Cicërimat e bilbilave të vegjël

redaktor

Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Shkodër para pak ditësh përfundoi me sukses edicioni i 21-të i Festivalit për Fëmijë “Bilbilat” 2016, organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në Shkodër, Drejtoria arsimore dhe mbështetur nga Bashkia.

Interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Për të ndjekur këta fëmijë të talentuar për tre netë me radhë, salla e Qendrës Kulturore e Fëmijëve ishte e tejmbushur me prindër, mësues, bashkëmoshatarë të fëmijëve këngëtarë, njerëz të shquar të artit dhe muzikës, si dhe drejtues të pushtetit vendor.

Fëmijër janë të moshave të ndryshme, që nga cikli i ulët, deri në atë të lartë të shkollave 9-vjeçare dhe vijnë jo vetëm nga qyteti, por edhe nga shkollat e fshatrave për rreth Shkodrës. Përzgjedhja e tyre për të ardhur në netët finale është një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë.

Në historikun e këti evenimenti tani më një traditë rreth 20-vjeçare, vlen të përmenden këta këngëtarë që kanë dalë nga “Bilbilat” që në Shkodër këndojnë: Rudiana Rasha, Rovena Ibrahimi, Blerta Cina, Klodiana Brahimi, Rosela Gjylbegu, Barbana Dini, Dorina Garuci, Ilsi Ademi, Savjana Vjerdha, Ergi Dini, Arilena Ara, Jozefina Simoni, etj.

Vlera të veçanta i jep këtij aktiviteti kaq të bukur e të rëndësishëm edhe përzgjedhja profesionale e jurisë, në mënyrë që në përfundim të tij të shpallen fitues fëmijët më të talentuar, pavarësisht se në këtë edicion, të gjithë fëmijët e ndjejnë veten si bilbila që këndojnë. Për këtë, ky festival ka dy juri, të cilat i vlerësojnë këngëtarët të ndara nga njëra-tjetra, njëra e përbërë nga specialistë më të mirë të kësaj fushe dhe tjetra me mësues muzike të shkollave.

Ky aktivitet në historinë e tij ka bërë dy shërbime shumë të rëndësishme për qytetin e Shkodrës e më gjërë. Ka zbuluar, evidentuar dhe përgatitur këngëtarë shumë të mirë, të cilët kanë konkuruar me shumë sukses në veprimtaritë kombëtare e më gjërë, e gjithashtu ka bërë një shërbim shumë të vlefshëm në shpërndarjen e muzikës shqiptare për fëmijë në të tërë rajonin e Shkodrës. Sot në çdo shkollë e në çdo klasë të qarkut Shkodër, po të futesh në klasa, fëmijët të këndojnë këngën e zgjedhur shqiptare për fëmijë. Dhe kjo është një arritje shumë e madhe për faktin se sot ka shumë problematika në tregun muzikor.

Festivali u mbyll me sukses. Nata finale ishte një festë e vërtetë. Me mendimin unanim të të dy jurive në këtë edicion të “Bilbilave” u dhanë tre çmime fituese.

Të vegjlit – (Kl. 1-4)

Çmimi inkurajues: Trea Gaxeni kl.4,

Çmimi i tretë: Ester Qëndro kl.4

Çmimi i dytë: Xhesika Çupi kl.3

Çmimi i parë: Arseld Muça kl.4

Të rriturit – (Kl. 5-9)

Çmimi i tretë: Sevina Kurti kl.5

Çmimi i dytë: Megi Toma kl.6

Çmimi i parë: Mejba Kadia kl.7

 

Kontribut të çmuar për identifikimin e talentëve dhe arritjen e suksesit të këtyre fëmijëve këngëtarë kanë edhe mësuesit e shkollave 9-vjeçare. Për fëmijët e vegjël: Alida Kalaja, Leonora Luca, Fation Tanazi dhe Laurjan Ejlli. Për fëmijët e rritur: Arsid Çeka, Paskal Maka dhe Bepin Vjerdha, që me pasion dhe me punën e tyre të palodhur, me përkushtim dhe profesionalizëm, u bënë pjesë e suksesit të këtyre fëmijëve të mrekullueshëm.

Ky spektakël ishte ndërtuar mbi konkurimin LIVE të nxënësve dhe vlerësimi u bë nga Juria, ku të gjithë ishin profesionistë si:

Kolec Gajtani, Ferit Bala, Rita Ranko, Mimoza Rakaj, Ritvan Karakaçi, Gjon Shllaku dhe Jozefina Simoni.

Mbresat që la në përfundim ky aktivitet janë shumë emocionuese. Dhe këtë na e shpreh edhe ideatori dhe nismëtari i këtij aktiviteti z.Kujtim Alia, Drejtor i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Shkodër.

“20 vjet BILBILA përbëjnë një traditë goxha të lakmueshme të këtij aktiviteti, i cili jo vetëm që i krijon mundësi argëtimi fëmijëve, por edhe ka ndihmuar në evidentimin e talenteve të reja, që në Shkodër, ndoshta falë kësaj pune, s’kanë qenë të paktë. Unë ju uroj fat këtyre fëmijëve, të cilët janë vërtet të talentuar se këndojnë “live” dhe për ta në çdo vit, magjia vetëm fillon”.

Muzikologu dhe studiuesi prof. Ferid Bala që ishte edhe kryetar jurie flet me nota të larta vlerësimi jo vetëm për aktivitetin, por edhe për punën e përkushtuar të mësuesve të muzikës në shkolla. Gjithashtu ai shprehet: “Në vitin 1996 Kujtim Alia themeloi veprimtarinë “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”, që vazhdon me sukses të zhvillohet për çdo vit nga dolën dhe vazhdojnë të dalin talente të mrekullueshme si së fundi që u shpall fituese Mejba Kadija, një zë i fuqishëm dhe shumë premtues”.

Festivali “Bilbilat” tanimë ka shkruar historinë e vet, si një veprimtari me vlera të mëdha që nga viti në vit ka ardhur duke u rritur, duke u bërë më kërkues, më i organizuar, kështu që ai meriton lëvdatat më të mëdha, pasi në përgjithësi veprimtaritë për fëmijë janë ato që kërkojnë vëmendjen më të madhe.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *