Çfarë solli Samiti i Mynihut mes Kurtit e Ramës….

Leda Hysa

 

Bedri Islami

A mund të transferohet zyra qendrore e Lëvizjes VV! në selinë kryeministrore, pra, a do të jetë e mundur që idetë, mendimet, përpjekjet e synimet e një lëvizje politike, e cila ishte fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, a do të mund që, në një periudhë të shkurtër, të jenë pjesë e programit politik, financiar, social dhe jetësor të shtetit të ri të Kosovës?

Kjo është më thelbësorja në të gjithë këtë periudhë, e cila, edhe pse është tejet e paktë, nga njëra anë për të gjykuar dhe, nga ana tjetër, për të bërë opozitën e mundshme,përsëri është lënë mënjanë nga analistë, media dhe funskionarë të ndryshëm.

Në të gjithë këto ditë të para të një qeverisje që sapo nisi, më shumë vend kanë zënë debatet rreth gjuhës së trupit dhe të turpit, të forcës që tregoi Kurti në Samitin e Mynihut dhe si ia mblodhi presidentit serb, entuziasmi naiv se pas kësaj gjithçka do të rrokulliset ndryshe dhe se,  më në fund perëndimi ka përballë vetes një lider që nuk e mundin dot, të pakorruptuar, pa hije në vitet e luftës së UÇK-së etj.

Samiti i Mynihut tregoi gjëra të tjera që janë më të rëndësishme se sa të gjitha këto sëbashku.

Së Pari, jo vetëm de jure, por edhe de fakto, Albin Kurti është kryeministri i ri i Kosovës dhe këtë detyrë e ka marrë shumë seriozisht. Si duket, troshitja e bisedimeve me rivalin politik të LDK-së kanë kaluar, ashtu si kanë kaluar edhe çastet e një luhatje mes të qenurit në qeveri apo edhe një sprovë e madhe politike, përmes rikthimit në zgjedhje.

Ai mundet edhe të gabojë apo të nxitohet në disa deklarata politike, sidomos kur e ndjen veten se ende nuk e kanë marrë seriozisht, por, e gjithë paraqitja e tij në Samitin e Mynihut solli këtë mesazh: ai është shefi i qeverisë së Kosovës dhe këtë, duan apo nuk duan, është mirë ta kuptojnë të gjithë. Edhe ata që janë në Prishtinë, edhe ata që janë në Tiranë, por edhe të tjerë, jashtë Prishtinës dhe Tiranës.

Nënshkrimi i një marrëveshje, e rëndësishme apo e pa rëndësishme qoftë, e nisur nga qeveria e shkuar, aq më tepër me një shef të dorëhequr, nuk duhej vënë në tryezën e nënshkrimit pa u informuar shefi i ri i qeverisë së Kosovës dhe institucionet e reja të këtij shteti.

Së dyti, në kaq shumë vite jetë plurale, shpesh herë, për t’ mos thënë gjithnjë, sipërina politike e shtetit shqiptar e ka parë veten në rolin e një tutori mbi politikën shqiptare të Kosovës. Ka qenë një paternalizëm i pështirë, korocatën e të cilit e hoqi në fillimet e qeverisjes së tij Edi Rama, por që synoi ta mbështjellë përsëri.

Edhe vetë politika shqiptare në Kosovë e pranoi këtë tutelë dhe e bëri si një shpatë në politikën e saj. Kaq ishin trullosës pas kësaj dalldie tutoriale, sa që, edhe diçka që vërehej lehtësisht, si ftohja akullnajore e Berishës me Rugovën, nuk vihej re, por vazhdon ekzaltimi politik e medial.

Tani, kjo ishte e qartë edhe në Samitin e Mynihut, paternalizmi ka fundin e tij. Për fat të keq është shkuar edhe përtej saj: në një ftohje politike mes dy shteteve me kombësi të njëjtë dhe nga dy liderë që, në kohë të ndryshme, janë shprehur pro bashkimit të kombit.

Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e tronditur kjo përbashkësi, sa që vetëm ekzaltimi i filojugosllavëve në Prishtinë, më shumë dhe, në Tiranë, më pak, do të ishte më se e mjaftueshme, për të vërejtur se sa e hidhur është kjo fillesë.

Kjo ndasi ka kohë që është shfaqur dhe tani është më e dukshme, jo se janë ndërruar qeverisjet në njërin shtet dhe në shtetin tjetër kanë hallet e tyre, por sepse edhe rradhitja e shefave të tashëm të qeverive kanë q           enë diametrialisht të ndryshme e shpesh herë të kundërta.

Ndërsa edi Rama ishte rrjeshtuar në krahun politik të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kundërshtari i Thaçit në Kosovë, lideri i Lëvizjes VV!, Kurti, bëri rrjeshtimin e tij krahas forcave që ishin kundër qeverisjes së Rilindjes.

Kurti shkoi edhe më tej, duke ndjellur dhe shpallur „pranverën shqiptare“, një analogji pa vend me pranverën arabe, e cila, sipas Kurtit dhe dishepujve të tij në Tranë, do të përmbyste një qeveri, e cila ishte zgjedhur normalisht, ishte e ligjëshme, pavarësisht qeverisjes së prapshtë.

Tani marëdhëniet mes dy shteteve futen në një mjedis të ri politik: barazinë mes tyre dhe krijimit të një raporti të ri politik, ku secili është i barazvlefshëm dhe drejtues në vendin e tij.

Ndoshta kjo edhe duhej pritur, kur, për më tepër, të dy liderët kanë egon e tyre politike, rrugëtimin e tyre politik dhe përzgjedhjet e tyre.

Dallimet mes makro-shengenit shqiptar dhe mini – shengenit ballkanik, më tepër se përzgjedhje të ndryshme politike, janë mendësi të ndryshme, të cilat do e kenë rrugën e gjatë drejt zgjidhjes së një mesore të mundshme.

Së treti – Albini Kurti është në fillimin e provës së tij si njeri i pushtetit , ndryshe nga sa ishte deri tani, njeri i antipushtetit. Në 20 vitet e pasluftës në Kosovë Kurti ka qenë e mbetet opozitari më i përshfaqur, më i ashpër, solid dhe nganjëherë në teprimin e veprimeve të tij, i pa qenë në pushtetin qendror, elokuent në opozitarizmin e tij, që nganjëherë tejkalonte edhe përdallimin mes njeriut që do të bëhej burrë shteti dhe opozitarit që kishte vendosur të rrëzonte binan e madhe të pushtetit.

Mes pushtetit, si drejtues dhe antipushtetit, si krijues i një fronti opozitar, qëndrojnë ndasi të mëdha, të cilat nuk duan të ia dinë për 100 ditët e parat ë qeverisjes Kurti. Më shumë se sa mënyrë pune, ata janë koncept. Më tej se sa ide, janë vizion. Më tepër se sa përcaktim, janë detyrim i tashëm, ku nuk pyetet për deklaratat politike të Kurtit, as për zemërimin dhe mërzitjen e Edi Ramës, as për pëlqimet politike të kryeministrit të Kosovës në shtetin amë,dhe, as për rishikimin e gjithë historisë 20 vjeçare nga e para.

Kurti mori anën e tij të gabuar politike, kur u rrjeshtua në ballinën e atyre që , duke qenë opozitë e pafuqishme në Tiranë, i rrahën shpatullat atij për të fituar përmes një figure politike që ende kishte ndjesinë e njeriut idealist.

Hesapet e Tiranës nuk zgjidhen në Tiranë, por as hesapet e Tiranës nuk paguhen në Prishtinë. Më shpejt se gjithë të tjerët këtë do e kuptojë shefi i ri i qeverisë së Kosovës dhe, jam i bindur se, telashet në shtetin që do të drejtojë, do të jenë aq të shumta e aq hallemëdha, sa që mëritë politike të Tiranës do i duken të largëta e, jo rradhë herë, të huaja.

Së katërti : për Albin Kurtin tani është koha e provës. Ecja patriotike vjen e mbaron një ditë. Tani fillon qeverisja dhe në Samitin e Mynihut, jo rastësisht, Kurti mori e dha mësimin e parë se ka filluar të qeverisë Kosovën.

Qeverisja e Kosovës është puna më e vështirë që ka ai përpara vetes. Së shpejti para tij do të shtrohen pyetjet më të vështira, të cilat kanë të bëjnë me vetë jetën në Kosovë, raportet mes tij dhe shefit të presidencës, i cili, ndoshta si askush tjetër, gëzon besimin e ndërkombëtarëve, qëndrimi ndaj Zajednivcës, një profil i rrezikshëm politik dhe administrativ serb, ndaj të cilit ai ka qenë gjithnjë kundër, por që bashkë aleati i tij, Mustafa e ka nënshkruar; raportet dhe bisedimet e pritura me shtetin serb, të zhdukurit dhe pakicat serbe në Kosovë, raportet e qeverisë së Kosovës me SHBA dhe BE, por edhe me strukturat e tyre në Kosovë, e mbi të gjitha, ekonomia e Kosovës.

Për Kurtin dhe qeverinë e tij tani fillon puna, e cila nuk matet as me thirrjet “urra” të Berat Buzhalës, as me deklarimet e vonuara patriotike të filojugos Veton Surroi, as me çjerrjet patetike të një grupi analistësh, të njohur si kundërshtar të shefit të qeverisë shqiptare, Edi Rama, e as me rrahjen e shpatullave nga opozita në Shqipëri, as nga mërzitja e Edi Ramës, dhe, në fund të fundit, as me gurët që do i hedhin në rrugëtimin e tij si kryeqeveritar i Kosovës.

Shumë gjëra nga ato që i ka pasur për zemër dikur, nuk do i ketë më; shumë thirrje patetike të mbështetësve të tij nuk do të kenë më vend, deliri i ditëve të para do i lëshojë vendin halleve konkrete.

Të gjithë do të gëzoheshin nëse punët do i venin mbarë.

E çuditshme është, e ndoshta aspak e çuditshme, që mbështetësit më të mëdhenj të sotëm të një lideri majtist janë të djathtët në Kosovë, filojugosllavët, e djathta shqiptare, analistë që ishin kundër luftës çlirimtare….e jo pak herë edhe kundër qëndrimeve të tij.

Nëse ata e shohin Albin Kurtin si një kalë beteje, jam i bindur se shpejt ata do të bien, dhe do i kthehen pikërisht këtë që e lartojnë tani.

Mos u çudit, ky është zanati i tyre, Albin!

 

Share This Article
4 Comments
  • Bedriu na ka paraqitur,nje supe turli,por si zakonisht qe duke u ngaterruae edhe me mendimet e veta,mund ta quajme me sakt,nje Corbe derrash.

  • Bedri, e paske gozhden me bisedimet e Kurtit me Berishen vjet. Po ngadale, se dikush qe nenshkruan MiniShengenin serb ti e shpallje patriotin me te madh.
    Dikur Kurti u shpreh qe nuk eshte aq patriot sa duket, dhe Thaci mesynte me yshtjen e Ramutit te shkembente territore ne Kosove.
    A nuk ishte kjo situata vjet?

  • BEDRIU KA BERE NJE ANALIZE SHUME TE SAKTE TE POLITIKES DHE SFIDAVE QE E PRESIN ALBIN KURTIN DHE QEVERINE E TIJ
    LARAMANE !

    Uroj qe Albin Kurti ta lexoje me vemendje dhe te dale me sfidoje sfidat qe ka perballe!
    Yes. He can!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *