Champions, shorti prodhon përplasje emocionuese

redaktor

Shorti i çerekfinaleve të Champions League ka ofruar disa përballje vërtet interesante, ashtu siç edhe pritej, pasi tashmë kanë mbetur tetë skuadrat më të forta të kontinentit, edhe pse jo të gjitha konsiderohen njësoj favorite. Me tri skuadra spanjolle në short ishte shumë i mundshëm një derbi iberik dhe ashtu ka ndodhur, madje që në çiftin e parë, ku përballë do të jenë Barcelona dhe Atletiko Madrid. Nuk janë ndeshur ndonjëherë më parë jashtë kompeticioneve spanjolle dhe katalanasit, një superfuqi evropiane, janë pa dyshim favoritë, por në tri përballjet e këtij sezoni në Spanjë ka pasur vetëm barazime. Dy përballje të tjera janë emocionuese në letër, por në fakt ka diferenca midis atyre çka skuadrat po shfaqin aktualisht në fushë. Manchester United kundër Bajernit të Munihut vë përballë dy nga peshat e rënda të kontinentit, por për momentin skuadra angleze po kalon krizë rezultatesh, aq sa ishte kundërshtari i dëshiruar në short për të tjerët, edhe pse askush nuk e thoshte me zë të lartë. Euforia e krijuar pas fitores me Olimpiakosin u shua menjëherë në kampin e David Moyes, për shkak të shortit që i vë kundër kampionëve në fuqi dhe favoritëve të mëdhenj për të fituar trofeun. Gjermanët nga ana e tyre janë shprehur të kujdesshëm, duke mos i zënë besë formës së dobët të United, i cili ka lojtarë të mëdhenj. Megjithatë, nëse do të shfaqen të njëjtat dobësi si me grekët, të cilët nuk ishin në gjendje të konvertonin rastet, kualifikimi duket thuajse i pamundur për “Djajtë e kuq”, aq më tepër që do të mungojë Robin van Persi, heroi i kualifikimit. Takimi i fundit midis tyre ishte katër vjet më parë, kur Bajerni shkonte drejt finales pasi i eliminoi në çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-4. Real Madrid nuk mund të ëndërronte rast më të mirë për t’u hakmarrë nga Borusia Dortmund për eliminimin e vjetshëm në gjysmëfinale. Shorti i vë përballë një fazë më herët, në momentin më të keq për gjermanët. Mungesat e shumta të këtij sezoni janë shtuar. Të fundit janë Shmelcer, i dëmtuar në ndeshjen me Zenitin, dhe Levandovski, pas kartonit të verdhë. Ky i fundit ishte ekzekutuesi i Realit vjet, me katër gola të shënuar në Dortmund. Kuadri i çerekfinaleve plotësohet me një çift që ndoshta nuk ka histori të madhe, por me dy skuadra plot ambicie, Paris SG e Chelsea. Janë takuar një herë në 2004, kur janë kualifikuar anglezët, por ky tani është një tjetër Paris. Përsëri një takim miqsh, Murinjo dhe Ibrahimoviç, me suedezin që në autobiografinë e tij ka shkruar se do të ishte gati të vdiste për trajnerin portugez.

 

Reagimet pas shortit

Barcelona – Atletico Madrid (1-9 prill)

Viktor Valdes: “Atletiko na ka hapur gjithmonë probleme. Përballë tyre do të jetë shumë e vështirë për ne. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë në shtëpinë tonë dhe për më tepër nuk duhet të pësojmë gol. Me Simeonen në krye, Atletiko është kthyer në një skuadër që ushtron shumë presion”.

Gabi: “Barcelona është kundërshtari më i fortë. E kanë treguar gjatë këtyre viteve, por edhe ne i kemi shanset tona. Janë favoritë, por ne do të luftojmë për t’u kualifikuar. Nuk do të ndryshojmë stilin e lojës dhe do të luajmë për jetë a vdekje në “Camp Nou”. Na pret një punë e madhe”.

Manchester United – Bayern (1-9 prill)

David Moyes: “Pasi humbëm 2-0 me Olimpiakosin, shumë njerëz nuk besonin se ne do të shkonim në çerekfinale, kështu që, në një farë mënyre, nuk ka rëndësi se me kë do të ndeshemi aty. Por duhet të them se kemi përballë favoritët dhe kampionët në fuqi të kompeticionit, kështu që është shor shumë i vështirë, të cilin e pres me padurim”.

Filip Lahm: “Short fantastik. Ne nuk mund të verbohemi nga pozicioni që Manchester United ka aktualisht në Premier League. Do të shkojmë atje me synimin për të sulmuar dhe për të shënuar gola. Nuk ka rëndësi se ku luhet ndeshja e parë. Vitin e kaluar luajtëm disa herë brenda ndeshjen e parë dhe prapë arritëm ta fitonim trofeun. Më e rëndësishmja është të shënojmë në takimin e parë”.

Real Madrid – Borussia Dortmund (2-8 prill)

Karlo Ançeloti: “Do të jetë një sfidë e hapur dhe për t’u kualifikuar duhet kurajë e personalitet. Borusia është jashtë garës për titull në Bundesligë, ndaj në Champions do të jetë shumë e motivuar. Ka fituar shumë përvojë nga viti i kaluar kur doli në finale”.

Jurgen Klop: “Është një short pozitiv. Ashtu siç ka ndodhur edhe sezonin e shkuar, ne përballemi sërish me ta. Do të jenë dy përballje spektakolare, me atmosferë të ndezur. Do të përpiqemi të shfrytëzojmë çdo mundësi që kemi për t’u kualifikuar. Fakti që ndeshjen e parë e luajmë në Madrid mund të jetë një avantazh për ne”.

Paris SG – Chelsea (2-8 prill)

Laurent Blank: “Chelsea është skuadër që e njohim, pasi e ndjekim shpesh Premier League. E dinim që do të kishim një kundërshtar të madh dhe ja ku është: Chelsea. Do të përgatitemi më së miri. Chelsea ka avantazhin që luan brenda ndeshjen e kthimit, ndaj duhet ta bëjmë diferencën që në ndeshjen e parë”.

Ron Gourlay: “Ndeshje e madhe. Ne kemi skuadër të fortë, por po ashtu edhe Paris SG. Kur Murinjo erdhi te ne më 2004, ndeshjen e parë në Champions e luajti pikërisht kundër Parisit. E fituam atë ndeshje dhe shpresojmë të jetë ogur i mirë e të bëjmë të njëjtën gjë edhe këtë herë. Por do të jetë më e vështirë, sepse janë një skuadër shumë, shumë e fortë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *