Sokol Cikalleshi drejt kombëtares shqiptare. Më në fund trajneri i ekipit përfaqësues shqiptare ka hedhur sytë nga Kukësi. Sulmuesi kavajas i ekipit të Kukësit, Sokol Cikalleshi, do të ketë fatin të provojë veten e tij në kombëtaren shqiptare. Edhe pse jo zyrtarisht, lajmi për afrimin e Cikalleshit në ekipin kombëtar është konfirmuar nga burime të brendshme afër trajnerit De Biazi. Tekniku italian e ka studiuar mjaftueshëm në ndeshjet e fundit, ku duhet thënë se Cikalleshi po kalon një super formë, dhe ka vendosur që t’i japë shansin të tregojë vlerat e tij dhe në përfaqësuese. Nga sa mësohet, Cikalleshi do të jetë i grumbulluar për dy miqësoret e ardhshme kundër Rumanisë dhe Hungarisë. Nëse ai do të lerë përshtypje të mira gjatë këtyre dy ndeshjeve, atëherë mund të jetë i qëndrueshëm në skuadrën e De Biazit.
Performancat mjaft pozitive të 23-vjeçarit, të reflektuara me 17 gola në kampionat, kanë tërhequr vëmendjen e trajnerit Xhani De Biazi, i cili ka ngarkuar ndihmësin e tij Tramexani për ta vëzhguar nga afër. Cikalleshi e pranon se po kalon një nga pikat e larta të karrierës së tij dhe se shpreson që të jetë pjesë e kombëtares në ta ardhmen. “Jam shumë i lumtur që forma ime ka tërhequr vëmendjen e stafit teknik të kombëtares. Unë po bëj më të mirën në fushë dhe sigurisht do të ishte kënaqësi e madhe nëse do të bëhem pjesë e kombëtares”, tha ai.
Kupa – Nënkampionët e Shqipërisë po përgatiten me intensitet për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit, që do të zhvillohet me 17 maj. Edhe pse e ka të vështirë të bëjë një parashikim për këtë sfidë, Cikalleshi beson se ky trofe do të bëhet i Kukësit. “E kam të vështirë të bëj parashikime, aq më tepër që do të kemi përballë një skuadër të fortë, siç është Flamurtari. Ne po përgatitemi intensivisht dhe do të japim maksimumin për ta fituar Kupën”, thotë lojtari.
Besa – Sulmuesi kavajas nuk e fsheh keqardhjen për situatën e vështirë që po kalon Besa, që me të gjitha gjasat do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Sa i përket mundësisë për të vijuar karrierën te Kukësi edhe sezonin e ardhshëm, Cikalleshi u shpreh: “Kam disa oferta, por nuk mund t’i bëj publike tani. Tani jam i përqendruar të fitoj Kupën me Flamurtarin, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë.”
