“Grifonë në shishe”

Ornela

Moikom Zeqo

HUTI I BARDHË I BORËS

Nën këto re, ne jemi, si nën fragmente kohe,
Që s’kapen dhe s’ndalen nga nga askush .
Dhe huti i bardhë i borës fluturon,
Duke tmerruar harabelat e kuq!

Sa e qashtër mendja, por qielli i turbullt,
Njëmijë shpirtra nguten të hyjnë në trupin tim.
Dhe gjethet janë si të gishtëzuara,
Si çdo lumë unë dua të rikthehem në det!

Rrufetë e shndruara në peshq salmonë,
Më lëvizin rreth flokëve në flakë.
Çdo gjë e mbulon një heshtje sibiline
Dhe statuja kthehet në pemë.

Durrës 2005

VAJZA QË VJEN NGA HËNA E PESTË

Rrezja si shpatë samuraji ma pret
Pelerinë blu prej Princi të Hapësirave.
Ç’përrenj buçasin nga sipër fatalisht
Në vijat e lakuara të ylberit?

Se ka përherë një shartesë të ideve
Të ëndërrimit dhe luleve të kumbullës
O, Lajmëtari im Hermesian
Më prij në të Panjohurën!

Dhe ajo vajza, që e dashurova dikur
Vjen si nga një Hënë e pestë,
Që fshihet mbas katër të tjerave
Mister shpërthimesh në galaktikë.

Durrës 2005

MALI TOMOR MBI ADRIATIK

Tani përfytyrimet e mia i bashkëngjiten
si afreska Kishave të Onufrit!

Kjo hapësirë është si femra me gjinjtë e shalqinjve
ù rrëzuar në pllajë!

Vjeshta shtrin
duart e perëndimta!

Mbi detin Adriatik shoh si ngrihet mali Tomor
si një Sion i Dytë,
ku unë do të gjej Dekalogun e Ri!

Durrës, 5 shtator 2005

KOPËSHTI I DIJEVE TË VJETRA

Zukatin gjinkallat lasgushiane
me parashikime të kobshme.

Me trenin e mjegullave
mbarten poetët e vdekur!

Vajtojmë në kopështin e humbur
të dijeve të vjetra!

Nën tokë do të grinden befas
dhe martirët e mëdhenj dhe të harruar!

Durrës 6 shtator 2005

ÇMENDURIA

Jam një siluetë mes dunave lëvizëse,
Shoh kopshtet tej dritareve të arratisura,
Dhe kudo më ndjekin efemeridet,
Sa të pafundëm janë!

Jam mbase hibrid i bimëve dhe shpirtrave,
S’ma thyen dot zotat kristalin e ndërgjegjes
Dhe bijen në shekuj shirat magnetikë,
Që toka e hekurt i thith!

Ndoshta nën qiell s’ka ndryshuar asgjë,
Por në zemër gjithçka!
Dhe duke e bërë vishnje kaltërsinë
Ja behu befas Çmenduria!

Durrës 2005

ËNDËRRAT E QULLURA

Është e sigurt që mbretërit
Do të zhduken një ditë,
Por jo këto jargavanë
Dhe bulkthe!

Po unë si ta bëj prej këtej ajri
Një epigramë?
Ah, sikur njerëzit të kërcejnë
Me këmbëzat e zogjve!

Një kalë i dobët fshehurazi
Ma mbllaçit dorën e majtë.
Dhe bëhen qull ëndërrat
Flokëlëshuar nën shi.

Durrës 2005

SHIRAT JANË KLEPSIDRA

Si ta ribotosh këtë agim të Currilave si një Libër të Ri?

O, pemë të mërguara si kuajt në bjeshkëhënëstërpikurat!

Dhe shoh mbretëri prej letre me shkrepse në dorë!

Orkide prej rrezesh ultraviolet!

Peizazhe të parë nga sy strabikë!

Copëza kristali të Hënës së thyer!

Shirat janë Klepsidra e mbarimit tim!
Durrës 7 shtator 2005

MËNGJESI I VONUAR 5 SHEKUJ

Mbylli sytë përgjithmonë Skënderbeu.

Mëngjesi refuzon,
Që të lindë,

Të paktën për 5 shekuj!

Durrës 8 shtator 2005

BRETKOSAT BLU

Trëndafila të eklipsuar nga zemra!

Poetët janë delfinë që ngjiten sipër një ujëvare.

Kuasin bretkosat blu, gati të bëhen të padukshme krejt!

Durrës 8 shtator 2005

GRIFONËT DALIN NGA SHISHJA

Hëna e bërë shuk si letra e fundit,
që të shkrova dhe e hodha,- pa ta dërguar kurrë!

Muzgje me kokë zogu fluturojnë
dhe përplasen me njëri tjetrin në qiej.

Te një shishe në dyshemenë e studios së librave
i kam mbyllur njëqind grifonët e mi!

Gishtat e erërave e hapin Hënën,
e bëjnë të lexueshme.

Vallë janë gishtat e tu, e dashur?

Dhe grifonët dalin nga shishja.

Durrës 9 shtator 2005

TRUPI KËRKON NJË TJETËR SHPIRT

Shpesh fjala është korridor pa dyer.

Pse trupi im po kërkon një tjetër shpirt?

Dhe flokët më hapen si kalendari i erërave.

Breshëri godet detin me miliona këpucëza të qelqta
.
Lëviz me gishta
akrepat e orës në numëratorin e telefonit të vjetër
të bisedoj me të Ardhmen,

si me të dashurën time më të re.

Durrës 10 shtator 2005

KALI SI SHENJT I TEBEADËS

Trumbeta triumfi,
që kthehen me bishta gjarpërinjsh dhe shira të krishterë mbi buzët e mbyllura të statujave pagane!

Dhe lëvizje të fjalëve
si loja e zareve!

Dhe vjen përballë meje një kalë,
i zhveshur pikërisht si një asket i Tebeiadës?

Ah, lulet plot nimfani!

Dhe më kujtohet gjyshi im Jaho,

i burgosur nën rrënjët e qiparizëve të mëdhenj!

Durrës 11 shtator 2005

LËVIZJA E KOHËS

Një merimangë kujtese thurr me flokët e mi
gracka për metafora të harruara.

Ç’vlerë ka truri im në tregun e kafkave?

Nën thembrat e mia vijon hieja e Marin Barletit!

Me manivel më kot
kërkoj të ndez motorin
e orëve të mbetura
në ndryshk.

Koha të lëvizë më në fund, më në fund.

Durrës 12 shtator 2005

KARNAVALI I ESHTRAVE

Në Karnavalin e Eshtrave
S’e gjej dot një këmishë pranvere!
Delfinët janë bebëza në detet e syve,
Është çasti kur djajtë i hapin arkivolet!

Që nga veza i padalë akoma,
Këndon këndesi im i Universit!
Bukuria është Roja Mitike e gjumit tënd, e dashur,
Bëj relieve babilonase në xham me hukatje.

Në Infinit rri Hyu i Madh, prangosur me ylbere.
Nekropoli lëvizës i Vjeshtës i mbledh
Kufomat dhe shpirtrat e pyjeve!
Në akuarelin e pikëllimit fjalët mjegullohen.

Durrës 14 shtator 2005

BUZËQESHJET E TË VDEKURVE

Unë jam veç pika
Te një Apokalips gjeometrik.
Një Diell i Ri m’i vesh eshtrat
Në një mish, tashmë të artë!

Mbi ikonat e drunjtë të Bizantit
Kanë mbirë sythe të çuditshme
Ca metafora janë jaka të bardha
Për qafat e boshësisë, përtej meje!

S’kam lëvizur nga vendi, por dijeni
Unë s’jam këtu, s’jam këtu!
Si t’i rishfaq në hapësira vallë?
Buzëqeshjet e dikurshme të të vdekurve?

Durrës 15 shtator 2005

NDJEKJA

Më ndjekin,
më ndjekin,
më ndjekin,
– cingaret, – që kam thithur,
– si zogj, – me flokë të gjatë nikotine,
– dhe më arrijnë,
– kudo, – që të fshihem,
– për të më çukitur,
– mishin,
– gjer në kocka!

Durrës 2005

DRU ZJARRI!

Merrini arkivolet
Nga shërbimet funerale!

Dhe jepuani njerëzve,
Mbi akuj,

Që të ngrohen
Me zjarre!

Tiranë 2005

PËRQAFIMI I MUNGESËS

Në shtegun e periferisë së largët
Një kaçubë ndez cingaren me xixëllonja.
Si ta përqafoj mungesën tënde, e dashur?
Ndjenjat, bijat e erës shpërndahen dhe humbin.

Te nofullat e Dragoit befas e gjetëm,
Alfabetin e Ri dhe të Panjohur
Për të shkruar ndryshe mendimet.
Hapat e mi rrokjezojnë vargjet e Sibilave.

Sytë e mi ushqejnë me dritë
Çdo lampadar mbretëror në salla.
Erosi i veshur me rreze ultraviolet
Përshkon zemrat e errëta!

Durrës 16 shtator 2005

FORMA E DYTË E MESISË

Shtrëngata është ceremoni buçitëse
E martesës së një shenjti me një djallushe.
Dhe nën Diell unë shoh Migjenin,
Që lëshon hijen prej fantazme të Remboit.

Vdekja rri e kaltër mbi mua,
Si parabolë kozmike e sekreteve që s’thuhen në çdo çast,
Koha dhe Drita formojnë një sintezë,
Hapësira dhe Uji s’përputhen dhe grinden!

Mes katër horizonteve unë rrotullohem
Kundër lëvizjes së akrepave të orës!
Dhe besoj se lulëzimi i pemëve
Është një formë e Dytë e Mesisë.

Durrës 2005

HORIZONTET ME STRABIZËM

Era është plot buri dhe zambakë,
Kopshti mban erë mërsinë dhe borzilok
Ja stuhia që befas u zhvendos
Si një çarje në çarçafin e Kohës!

Lexoj vargjet poetike të John Ashbery-t
Që janë mahnitje dhe klithma në ambalazhe.
Dhe e kuptoj pse sytë e horizonteve
Janë me strabizëm!

Dhe jam një qenie shumë më e vjetër
Se sa Hapësira dhe Koha.
Dhe më kot, një det leshator
Prej algash, më ulërin përballë.

Durrës 2005

SHQYHET TUNIKA E DRITËS

Marin Barleti i mblodhi ca grigja rrufesh
Dhe bëri me to një vëllim të madh.

Tani Skënderbeu (pa vitet e Jetës dhe pa Vdekjen)
I rrethuar është nga jeniçerët e Mehmetit II.

Yjet i nuhasin shputat e mia
Dhe m’i lëpijnë gërvishtjet!

Ka dhe pyje me dafina njeringrënëse,
Ku unë eci krejt i sigurtë.

Një Diell i patruptë zbret
Tek Mbretëria Blu e të Vdekurve.

Dhe shqyhet tunika e dritës
Nga trupi i të Kryqëzuarit!

Durrës 2005

****

Botuar në Dita / Këto poezi janë shkëputur nga libri i autorit “Grifonë në Shishe”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *