Champions, Ançeloti i kërkon “borxhin” Alonson

redaktor

Karlo Ançeloti ka gjetur një “armik” te Reali dhe ai është mesfushori Ksavi Alonso. Ky i fundit ka zbuluar për shtypin spanjoll një batutë të italianit që në momentin e prezantimit në klubin madrilen. “Pas ardhjes së Karlo Ançelotit në skuadrën tonë, fjalët e para që më tha kur u takuam ishin: “Ti më ke borxh një trofe të Champions League”, rrëfen Alonso. Fjalët që i ka thënë trajneri lojtarit i referohen vitit 2005, kur të dy ishin përballë si kundërshtarë në finalen e madhe të Stambollit, mbyllur me fitoren e pabesueshme të Liverpulit. Ançeloti drejtonte Milanin, ndërsa Alonso ishte mesfushor i Liverpulit që përmbysi humbjen 0-3, për të fituar trofeun nga gjuajtjet e penalltive. Pikërisht këtë trofe i kërkon tani trajneri futbollistit dhe të dy do të përpiqen ta fitojnë për të njëjtat ngjyra, duke realizuar ëndrrën që është kthyer në fiksim, për triumfin e dhjetë. Më tej, Alonso e ka vlerësuar së tepërmi punën e bërë nga trajneri italian, i cili ka fituar menjëherë respektin e lojtarëve edhe për sa i përket anës njerëzore të tij, në komunikimin me ta.

Ndërkaq, partneri i Alonsos në mesfushën e Realit, Sami Khedira, ka bërë të ditur përmes menaxherit të tij se nuk ka ndërmend të largohet nga Madridi. Në një intervistë për “Bild”, Jorg Nojbauer tha se klienti i tij nuk largohet nga Reali, edhe pse flitet shumë për interesim nga Paris SG, pasi Khedira nuk ndihet i sigurt për formacionin. “Ai do të vazhdojë të luajë te Reali. Nuk e di nga dalin lajme të tilla, të cilat e bezdisin”. Ndërkaq, gazeta “Marca” shkruante se Ançeloti nuk e ka ndarë mendjen vetëm për dy pozicione në formacionin e tij titullar dhe mesfushori i Gjermanisë duket si startues i sigurt.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *