I nderuar lexues! Kongresi i Lushnjës (1920) pati një rëndësi të veçantë në organizimin e kryengritjes së përgjithshme kundër pushtuesve të huaj. Kongresi mori vendime me rëndësi të madhe politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes për copëtimin e shtetit shqiptar dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë territoriale të vendit, për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Kongresi miratoi një akt kushtetues ku përcaktohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar, të shprehur nga organet e tij. Zgjodhi një Këshill të Lartë prej katër vetash, i cili do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një Këshill Kombëtar prej 37 vetash, që do të kryente funksionet e parlamentit. Kongresi i Lushnjës krijoi edhe një qeveri të re të kryesuar nga Sulejman Delvina.
