Cikalleshi dhe Sadiku, dy shembuj për t’u ndjekur

redaktor

Sikur Sokol Cikalleshi t’i shënonte golat me aq lehtësi sa bën Armando Sadiku në përfaqësuese, sot mund të kishte arritur në një kuotë shumë më të lartë. Por jo, ai nuk e ka fatin e Sadikut.

Gjatë eliminatoreve nuk shënoi dot asnjë gol. Kur e dëgjon kështu tingëllon fatale, por kur sheh ç’volum ka bërë dhe sa herë ka goditur shtyllën e kupton qartë se ka qenë më së shumti një çështje fati.

Pas golit të mrekullueshëm në miqësoren kundër Gjeorgjisë ja ku vjen një tjetër ekzekutim potent ndaj Luksemburgut. Forcë, këmbëngule, rrjetë. Ky është ndoshta tipi i lojtarit pa të cilin Shqipëria nuk bën dot.

Absolutisht një shembull për t’u ndjekur. Pasi provoi Besën, Skënderbeun, Tiranën, madje dhe Korenë, rifilloi nga fillimi ashtu si duhet te Kukësi, në Kroaci dhe në Turqi. Duket sikur ka një jetë që luan!

Armando Sadiku shënoi golin e parë zyrtar të erës De Biasi në një ndeshje kualifikuese kundër Qipros në shtator 2012. Atë ditë Shqipëria i dha udhë një rrugëtimi të jashtëzakonshëm që përfundoi tre vite më vonë në tetor të 2015-ës me një fitore 3-0 kundër Armenisë.

Pikërisht, ai, Armando Sadiku, ai i cili shënoi sërish dhe kundër Luksemburgut. Ndoshta nuk di të driblojë në mënyrë perfekte, nuk është një raketë shpejtësie, ndoshta nuk ka as një pasim të bukur, por me siguri ka një nuhatje të jashtëzakonshme për ta dërguar topin në rrjetë.

Ashtu si Cikalleshi një shembull për t’u ndjekur, një model triumfi personal. Elbasan, Ersekë, më pas një dritare në Zvicër aty ku prej vitesh shënon vazhdimisht. Cikalleshi dhe Sadiku, dy shembuj që të bëhesh lojtar i rëndësishëm mund ta nisësh karrierën edhe nga Shqipëria.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *