Po, është e vërtetë. Trajneri Arjan Peço, që drejton ekipin U-19 të Basel, ka triumfuar sot 2-1 ndaj Manchester United U-19. Një sukses jo i vogël, ku në radhët e ekipit kampion zviceran janë edhe 6 futbollistë shqiptarë që aktivizohen. Me fitoren e sotme, Basel mban vendin e parë në grup me 10 pikë dhe është shumë pranë kalimit në fazën tjetër, ku fitorja me Benfica-n në ndeshjen e fundit në transfertë do ta konfirmonte kokë grupi.
Ndeshja e sotme ka nisur keq për Basel, teksa Atdhe Rashiti dëmtohet dhe trajneri Peço detyrohet të kryejë një zëvendësim. Pjesa e parë ka përfunduar në barazim pa gola. Në të dytën, shqiptari tjetër Ylber Lokaj ka dhënë një asist për Pululu dhe Basel ka kaluar në avantazh. Kaiser shënon golin e dytë me penallti. Manchester United ngushton në 2-1 në minutën e 70-të, por vendasit e drejtuar nga Arjan Peço arrin të mbajnë fitoren. Ish-mesfushori i Dinamos dhe i Partizanit, Arjan Peço, që ka luajtur edhe 13 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, drejton këtë sezon edhe ekipin U-21 të Basel, duke afruar pranë ekipit të parë jo pak talente.
