Rënkojnë ditët e mallit për dasmat…
Cikël me poezi
Nga Bedri Islami
Lëvizin trëndafilat në muzg
si puthje dashurie,
trishtim malli…
dita ime e rrëzuar diku,
mes këmbanazave të yjeve
në një fund maji…
pas pak do të ngrihen muret e natës,
do të bjerë heshtja,
dalëngadalë do të çelin gonxhet
si puthjet e së nesërmes…
të fshehta…
2.
Atë që kam unë, nuk është e thënë ta kesh edhe ti,
Atë që dua unë, ti nuk mund ta duash,
Unë nuk i dua klithmat e pulëbardhave në muzg
E ti mund t’i duash,
I kemi të ndryshme kujtimet e vegjëlisë
Dhe çelësat e vjetër ku i ruajmë ato i kemi të ndryshëm,
Unë e kam mbështetur kokën mbi një gur vendlindje
Që ishte tjetër nga vendlindja yte,
Abstraktja më është shfaqur në një pamje tjetër
Dhe Viset e Askundit i ndërtova ndryshe…
Unë i tjetërsuar në Ëndërr
E ti mund të jesh thjeshtë Realja…
Ndoshta as heronjtë nuk i kemi të përbashkët…
E megjithatë, kjo nuk më bën mua më të mirë se ti
E, as ty më të mirë nga unë..
Thjeshtë jemi ndryshe..
Asnjëri prej nesh nuk është i humbur,
Për deri sa e kemi gjetur Vetveten
Stërpikur nën bjeshkën e hënës…
Thjeshtë jemi ndryshe
3.
Kush është kjo
që vjen porsi drita që zbardhet
e bukur si hëna, e zgjedhur si dielli,
e brishtë si dallgët, enigmë si e nesërmja
padukshëm si era, mister si qielli?…..
Koha e Gjon Buzukut lëviz drejt meje…
Jam i pakohë në kohën time…
Stinët ikin duke marrë gjithçka
tek Mosgjëja mos e kërkoni pluhurin e së ardhmes,
si ta gjej kush është ajo
që vjen si drita që zbardhë…
në mbrëmjen e vjeshtës,
që brof nga duart e mia
si një tufë zogjsh detarë?
Profetët nuk janë të vlefshëm më,
Vetëm një rrugë ka brenda meje,
pa kthim…
fjalët janë prangosur,
prangosur dhe heshtja,
Mos më humb kujtesën,
Zoti im!
4.
E di se kush isha dhe çfarë u bëra
E di se nga vij dhe ku më hodhi jeta,
e di përse nxitova dhe kur u rrëzova,
nga çfarë ishte lindja ime dhe kur rilinda
e di se kur dashurova dhe përse dashurova,
përse pranova të vërtetë idealin tim
dhe shmanga të pamundurën,
e di përse dua trëndafilat dhe
lulëzimin e mollëve,
e di përse përulem
dhe rrok me përgjërim
gjunjët e nënës sime…
5.
Mbinë karafilat e egër në shkëmbin buzë detit
Cilat janë brigjet e origjinës sime,
Një mal,
Një breg ku mbledhur janë lotët e të ikurve,
Shkrumbuar mallit mes valëve…
Dallgët e bardha apo dëbora në Bjeshkët e Namuna,
Lisnajat nga rrjedhin ujëvarat e maleve…
Kujtesa ime tretet si Lëkura e Shagrenit…
Kaq e bukur kjo jetë me rrugët e panjohura
Me pyjet e pafund të shirave që mbijnë përsëri…
Vetëm kur jam buzë detit
Me karafilat e egër çelur mbi shkëmb
Më duket se të harroj ty…
Pak gjethe kanë mbetur në vjeshtën tonë…
Era po i lëkund hapësirat…është buzëmbrëmje
Të mundja
Dy i falja Homerit dy bebëzat e syve të mi
Për hijeshinë tënde…
Perënditë janë të dënuar të mos vdesin…
6.
Ikja e Moikomit…
Yjet tunden mbi brirët e drerëve,
yje të çuditshëm gjithë plagë dhe mall…
Mes dashurisë së zogjve drithërohen ditët,
Enigma e së nesërmes po humb ekzistencën e saj,
Sëbashku me ullinjtë e gjelbër të jetës nga vemi?
Hënë e mbirë si një mollë e pjekur,
Herë më ngjan si Meka, herë si Jerusalemi,
Deti i heshtur, i vdekur….
Si të afroj ditët dhe të largoj vdekjen,
të ribëj jetën dhe të dallgëzoj detrat,
Nga dhimbja, ujëvaratreshjeve mbetën pezull,
Largohen brigjet dhe ri vijnë erërat…
Kanë çelur trëndafilat në oborrin e vjetër,
Mbi plagët pikon dielli dhe enigma e jetës,
Flokët e erës kanë ngelur në sythet e luleve,
kambanat mbetën të varura në pyje,
në rrethqarkullimin madhështor të botës,
ti nuk del kurrë nga dashuria njerëzore,
i njëjtë, i pandryshueshëm,
me trupin e mbjellur
me lule dhe yje….
7.
Me jep hisen time, Zot,
Të të jap jetën time…
I hapur,
si njëlibër i madh fati im,
Veç nuk ia lexova dot hieroglifët e çuditshme,
Gjithëfjalët e mia i përmblodha ne njëemër,
Mes duarve mbarta rrugë, erëra, pyllnaja e ujëvara,
Ndryshova kuptimin e fjalëve,
Desha te ringjall kohën përmesËndrrës,
Te gjitha përnjëemër…
Me jep hisen time, o Zot…
Të të jap jetën time..
8.
PAMJAFTUESHMËRI
Nëse sot do të kisha një dëshirë të vetme,
Që zotat a koha mund të më sjellin përmes erës,
E padukshme qoftë apo zhurmëmadhe,
Rënë përmbys si një pirat i kryqëzuar
Në të fshehtën e natës,
A mbi qerpikët e diellit,
E verbër qoftë si sytë zgavra të Homerit
A plot dritë
Si sytë që fluturojnë përtej vetëtimës,
Tërë fisi i lashtë qiellor i zogjve ta bartë mbi flatra
A vjeshta të ndezë zjarrin hapësinor të stinëve,
Në vetmi endacake ardhtë a gjëmimtare si deti,
Mirë se të vijë….
dëshira ime është e fshehta ime
nga më çojnë të gjitha udhët,
veç koha është e pamjaftueshme….
9.
Tek buza e hënës kam varur pritjen time…
Tash një mijë shekuj mbaj në trup Golgotën e pritjes…
Si dreqin e kishte emrin ajo gruaja itakase
që mburrej se priste Uliksin…
Nën një avlëmend druri….
Në hapësirat e bregujrave, një ditë vjeshte,
çeli druri i mollës së Parajsës,
nën një dëshirë të vetme…
Të gjitha fjalët që të kam thënë deri tani
janë të pamjaftueshme…
Veç pritja, e rëndë si askush
Është bërë e padurueshme…
10.
Të kërkoja dhe kisha frikë
të të gjeja,
ditët u mbushën me të ftohtë,
hëna,krejt befas,
u shndërrua në një zog,
u tjetërsua një botë…
Mbi lumin e vdekshëm
ra mjegulla,
çuditërisht e bukur,
e bardhë,
Ditët u skuqën si mollët e vjeshtës,
hëna ,si një trëndafil i ardhshëm
endet në ajër..
.
Të kërkoja
dhe sillja ndër mend,
Tezgjahun e besnikes së Uliksit,
si një klithmë mjellme,
duke pritur dashurinë….
11.
LUTJA IME
Zoti im,
bekoji fëmijët që të mos humbasin kurrë
fëmijërinë e tyre,
bekoji, që të mos e humbasin shpresën,
të jetojnë me erërat që madhërojnë shpirtin,
bekoji,
që në ditët e lumtura të shumëfishojnë gëzimin,
nën rrezet e hënës vjeshtore
të ndjejnë dritën magjepse të mëngjesit,
bekoji,
për ditët e tyre të hijshme
dhe për këngët e tyre të gëzimit,
asgjë nuk vlen para tyre,
as piramidat, vijëzat e hënës mbi tokë, paralelet,
bekoji,
ata janë enigma e jetës sonë dhe zgjidhja e enigmës,
shëmbëllimi yt, kohët dhe tokat,
ata janë gjithçka që gjenden gjithkah,
dielli në të gjitha yjet,
bari që rritet dhe ujëvarat që rrjedhin,
ajri ynë i përbashkët,
ata janë mrekullitë tona më të mëdha!
Bekoji!
1 qershor 2020
12.
Peizazh
Mëngjesi çeli i pastër si dëshirë fëmije,
u shua hëna si kujtim i shkuar
që nuk e thirra dot,
ikur përmes dhimbjes dhe harresës,
në një vetmi të plotë…
Kaq e bukur kjo ditë…
si një frymëmarrje dashurie,
vetëtimat janë larg,
po bien në një tjetër det,
Çelur kanë trëndafilat,
si hapje misteri, e fshehtë – fshehtësie,
që mbart një jetë…
Pastaj erdhi mbrëmja,
drithëruese dhe e butë,
si flokët e dëborës në mesnatën e qetë…
13.
Nëse
Nëse do të kthehesh një ditë,
në rrugën e vjetër
ku çelin tulipanët –
si dashuritë,
të trokasësh tek porta
një mëngjes,
kur vesa është ende
në petalet e trëndafilave,
mos i mbyll sytë.
Mos mendo për muzgun
që mund të vijë,
as për Ëndrrat që mbetën
në Fillimin e Gjërave..
gjithçka në këtë botë,
rikthehet përsëri…
Çdo mëngjes është një Zanafillë e re,
Me Ëndrrën që befas si një zog trembet!
14.
Çdo mbrëmje,
para se të flejë,
më shfaqet fytyra e nënës sime…
më duket sikur shoh stinën e jargavanëve,
fëmijërinë time,
brymën e rënë mbi fijet e barit,
hieroglifët e ngrira – si shenjat e vuajtjeve të saj,
mjegullën e bardhë,
filizat e blirëve që kishim në oborr,
lulëzat e e varura në qoshkun e madh,
erën që vjen nga pylli me pisha,
shtegun e gjelbër,
dhe lotin e mbetur në memorien time…
i kthyer në dritë,
çdo pëllëmbë e brendisë së saj,
më vjen si shkëlqimi i ditës..
Dhe unë besoj tek mrekullitë!
15.
NGJASHMËRI
Thonë se i kem ngjarë stërgjyshit tim,
paksa i krisur, dashuronjës i marrë,
ikës nëpër qiej,
i kthyer në tokë,
zhurmues në dasma, në morte pa fjalë…
Ulëritës nga dhimbja
ngazëllues i çasteve,
besëdhënës e kurrë besëprerës
ngarendas pas shirave të vjeshtës,
dallgëve.
I rënë në një muzg të përndritur,
i ri ngritur në mëngjesin e herët,
Thonë se i kam ngjarë stërgjyshit tim…
i pagjumë, thepisur në dashuri,
Në pastë qenë kështu,
Atëherë jam ai…
16.
GJURMA
Nuk e di se cila është gjurma ime në jetë,
Nuk dimë asgjë për ty-
nuk do më thonë,
si lum kam rrjedhur në jetën time,
me shpresën se kurrë nuk kam qenë vonë…
Nuk jam fshehur nga frika se mos më gjejnë,
si i çmendur kam qeshur e dashuruar,
kam kthyer dolli pa fund me verë,
nga një trëndafil i çelur jam urtësuar,
Nuk e di se cila është gjurma ime
sido që të jetë,
kam jetuar si kam dashur,
ju them të vërtetën,
trishtohem për njerëzit pa gjurmë,
ata,
nuk do e kenë për herë të parë vdekjen…
17.
I harrova të gjitha,
trëndafilat e vjetër,
çelur në një muzg të thyer,
hënën e fshehur pas blirëve,
si një legjendë e shkuar,
mërzitë, çastet e lumtura, pikëllimet,
hapat në çardakun e madh, dasmat,
qiellin pa anë,
shqetësimet e kota, shiun që u bë vjeshtë,
gjethet e rëna, si një kujtim i harruar,
dimrat që na ndanë…
pranverat e ëndrrave nën një tërthore tjetërlloj
kambanëzat e yjeve, zërat e dikurshëm.
i harrova të gjitha…
po si mund të harroj pikëzat e shiut,
nga strehët e shtëpisë së vjetër
në dritaren time,
si një mall i pakthyeshëm dashurie…
18.
M’i ktheni prapësht shirat e mi!
Ku shkon ky shi kështu?
Në një pyll,ku gjurmët e dhimbjes shndërrohen në shpirt,
në korijet e dendura,labirintet e mjegullta,
ikën së bashku me zogjtë?
Shkoi të bëhet ëndërr
shkoi të vdesë në një ditë tjetër,vend tjetër,
ndaj një burimi të cektë,
ndërsa ujërat rrëshqasin në gjethishte?
Ku shkoi ky shi kështu?
shkoi të bëhet guaske,
të bëhet re
mbrëmje kristal,
mëngjes pa perëndim,
mbi të cilën rrinë fjalët që nisa,
pikuar mbi degë?
M’i ktheni prapësht shirat e mi…
T’u kumtoj vetëtimave dhimbjen time…
19/
ÇAST
Sa prej nesh e kujtojnë atë çast
kur bota
dukej për së mbari?!!
Çdo ditë,
shpirti i trazuar kërkon prehjen e vet,
mjegullat ranë
mbi rrafshinën pa fund të kujtesës,
Ç ‘mesazh më sjellin shirat
të ngrirë në duar dhe shndërrohen në zogj?
Oh, ka ardhur koha
të kthehem në vendlindje..
të hap kanatat e drunjta,
të ndjell zogun e pritjes,
mbi pëllëmbë trëndafili,
t’i falem shtëpisë së vjetër
dhe atyre që
deri në vdekje më pritën…
askund nuk mund të jesh i lumtur…
Parajsa e Dantes,
nuk është tjetër,
veç shtëpia në vendlindje….
20.
Flejë tani,
ka gjithmonë një çast
për t’u nisur drejt ëndrrës.
Mbuluar në heshtjen e natës
është gjithmonë një kohë
kur ëndrra çel si trëndafilat e mëngjesit,
vesa e rënë mbi to si çasti i pritjes
gonxhet
ende paçelura
si buzët e puthura,
dega e gjelbër,
si pusi i vjetër
ku dikur shihnim vetveten…
tallazohej uji
tallazoheshim edhe ne…
Është gjithmonë një kohë
për të besuar ëndrrat…
21.
Është kaq e bukur kjo natë,
si një ëndërr e vendlindjes…
me hënën që ecën mbi lumë
me zogjtë që struken dhe bëhen gjethe,
me këputjen e pikave të fundit të shiut
si mërmërimë argjendi,
me trëndafilat që po çelin në gurishte,
si mall i dhembshur dashurie,
me kopshtin e humbur
mbi pendët e patave shtegtare,
me erërat si kujtimet e largëta
në jargavanët e portës…
Nuk mund të arratisem gjithmonë
të lë këtë lumë vendlindje të rrjedh pa mua
me hënën që ecën mbi ujëra…
22.
NGANJËHERË
një telefonatë e humbur me Fehmiun…
Nganjëherë marr telefonin
t’i bie numrit të tij,
s’ka gjë se trëndafilat
vetëtijnë në vendin ku është ai.
t’i them, eja të dalim
të hapim dyert e njerëzve si hapëm shpirtin dikur
të dëgjojmë pikat shiut mbi ballin e atdheut,
të shohim si vjen dita dhe emrat tuaj të gdhendur,
të them: eja edhe ti, më zërin tënd si drita
zbrit nga piedestali dhe sillmë
bozhuret e çelura si ëndrrat e mëngjesit…
pastaj pendohem..
çfarë t’i them
Kosovën nuk e bëmë si deshe ti,
e ndanë shokët tanë,
kjo pjesë e ytja,
kjo tjetra e imja…
e lanë në vetminë e saj të gurtë
me shtatin e përthyer nga dhimbja…
23.
IKËN SHIRAT…
Ikën shirat drejt juglindjes,
kalldrëmet e vjetër
mbetën në pikëllimin e tyre,
mbi gjethet e lagura ra supi i hënës,
medet,
si fjeti bota kështu…
Nuk kisha kohë t’i them të gjitha,
mall për tokën e lodhur nga mungesa,
për ujërat,shkumëbardhë
si fluturimi i zogjve,
mall për rrugët e qiellit tim,
për çetinat ku rrëzohet shiu i pranverës,
mall për llambën e vjetër,
në dritën e të cilës shëtiste Avenhoi,
dashuronte çmendurisht Esenini,
mall për mëngjesin,
që hap kufijtë e qiellit,
për kopshtin ku çelin jargavanët,
mall për trishtimin njerëzor,
që të bën edhe më të bukur,
për honet ku rashë përmbysur një botë,
për shpagimin e Diellit dhe miqtë e mi të rënë,
Ikën shirat në një cep të Ilirisë së Poshtme..
ngarkuar me mall…
Në Vetminë e largët
gjithçka shkërmoqet si një ëndërr e brishtë..
Dallëndyshet e Filip Shirokës
janë kthyer në shira…
24.
VETMIA BIBLIKE E STINËS
Një lis i moçëm, nën hënën e bardhë
shpërfaq portretin e njohur,
nata vjen dhe dorën vë mbi heshtjen,
mbushur hapësira me mungesën tënde…
Si erdhi kjo pranverë kështu..
trëndafilat e kuq duken si plagë të çelura..
lulet e bardha ikën së bashku me nuset,
nositët u ulën mbi ujërat e liqenit
mbështjellë nga ylberi i ngjyrave..
Çdo natë,
në kopshtin e vjetër ku lulekambanat
ngjallin dëshirën e agimit,
klith dhimbja e stinës që po ikën,
pa u kthyer kurrë më,
megjithëse kaq e bukur ishte…
Gjethnaja e re,
kishte çelur tek lisi i moçëm,
Maj , thonë të gjithë kalendarët, është tani,
por ky është një tjetër maj…
Vetmia biblike u ul mbi hapësirën…
mëngjes herët, shi i çmendur, 4 maj, 2020!
25.
Hija e Hënës
Tërthorja e qiellit u zhduk
nën hijen e hënës,
flaka u mek,
shtegu i mbështjellë me akaciet
më humbi nga sytë,
ranë një nga një
yjet në terrinën paskaj…
mbretëria e qiejve-
pronë e të varfërve,
ikën në dritëhijet e saj…
Ku je tani?!!
Shprishe hijen e Hënës,
nuk mund të harrojmë
ndjesitë mëngjesore të rinisë,
dallgën e viteve,
që përkulet,
netët hënëndritura me
shkëlqimin bujar të pritjes
gjer sa drita të shuhet…
26.
Nganjëherë mendojmë se kemi edhe
një kohë tjetër për prindërit.
loti i hënës rrjedh nëpër duart e erërave
dhe çel në muzg harresën tonë…
trëndafili i bardhë na mbetet në duar,
i harruam ditëlindjet e tyre,
shishet e verës të pahapura
si mjegullat rënkuar nën dëborë,
shalli i zi hedhur mbi supet
e viteve po zbardhet…
bëhemi të largët dhe presim një ditë tjetër
një tjetër krishtlindje,
tretet në kujtesën tonë pritja dhe ankthi i tyre
për vonesën tonë,
këputet pika e lotit nën një çati malli
si jargavanët në oborrin e vjetër
ndërsa nënat presin….
Vetëm kur ikin,
si mijëra dashuri të trëndafilta,
rënkojmë nga dhimbja
dhe
thërrasim emrat e tyre…
Na përgjigjen erërat,
lëvizin mbi pëllëmbën e harresës sonë…
është vonë, na thonë,
tepër vonë…
27.
Më prenë në besë nipat,
më prenë në besë mbesat
si duket, po më pret në besë edhe im bir,
Mbesat shkuan tek dhëndurët,
nipërit morën nuset
im bir në dashurinë e tij…
Më kishte marrë malli për një dasmë
por, dasma nuk ka më….
Ikën dasmat pas vjeljes së mollëve,
iku dhe vjeshta ngarkuar me dasma…
më mori malli për javën e dasmave
ardhjen e bijave,
si vijnë erërat dhe çelin gjithçka,
ardhjen e djemve,
si uraganet që përmbysin sofrat…
për mesnatën dhe trëndafilat që
ngrenë statujat e hijshme,
këngët e nuseve dhe pikëllimin e plakave
gazin e fëmijëve dhe diademën e vjeshtës,
për çeljen e erërave si jargavanët e portës..
por dasma nuk ka më…
dashuria nuk sjell më dasma…
Rënkojnë ditët e mallit për dasmat…
Ikën dasmat dhe lanë pas
trëndafilat e mallit…

Bedri Islami edhe ne poezi gurgullon. Nje cikel poetik qe na shfaq tere potencialin e tij letrar, ku bashkejeton imazhi me peizazhin, te mbeshtjella me nje tis filozofik qe te ben per vehte. Ne keto poezi e ndjen edhe aromen e trendafilave, edhe vibrimet e ndjenjave, kohen e tejkohesine. I kam lexuar librat poetike te Bedriut, po ne kete cikel shoh pjekuri aartistike e ndjeshmeri ne nje stad me te larte, nje pene qe sondon deri ne inde te shpirtit. I uroj nga zemra vazhdimesi dhe redaksise te “Dites” pergezime qe i hap faqet e saj edhe letersise se mirefillte.
Faleminers zotni Bedri pre kete cikel poezish se na mbushe syte me lot.
Nje cikel ku fjala perpunohet dhe vjen ne formen me te embel, ku ideja perpunohet dhe vjen ne nje forme te kendeshme per veshin gjthe tingull dhe embelsi e paveshtire te kuptohet dhe mistike njekohesisht mrekullisht e thjeshte ne shprehje por Jo me ide faleminderit Bedri