Princi britanik, Charles, tha të shtunën se i është thyer zemra nga rrëfimet e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa bëri thirrje për ngritjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe besimeve.
Princi Charles dhe Dukesha e Cornwall, Camilla, zhvilluan një takim emocional me një grup familjarësh të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ata vunë buqeta lulesh në përmendoren kushtuar të zhdukurve në Prishtinë dhe u përqafuan me pjesëtaret e organizatës Thirrjet e Nënave, të cilat kërkuan nga çifti mbretëror të ushtrojnë ndikimin e tyre për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Presidentja e Kosovës, dekoroi princin Charles me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e tij jetësor në përkrahje të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popullit të Kosovës dhe më gjerë. Princi i cili pasdite shkoi në Prizren për të marrë pjesë në një konferencë ndërfetare, takoi përfaqësuesit e tri besimeve në Kosovë, bëri thirrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Më vjen shumë mirë që pata mundësinë të vizitojë xhaminë, kishën ortodokse dhe katedralen katolike. Ajo çfarë kam dëgjuar sot këtu dhe në Prishtinë, në disa raste më ka thyer zemrën. Dëgjova disa familje që kanë humbur njerëzit e tyre të cilët llogariten si të zhdukur. Më pyeten nëse mund t’u ndihmoja dhe unë do të doja t’u ndihmoja.
Më duket se në botë ka shumë humbje të panevojshme të jetëve dhe të shkatërrimeve dhe këtë po e shohim edhe në Lindjen e Mesme. Kjo është e pakuptimtë dhe kjo na thyen zemrat“, tha mes të tjerash Princi Charles.
