Muzika e Champions League këtë vit do të jetë më e ëmbël dhe për shqiptarët, që për herë të parë që nga 2001, kur Besnik Hasi luante me Anderlechtin në fazën e 1/8, do të përfaqësohen me futbollistë në këtë raund të kompeticion prestigjioz.
Shkëlzen Gashi, Arlind Ajeti dhe Taulant Xhaka, janë tre futbollistët e kombëtares sonë që do të prekin tapetin e gjelbër të futbollit europian për të dëgjuar jehonën e simfonisë së Champions League.
Në “Oporto” tre shqiptarë do të hynë në histori, si të parët, që të tre së bashku do të luajnë në një fazë me eliminim direkt. Në vitin 2001, Hasi dhe për efekt të formatit, me Anderlechtin e tij luante në fazën e 16 më të mirave, por asokohe kompeticioni konsistonte në një fazë të dytë grupesh, që e privoi trajnerin aktual të ekipit belg të luante në ndeshjet me eliminim direkt.
Hasi ishte shumë pranë kalimit në 1/8 dhe këtë edicion vetëm se këtë herë nga stoli, megjithatë stafetën e shqiptarëve në magjinë e futbollit kontinental do ta vazhdojnë tre të besuarit e De Biasit: Xhaka, Gashi dhe Ajeti.
Dy të parët me siguri do të jenë në fushë në Portugali, ndërsa i treti mund të aktivizohet nga stoli, megjithatë në ndryshim nga vitet e mëparshëm, ne shqiptarët kemi një arsye shumë më të fortë për të bërë tifo për një skuadër në veçanti në Champions League, Bazelin, që dashje pa dashje, ka shumë ngjyra kuqezi brenda.
