Karlo Ançeloti ka qenë i ftuar i veçantë i kryeministrit Edi Rama në një promovim të veçantë të librit të tij, “Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches” (Lidershipi i qetë: Të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet).
I pyetur nga gazetarët e pranishëm në sallë gjatë promovimit të tij në Tiranë, Karlo Ançeloti foli edhe për kombëtaren shqiptare.
“Për këtë duhet të mendojë Xhani. Mendoj se hovi që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit është falë punës së Xhanit. Distanca mes skuadrave është ulur shumë, ka bërë një Europian shumë të mirë. Mendoj se çdo skuadër ka objektivin e vet, që lidhet me cilësinë e lojtarëve që keni në dispozicion. Unë mendoj se një skuadër e vogël klubi nuk mund të fitojë Champions, por mundet të bëjë futboll të mirë, zbavitës. Kjo mund të arrihet në çdo skuadër, edhe kjo është një fitore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, De Biazi vlerësoi Ançelotin për atë që i kishte dhënë futbollit botëror. “Unë kam vlerësuar gjithmonë Karlon për aftësinë për të bërë gjëra të mëdha. Pa i rënduar të tjerët, mendoj se kjo është cilësia më e madhe. Ka pasur një mjeshtër të madh, Sakin, por pastaj karakteri bëri që ta çonte përpara lidershipin në mënyrë të qetë. Saki ishte ndryshe, ndërsa ti ke më shumë marrëdhënie me lojtarët dhe mendoj se është empatia që krijohet brenda grupit, krijon gjëra të rëndësishme. Kjo është madhështia e Karlos, si njeri dhe trajner, pas punës së tij është mënyra e tij të menduarit. Me këtë mendësi ka arritur aty lart, ka shëtitur të gjithë Europën dhe ky është vlerësimi më i madh për një kompetent si Karlo. Urime për karrierën dhe për këtë sezon”, u shpreh trajneri i kuqezinjëve.
“I kemi bërë ca ndeshje kundër, e kemi studiuar njëri-tjetrin”, ishte përgjigja e Ançelotit. “E pashë mirë Shqipërinë, shumë mirë në grup, por sidomos në kualifikuese. Po flisnim pak ditë më parë në mbledhjen e trajnerëve në UEFA se gjëja e bukur e këtij Europiani ishin të vegjlit si Shqipëria. Sollën në Europë një entuziazëm të madh dhe kjo është bukuria e futbollit. Në UEFA ka bërë përshtypje që fitoi Portugalia. Për ju, më vjen keq, pasi nëse barazonit ndeshjen e parë, do kalonit grupin”, tha ai.
