Champions League, akti i dytë i sfidave play-off

redaktor

Skuadrat e përfshira në fazën e play off-it në Champions League iu rikthehen ndeshjeve të kthimit. Të mërkurën e kaluar pesë çiftet e dyta prodhuan vetëm 8 gola gjithsej. Në ndeshjet e para u regjistruan tre barazime identike 1-1 dhe dy fitore të skuadrave udhëtuese, por ky trend vështirë se do të vazhdojë. Takimet e ditës së martë pritet të ofrojnë shumë më tepër gola, duke filluar madje që nga takimi më intrigues Porto–Lille. Me eksperiencën që ka Porto e di më së miri se në Champions League faktori fushë influencon fare pak. Përballë tyre qëndron një ekip si Lille që në të kaluarën nuk ka dështuar kurrë për të kaluar këtë fazë. Një tjetër ndeshje interesante është ajo që do të luhet në Glasgow ndërmjet Celtic-ut dhe Mariborit. Klubi skocez që është njëherësh edhe klubi i parë britanik që ka fituar Kupën e Kampioneve rrëmbeu një barazim të çmuar 1-1 në Slloveni.

Asgjë nuk mund të konsiderohet e përfunduar në sfidën Bate Borisov–Slovan Bratislava, pasi skuadrat bjelloruse nuk kanë fituar kurrë në 9 përballjet ndaj klubeve nga Sllovakia. Ekipi i Aleksandr Yermakovich që eliminoi Skënderbeun në turet e mëparshme përveç barazimit 1-1 të ndeshjes së parë ka në favor eksperiencën pasi është kualifikuar tre herë për në fazën e grupeve, ndërkaq ekipi nga Bratislava kërkon të bëhet i pari ekip sllovak që shkon në një fazë të tillë pas Zilina-s në sezonin 2010-11. Çerekfinalistët e sezonit 2011-12 presin në Nicosia skuadrën më të dobët në klasifikimin e përgjithshëm të UEFA-s përsa i përket klubeve, Aalborg. Takimi i parë u mbyll në barazim 1-1, megjithatë favorit konsiderohet klubi qipriot Apoel. I vetmi takim që do të luhet në një orar të ndryshëm nga ai i zakonshmi 20:45 është Zenit–Standard i Liezhit. Në orën 18:00, në stadiumin Petrovskij ekipi i drejtuar nga Andre Villas–Boas do të bëjë çmos për të ruajtur ecurinë tepër pozitive të tre javëve të fundit, ku klubi rus numëron 7 fitore në të gjithë kompeticionet, duke pësuar vetëm 2 gola gjithsej.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *