Sokol Cikalleshi ishte heroi i Besës në fitoren 2-0 kundër Kastriotit, e cila praktikisht siguron mbijetesën për verdhezinjtë, sidomos në rast se Luftëtari mundet sot në Vlorë nga Flamurtari. Skuadra kavajase është ngjitur ndjeshëm në renditje, duke kapërcyer Bylisin, ndonëse kjo mund të jetë vetëm e përkohshme, sepse ballshiotët luajnë sot. Por, ajo që ka rëndësi është diferenca e pikëve me Luftëtarin, skuadra me pozicionin më të lartë brenda zonës së rënies nga kategoria. Tani Besa është nëntë pikë përpara, diferencë që ka shumë shanse të ruhet, gjithmonë nisur nga fakti që gjirokastritët vizitojnë Flamurtarin, i cili ka nevojë për pikë, me qëllim që të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League. Goli i parë i Cikalleshit erdhi pas një goditjeje nga distanca në pjesën e parë, ndërsa i dyti, që vulosi përfundimisht fitoren, erdhi nga pika e penalltisë, në fundin e lojës.
Beteja evropiane
Takimet e sotme mund të sjellin ndryshime në vendet e para të renditjes, përjashtuar kreun, që mbahet nga Skënderbeu i shkëputur. Kampionët luajnë në “Qemal Stafa” me Tiranën, në një takim ku do të kenë mjaft mungesa. Megjithatë, trajneri Mirel Josa ka shpallur se synon vetëm fitoren përballë ish-skuadrës së tij, e cila kërkon të njëjtën gjë. Bardheblutë duhet të fitojnë për të mbajtur gjallë shpresat evropiane, të cilat duhet thënë se janë të pakta. Vendi i dytë mund të ndryshojë “pronar” në rast se Teuta nuk fiton me Kukësin. Vetëm dy pikë i ndajnë skuadrat, ndërkohë që po aq pikë sa Kukësi ka edhe Flamurtari, që ka ndeshjen më të lehtë në letër, me Luftëtarin. Pretendentja tjetër për Europa League, Vllaznia, ka një takim të vështirë në Peqin. Situata e Shkumbinit është duke u keqësuar vazhdimisht, por skuadra peqinase vështirë se do të ngrejë flamurin e bardhë në shtëpinë e saj.