi, çka ndodh në jetën e tij politike, unë mendoj se ai nuk duhet të harrojë pikërisht ato vlera që ka në thelbin e saj PDK, mbi të gjitha përkushtimin për vendin dhe ndjenjën e së mirës. Për të qenë në atë vend, sidomos për të qenë ndryshe nga të tjerët, ai e ka të domosdoshme që të mos harrojë se rruga e tij ishte e përpjetë deri tani, pikërisht sepse forca politike ishte në të ngjitur. PDK-ja, edhe më tej, do e vazhdojë ngjitjen, do e ndjejë mungesën e shefit të saj, por nuk do ndalojë të rritë ato përmasa që janë edhe karakteristikë e saj, sidomos devotshmërinë e anëtarëve të thjeshtë.
Disa ditë më parë, Thaçi, tani president, bëri një veprim politik të pamenduar nga askush. Ai dërgoi një kurorë lule në përkujtesën e ngritur për 14 të vrarë serbë. Megjithëse ende nuk dihet se kush qëndron pas vrasjes së tyre, të afërmit e tyre kanë shkruar se ata janë “Viktima të terrorit shqiptar”. Pikërisht në atë vend ai bëri nderimet si president.
Pak ditë pas çlirimit të Kosovës, si kryeministër i qeverisë së përkohshme Thaçi pati bërë një thirrje që serbët të mos largoheshin nga Kosova. Shumë vetë i u turrën ashpër. Nuk besoj se ai ka nostalgji për serbët. Në Kosovë nuk i ka sjellë ai, i ka gjetur aty dhe, edhe po të dojë, nuk mund t’i largojë. Atëherë duhet gjetur mënyra për të bashkëjetuar me to.
Vendosja e kurorës në një përkujtimore, ende e pasaktësuar se kush janë vrasësit, ndoshta mund të tingëllojë si shenjë emancipimi, por njëkohsisht edhe si shenjë shpërblimi për ata që i qëndruan besnikë.
Thaçi nuk ka nevojë për sjellje të tilla politike, megjithëse duken të mirëpritura. Dhe shpesh herë janë të mirëpritura. Të 14 të vrarët serbë nuk janë viktima të kohës së luftës, lufta nuk ka qenë pjesë e tyre.
A do të jetë president ndryshe Thaçi?
Mund të jetë, nëse në memorjen e tij , jo ngadalë, por shumë shpejt, hiqet e shkuara e shefit të qeverisë.
Mund të jetë, nëse tashmë, funksionin e tij si president, nuk e sheh si përmbyllje të aktivitetit të tij politik, por si një mundësi për të bërë atë që duan njerëzit në Kosovë, të krijojë përfytyrimin e një burrë shteti gjithëdimensional, i cili, aq sa është i afërt me pakicën serbe, aq duhet të jetë i gjidshem me opozitën e vendit të tij.
Mnd të jetë nëse e di se rruga e tij kalon nga njerëzit dhe jo njerëzit kalojnë mnga rruga e tij.
Hashim Thaçi, duam apo nuk duam, është një politikan i mençur, dhe nuk besoj se mençuria e tij do të kthehet në mburrje.
Nëse do të ndodhë kështu, i humburi do të jetë ai. Sepse do të thonë më pas, ai ishte i pesti apo i gjashti president. Është momenti që të mos jetë një numër në radhën presidenciale, por një saktësi politike.
Dhe përmes saj, aq sa mundet, të mund të çbëjë disa nga harresat e lëshimet e tij.

Per Hashimin president, qe deri ne fillim te viteve te nentedhjeta ishte nje lopcar nga Buroja, gjeja kryesore nuk do te jete progresi i shtetit te Kosoves por do te jete shpetimi nga Gjykata Speciale.
Kjo analize e thacit po me duket pak si elozhet qe i benin analistet e huaj e Shqipetare Berishes deri kur i doli zullumi ne siperfaqe keq fare. konkretisht ku humben ne kete analize korrupsioni i gjithekunshem, ku Thaci qendron mu ne maje? Ku humben pazaret politike te Thacit sa here i duhet te mbroje b.then e vet? Ku jane akuzat ndaj tij si kriminel lufte e paslufte? Keto e mbajne oeng zhvillim e Thacit ne cfaredo drejtimi dhe ne gjere te ardhmen e Kosoves.
Z. Bedriu di te perdore penen, por nuk duhet te harroje se edhe tge tjeret dine mjaft per Thacin.Kosoves kur i duhej stabiliteti Thaci ishte aty dhe mund te llogaritet si si pune meritore e tij. Te gjithe Presidenetet u zgjodhen disi jashte ligjit, syri i te fortit sic e thot z. Islami. Edhe Presideenti aktual, Hashim Thaci, bashke me Kryeministrin Mustafa, zgjidhet duke e shkelur me dy kembet Kushtetuten e Kosoves. Prap u zgjodh nga syri i te fortit e jo nga elektorati, edhe pse kishte me shume vota per te qene Kryeminister e jo President. Deri sa Serbia kerkon denimin e UCU-es dhe te “Gjarperit” ne vecanti, vete Thaci shkon e iu perkulet. Kjo paraqet fyerje per shqiptaret pavaresisht nga rrethanat. Kjo tregon se z. Thaci injoron veprimin e soldateskes paramilitare serbe gjate okupimit si dhe gjate luftes ne Kosove ku masakrohen familje te tera kosovare. Duhet te pjtohemi me serbet sepse i kemi fqinje por egzistojne rregulla per ceshtjen e pajtimit. Ne nuk duhet te lejojme barazimin e krimeve. Si te barazojme masakrimin e mbi 800 femijeve shqiptare me likuidimin e jo me shume se dhejetra spiuneve, te cilet i qiteshin prita UCK-se. Ose barazimin e 15000 shqiptareve te masakruar me vrasjen e qindra serbeve per te bcilet jam i bindur se nuk kane qene te pafajshem.
Kishte me qene padrejtesi totale nese Gjykata Specijale denon luftetaret shqiptare per likuidimin e spiuneve pasiqe spiunet jane pjese e luftes. Presidenti i Kosoves nuk duhet te sillet si i nenshtruar per kete ceshtje. Kokelarte duhet te jene dhe te mburret per luften qe ka bere per ceshtjen e Kosoves.
Shko more pukjan,u bane ti me analizue presidentet e Kosoves.Kot nuk thon o pukjan dorzoje lopen.kurr per te gjalle pasha Zoten.