Cikël me poezi: Itaka e munguar

Dita

DUKE I U AFRUAR SHQIPËRISË….
Ende qiellin tënd nuk e kam në sy,
atdheu im,
jam ende mes dy qiejsh
nëpër dritën tënde i shoh yjtë e tu,
për dreq,
nuk kam as flatra
si një brofje zogjësh më
shkëputen mendimet
edhe pak, edhe pak,
koha tani luan me mua
kokën e mbështes në mëngjeset e njerëzve,
si në një këngë…
në çdo rast,
besojini atdheut,
edhe pse i plagosur rëndë…
Lufthansa, shkurt 2017

MËNGJESI

Të zgjohesh në mëngjes dhe të shikosh sytë e tu,
mrekulli e natës ende e fshehur në një kënd,
të ndiesh dallgën që mbyt, zogjtë shpirtit të klithin,
dritën tek lëkundet si fije bari përmes përdëllimit tënd.

Hieroglifet e trupit t’i lexosh me mërmëritje të heshtur,
zhurmat e rrugës t’i shijosh si këngë endacakësh
mëngjesit të ri,
të urresh gjithçka që largon prej teje,
të duash, përsëri të duash, të duash përsëri!

FATI I NJERIUT

Tisi i natës, dëbora dhe era e çmendur,
era e çmendur, dëbora dhe unë,
dëbora në tisin e natës po çmendet,
era e çmendur vrapon në askund…

Në tisin e natës endet njeriu fatthënës,
hejet e ditëve zgjaten nën deborën e dendur,
të akulluar mbetëm nën dritën e hënës
dhe vitet rendin – erë e çmendur…

NËSE
Nëse është e vërtetë se marrëzisht,
epo, marrëzisht,
kemi dashur,
si të babëzitur nga etja,
atëherë
më e lehtë
ka për të qenë vdekja…
Nëse është e vërtetë
se kemi guxuar
të kemi ëndrra
Si pyje në zemër

atëherë,
vdekja,
do të jetë zbavitëse
si një ëndërr.
21 mars 2017

UJËRAT E VJESHTËS

Ujërat drithëruese të vjeshtës
si ëndërra të bardha
lëvizin mes erës,
cikasin në zhurmën e viteve që ikën.
Koralet e heshtura të zemrës
si ëndërra fëmijërie
vetmojnë, dremiten…

Vizioni dhe Ëndrra
përplasen shkëmbinjve…

Nga çdo pikë, lindje a perëndim
vërshojnë ujërat drithëruese të vjeshtës.
Mes tyre,
përmbytur copra të bardha ditësh që shkuan,
mbetur ëndrrat e shuara të pranverës
siç mbetet pak pluhur…

Në tërthoren e ujërave të vjeshtës
lëvizim në varkën e pranverës së humbur…

PERËNDITË NUK JANË
TË PËRSOSURA

Perënditë nuk janë të përsosura,
kanë mëritë, mëkatet, fajet e tyre,
hedhin mbi ne zjarre përvëlues,
në zanafillat e skëterrshme na dërgojnë,
zemërohen me njëri – tjetrin,
marrëzisht dashurojnë…

Vijnë rrotull qiellit,
tundin detet,
nga shakujt nxjerrin erërat e çmendura,
shahen me fjalë të mëdha si perënditë
Të arsyeshëm janë vetëm gjashtë ditë,
në të shtatën
paarsyeja ,
gris netët e tjera.
Goditen me gurë,
gjëmojnë…
Një vëlla të tyre, Prometheun
e lidhën në shkëmbinjtë e thirtë,
përsëri, tradhtojnë, dashurojnë…

Nga Zanafilla,
në të gjashtën ditë
“Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,
e krijoi në përngjasimin e Hyjit”.
Lëvizim së bashku me Zotat
Deri në çastin e prehjes…

NËNA
Nëna ime,
si mjellmë e lashtë
po qan në shi.
Për pak iki unë
pa një ditë kthimi…
Në cilin prag,
nën cilin qiell,
në cilën kohë
të shkuar,
të sotme,
të ardhshme,
në cilën vetmi
një nënë tjetër
a mijëra nëna,
për ikjen e bijve
po qajnë në shi?

LUTJE
Në puhinë e mbrëmjes
portokalli lëkund kokrrat
siç luhaten në katedrale llampadarë.
Në gjunjë, në barin e gjelbër u luta:
– Zoti im, për dëshirën time, falmë!

Zoti im, jepma sot,
atë që ke menduar të ma japësh nesër,
nesër mund të jetë vonë…
Më jep ç’kam pritur nga dita ime
dhe bekomë,

Zoti im!
Amin!…

PORTRET DHIMBJEJE
Ai puthte duart vrastare të Akilit,
i rrokte gjunjët,
i fliste me zërin e harruar të Atit.
Shtroi pelerinën mbretërore të Trojës
në këmbët e atij
që sapo i kishte vrarë birin,
Hektorin…

Shpërfytyruar
brenda një çasti të zi
Priami,
dhimbja kishte fytyrën e tij…

SA KOHË TI DO TË JESH

Nënlokes sime, Dritë

Sa kohë ti do të jesh
do besoj në iluzione dhe mjellma të bardha,
do të jem fjalë agimi, tokë e premtuar,
pema ku mblidhen zogjtë në stuhinë e dëborës,
mëngjesi i madh i harruar.

Sa kohë ti do të jesh diku
e di, netët do të kenë yllëzimin e tyre
Hektori do të jetë heroi im, jo Akili,
do të jem i denjë për dashurinë
e atyre që nuk janë më.

E di, Itaka ime e ka emrin Shkodër…

Sa kohë ti do të jesh,
era do pushojë
mbi gjethet e manjolave…

LABIRINTI
I trishtë ishte çasti
kur lash pas vendlindjen.

Në detet e stërthella
ku kërkova të vërtetën time,
dy sy pa rreshtur më ndoqën
brejtjen e ndërgjegjes.

Fati im
përmes dashurisë,
tallandive të kota,
mërisë, zemërimit
duhet të arrija diku
ku ishte e vërteta ime.

Në ngatërrinën e saj e humba,
nuk e gjeta kurrë më…

Pas meje
pa kthim u mbyll koha,
po askush nuk e di këtë…

E DI

E di
që do të ndeshemi një ditë,
e di.
Kur unë të jem
aty ku je ti.

Pesëdhjetë vite
kemi ecur
në të njëjtën rrugë.
U lagëm
nga të njëjtët shira,
deshëm një ëndërr
dhe kurrë nuk i folëm njëri – tjetrit
aq mrekullisht sa deshëm…

E di që do të ndeshemi një ditë,
pesëdhjetë vite
iu larguam njëri – tjetrit
nga një ëndërr…

PËR VETEN
Nuk kam ç’të them për veten time.
Bari ka filluar të mbillet në një rrëpirë për mua,
lumi i qetë rrjedh përmes vijëzave dhe myshkut.
Asgjë tjetër për të përmendur… nuk dua.

Të gjitha ç’kisha i mblodha përmes vuajtjes,
nuk ka dashuri që të mos ketë një dhimbje,
në sythin e çdo dhimbjeje qëndron një dashuri.
Nuk kam gjë tjetër për veten time…

Kur bari të kositet për herë të parë
do ta di nëse njerëzit më kanë dashur,
sa i doja kur bari ishte ëndërr e largët
dhe botën e kisha aq afër…

Ç’të them tjetër për veten time…

ITAKA E MUNGUAR
Prej shumë kohësh jam nisur drejt Itakës sime
nuk munda të harroj si ishte ishulli im dikur,
dallgët si flokë të lëshuar më mbetën në vete,
honet ku butësisht bija si në një ëndërr të zhdukur.

Asnjë Trojë nuk pushtova me Kalin* e drunjtë,
i lodhur u enda në gjithë vitet e mia,
ecja pa kthim në një mbrëmje të muzgët,
largim vetmitari rreshkur nga dashuria.

Do më mjaftonte një shenjë se Itaka është afër,
një pulëbardhë, një degë e thyer qershie,
një peisazh i njohur, si dy sy të dashur,
një mjegull mëngjesore si ëndërr fëmijërie…

Nëse shkel edhe një herë në Itakën time
dhe nuk e gjej gruan që pëlhurën end,
do kthehem pas në rrugët plot shtegtime,
pa të s‘vlen Itaka, s‘vlen më ai vend…
* Është fjala për Kalin e Trojës

Share This Article
2 Comments
  • Ppershendetje Bedri Islami:Ju pergezoj per kete tufe poezish te botuara sot ne dita . Pergezoj edhe diten qe e ” freskon”gazeten me kete larmi duke e bere me terheqese.Artikujt nuk kane jete te gjate .Poezija eshte e perjeteshme.Juadmiroj edhe per stilin qe shkruani.Fatmiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *