Në pamje të parë të jep përshtypjen e një vajze rebele, dhe këtë ide e shton edhe më shumë kur sheh flokët e saj stil xhamajkan. Një gjë është e sigurt, që ajo nuk është si shumë bashkëmoshatare të këtij metropoli ku jeton. Kjo, jo për shkak të flokëve, por për mënyrën se si e bën jetën. Të krijosh një punë tënden dhe të përpiqesh që këtë gjë ta kthesh në markë, nuk është e thjeshtë dhe kur këtë e bën një studente, nisma duhet vlerësuar. Deri më tani kemi parë vajza të cilat, ekspozojnë në rrjetet sociale veshjet e tyre të luksit, që i blejnë në dyqanet më të shtrenjta të modës, ndërsa personazhi me të cilin kemi folur sot, nuk e bën një gjë të tillë. Ajo është Keti Gjipali, 23-vjeçe, studente për Administrim Biznesi në Universitetin e Tiranës.
Mund të duket e rrallë të flasësh sot për një vajzë që kohën e lirë e kalon duke thurur në grep, duke qëndisur, duke bërë punime dore, si ato të gjysheve, por ja që Keti është një prej tyre. Dhoma e saj është e mbushur me fije shumëngjyrëshe, me rruaza, me forma nga më të ndryshmet të punuara nga duart e saj. Nuk e mohon dot që frymëzim për shumë prej punimeve që ka realizuar deri më tani ka qenë gjyshja dhe mami. Ndihet krenare që ka trashëguar shumë nga intuita dhe shkathtësia e tyre në realizimin e punëve të dorës që për shumëkënd mund të duken jashtë mode.
Sot, tek brezat e rinj konsiderohet si shumë e vjetruar zejtaria. Kjo e bën të vështirë punën e brezave për të përcjellë aftësinë e tyre tek të afërmit dhe tek pinjollët. Kur Keti ka nisur të bëjë thurjet e para në grep nuk e kishte menduar që do të arrinte të ecte kaq shumë në forma e modele. Me shtimin e punëve është përmirësuar edhe 23-vjeçarja. Sot ajo ka krijuar një blog të vetin, ku tregon punët e bëra, por ka në plan ta zgjerojë edhe më shumë këtë aftësi. Ajo shumë shpejt tregon se do të realizojë edhe një sfilatë, ku do të ekspozojë, një e nga një, të gjitha punët që ka realizuar me duart e saj deri më tani. Në këtë bisedë për Dita-n, Keti tregon më shumë për veten dhe këtë pasion…

Keti, si një vajzë e re që merresh me punime dore, a nuk ndihesh pak jashtë mode?
Përkundrazi, tashmë të gjithë stilistët e mëdhenj po i kthejnë sytë nga tradita dhe motivet folklorike të veshjeve, duke i sjell në versionin modern në ditët e sotme. Bukuria e detajeve të veshjeve tradicionale është famëmadhe, sidomos tradita jonë që mund të kategorizohet Haute Couture me qëndismat e imta dhe perfekte. Në njëfarë mënyre këtë gjë përpiqem të bëj dhe unë. Të gjitha teknikat e vjetra, por dhe të reja të thurjes dhe të qëndisjes i përdor për të krijuar modele moderne dhe të veçanta. Patjetër që nuk qëndrojnë në nivelin e stilisteve të mëdhenj, pasi unë vetë kam dëshiruar që artikujt e mi të jenë të përshtatshëm për t’u veshur gjatë ditëve të zakonshme dhe jo vetëm me raste festash.
Kur ke filluar të bësh këto punime dhe më pas ta shohësh këtë gjë si një punë për veten?
Unë punën e dorës e kam filluar rregullisht, nëse mund të them në moshën 13-vjeçe, por momenti kur e kam konsideruar vërtet si një mundësi e bukur për të ardhmen time ka qenë vetëm 5 vjet më pas, kur fillova shkollën e lartë. Në këtë periudhë mora pjesë në disa konkurse të ndryshme me idenë e një biznesi me produkte artizanale moderne dhe kur pashë suksesin dhe reagimet e njerëzve ndaj kësaj ideje, mendova seriozisht që të filloja diçka më të madhe, përtej vetes sime.
Sa kohë të merr kjo punë?
Unë më shumë se sa punë do ta konsideroja moment relaksi. Nuk mund të them një kohë të caktuar, pasi puna ime kërkon frymëzim dhe ka ditë të tëra që mund të rri duke krijuar, ka dhe ditë të tjera që thjesht nuk shkon. Megjithatë tani që unë po themeloj një biznes social nën emrin “Dallo nga Keti”, koha që po i dedikoj këtij hobi është më e madhe, por kjo kohë shkon më shumë për administrimin e punëve se sa për krijimtarinë.
Je një vajzë që nuk studion për modë, si ka mundësi që je fokusuar në punimet e dorës?
Unë kam mbaruar për Administrim Biznesi në Universitetin e Tiranës dhe tani vazhdoj Masterin Shkencor për Marketing po në këtë universitet. Në moshën e adoleshencës kisha vënë re aftësinë e koordinimit dhe të menaxhimit tek vetja, po ashtu dëshiroja të aktivizohesha dhe t’ia dedikoja kohën time gjërave të ndryshme. Administrimi ishte e vetmja degë që më vinte përshtat dhe e dija që do të më ndihmonte që unë të realizoja të gjitha dëshirat e mia, pavarësisht fushave të ndryshme.
Ku i gjen materialet dhe nga frymëzohesh për të krijuar një produkt që është unik?
Muza dhe materialet janë kudo. Unë në momentin që shoh një fije të re apo një copë, menjëherë më vjen në mendje modeli që mund t’i përshtatej, patjetër ky model jo gjithnjë është i bukur në fund, por edhe gjerat që nuk shkojnë siç duhet janë në vetvete objekt frymëzimi duke të dërguar në një tjetër ide fantastike.
Bën punë vetëm me porosi dhe vetëm për femra?
Puna ime nuk është vetëm me porosi. Aktualisht unë po bashkëpunoj me disa gra artizane tek të cila porosis modelet e mia dhe një pjesë tjetër të artikujve i punoj vetëm. Produktet janë të shpërndara në dyqane të ndryshme aksesorësh dhe veshjesh në qytetin e Tiranës, janë gjithashtu të gatshme për t’u blerë edhe online (getNoticedbyKeti në etsy.com). Patjetër që nëse vajza apo gra të ndryshme dëshirojnë të bëjnë porosi të personalizuara, jam e hapur për to, ne do të bëjmë çmos që të arrijmë pritshmëritë e tyre për produktin e porositur. Për momentin nuk kemi artikuj për djem, por shumë shpejt do të krijoj një linjë edhe për ta.
Cili është punimi që është pëlqyer më shumë nga klientët e tu?
Punimi më i pëlqyer deri tani është një shall i mbyllur që rrotullohet dy herë rreth qafës. Ky model shalli ka dalë shumë në modë këtë vit dhe e kam parë të zbukuroj qafën e shumë vajzave, por ajo që dallon shallet e krijuara nga unë, është punimi i dorës.
Po ti ke ndonjë punim përzemër?
Nuk kam ndonjë punim përzemër në veçanti, nëna nuk bën dallime midis fëmijëve (qesh). Për mua janë të gjitha të veçanta dhe të bukura.
Produktet e tua kanë edhe një shënim ku thuhet “niveli ekologjik”, çdo të thotë kjo?
Niveli ekologjik është një sistem matjeje që unë kam zhvilluar për të treguar gjurmën ekologjike që kanë produktet që unë krijoj. Duke qene se synimi i Dallo është të shkoje drejt produkteve 100% ekologjike, hapi i parë në këtë drejtim është ky sistem. Niveli Ekologjik 1 është ai më i ulëti dhe që ka më shumë impakt negativ në natyrë, materialet e tij nuk janë ekologjike, por për krijimin e tyre nuk është harxhuar energji elektrike. Pikërisht kursimi i energjisë elektrike i jep një nivel ekologjik produktit edhe pse shumë i ulet. Produktet e nivelit 7 janë 100% me materiale ekologjike, ndërsa nivelet e ndërmjetme janë me materiale të përziera.


Bravo, Bravo, Bravo!!!
Tre bravo nga “info analitike” dhe tre nga unë ju bëhen gjashtë. Ndajini barabar tre për Entelën dhe tre për Gjipalin. Ta dini që i kemi “eco bravo”! Tung!
VAJZE PER SE MBARI!
Po ju bashkohem dhe unë infos dhe pëllumbit. Po ju jap katër “bravo” qê t’ju bien pesë njërës dhe pesë tjetrës. Hajt t’i gëzoni se i ka megjithë shpirt xha Selmani.
Te lumte, vajze e zgjuar dhe e talentuar!