Cikli i Moikom Zeqos

J L

SHTEGËTARI I PANJOHUR I KOHËS

 

Sqepi i akrepave

Hapet dhe mbyllet.

Ora papagall

Më imiton të folurën!

 

Hokus Pokus!

Ç’di ti Migjen

Për alkiminë?

Pothuaj asgjë!

 

Dita më arriti

Në shtëpi

Si shtegtari i panjohur

I Kohës!

 

Durrës 1999

 

MBI TË VJELLAT PREJ HËNE

 

Kujtesa e ka përherë

Një “Exit”

Për të vjellur

Vetveten!

 

Të tërë kanë dalë

Nga lëkurat e tyre

Si udhëtarët

Nga treni në stacion!

 

Dhe Mbrëmja

Shkel dhe rrëzohet

Mbi të vjellat

Prej Hëne!

 

Durrës 1999

 

 

VISHE PRANVERËN O NJERI LAKURIQ

 

Po zbresin nga lart mjellmat e bardha.

Ç’ujëvara!

Mendimi kreh me një Hënë përralle

Flokët e Dashurisë!

 

Nga xhepat e dritareve të qytetit

Bijen pasaportat e falsifikuara të identiteteve.

E Ardhmja është Pyetje,

Që kërkon nga unë Përgjigje!

 

Vishe, pra pranverën

O njeri lakuriq!

Unë ngre befas qepallat

Si opingat që i ngjesh kaçaku i mëngjeseve.

 

Durrës 1999

 

FJETJA KRUSPULL TEK FOLEJA E DALLËNDYHES

 

Ah, të kthehem në fëmini,

Për të fjetur kruspull,

Tek foleja e dallëndyshes,

Nën strehën e shtëpisë së motshme.

 

S’është më e mundur

Të jemi të rinj,

Por idetë,

S’kanë moshë!

 

Udhë e mbarë!

Është krejt e sigurt:

Dheu do të të gëlltisë

S’ka tjetër fund të udhës!

 

Durrës 1999

 

EPIQENDRA NË VETËDIJE

 

Lumbardha

Është për Milosaon, –

Si kukumjaçka mitike

Për hyjneshën Atena!

 

Librin e Kohërave të Papërdorura,

Thuhet saktësisht:

“Se çdo gjë

E ka epiqendrën në vetëdije!”

 

Kjo tokë e vendlindjes

Është e gatuar me shpirtra!

Statujat antike janë mbuluar

Me poret e mia të lëkurës!

 

Durrës 1999

 

KOHA E PAMJAFTUESHME

 

E pashë një grua të re shtatëzanë

Të hipur në autobus,

Mbase është shëmbëlltyra e nënës time, –

Vite më parë, pak para se të lindja unë.

 

Ka kohë, që dritarja e studios time,

Është e hapur çdo mëngjes.

Ah, ndoshta është De Rada,

Që e hap, kur unë jam ende në gjumë!

 

Një kohë e pamjaftueshme

Është amfora e mbytur,

Në detet,

E mbyllur hermetikisht!

 

Durrës 1999

 

Ç’ARKITEKT I VERBËR

 

Ç’arkitekt i verbër,

E vuri gurin shenjë

Për të filluar qytetin e Jeruzalemit,

Në shkretëtirë? Prej Hiçit?

 

Gjysmë vdekjet e të moshuarve

Ushqehen me gjysmë jetët e fëmijëve.

Kjo erë qep një fustan balloje

Nga mëndafshi i dritës mëngjesore.

 

Ju, që do të më shpërtheni

Nga përmbajtja e teksteve,

Do të jeni

Stërnipërit e mi!

 

Durrës 1999

 

NËN SHENJËN E BINJAKËVE

 

Nëse vdes,

Vdis plotpërplot me veten!

Nëse koha është krejt e shurdhët

Ç’kuptim ka se ç’do të them?

 

Ky gjarpër, –

Pa lëkurë fosfori, –

Është si lëvore druri, –

Pa kujtesë!

 

O, Njeri!

Je lindur nën shenjën

E Binjakëve

Dhe s’di ende të dashurosh!

 

Durrës 1999

 

NË TRUPIN E ERËS KA PLAGË

 

Mbi koren e tokës vërshon

Një lulëzim marramendës ajror.

Në trupin e erës ka plagë,

Që kurrë s’mbyllen!

 

Por përherë

Hapen plagë të reja,

Plot fuqi elektrike,

Shpërthyese!

 

Këto grataçiela

Si pantallona të varura,

Të hekurosura,

Nga hekuri i Hënës!

 

Durrës 1999

 

HESHTJA IME SUPREME

 

Ç’oshënar qe Stiliti,

Që sipër shtyllës vigane flinte

Dhe arrinte

Në majë të Foto Morganës?

 

Ca satelitë mbi kryet e mi

Janë si shishe serumi.

Pse mbjell trëndafila

Dhe mbijnë qiparisat?

 

Inkuizitorët mendonin

Se Zoti flet spanjisht.

Ah, heshtja ime supreme

Është gjuha babilonase e Nembrotit.

 

Durrës 1999

 

SHALUAR MBI DRERËT E KRISHTLINDJEVE

 

Askush s’e diel botën pa Vdekje!

Dhe shampanja kërcet

Si një revole kauboji!

 

Ç’fantazma shfaqen

Shaluar mbi drerët e Krishtlindjeve?

Dhe qepallat e tua e dashur

Janë vela të anijes së Dashurisë.

 

Askush s’do ta gjejë varrin e Odiseut

Absolutisht!

Veç Pema Magjike, por dhe Fati i Keq,

Rriten në çast!

 

Durrës 1999

 

KUSARË TË FLORIRIT YJOR

 

Çdo sistem numrash

Është si një antologji shëmbëlltyrash

Po unë s’jam ende gati

Për kungatën e Gralit!

 

Tërë ujëvarat alpine rrjedhin të gjakta

Nga plagët e Gjergj Elez Alisë!

Këto hije që zgjaten

Janë kusarë të floririt yjor!

 

Ç’baltë ka rënë

Mbi përkrenaret e hopliteve të masakruara?

Në fundin e bebëzave fshihen

Dukjet e dikurshme të shekujve!

 

Durrës 1999

 

MIJËVJEÇARËT E MERIMANGËS

 

Natën e Kolendrave

Vajzat e vogla këndojnë.

S’ka nevojë për mrekullira

Direku i anijes befas blerohet me vrull.

 

Dhe mbeten pas

Mijëvjeçarët e Merimangës

Të rrjetëzuara

Me meridianë dhe paralele!

 

Me krematoriumin e kafkës

Truri djeg gjithçka,

Madje dhe vetveten,

Si në një blatim të zotave!

 

Durrës 1999

 

E ËNDËRROJ DITËN ME DY MËNGJESE

 

Hapini,

Këto re të mermerta,

Aty janë të shkruar epitafet,

E poetëve… pa emra!

 

Ç’rrëfim të rrezikshëm bëj për ju,

Dhe ju dëgjoni, dëgjoni! Ah!

Një grimë afërsi më fal

Dashuri amshimi!

 

Zanoret janë Princesha

pallatin mbretëror të gjuhës.

E ëndërroj ditën me dy mëngjese:

Njëkohësisht nga Lindja dhe Perëndimi!

 

Durrës 1999

 

SHIRAT SI KANDILET E PORSAFIKUR

 

Perëndimi ka ngrirë

Si një ulërimë luani mbi det!

Tani, mbase, vetë Hëna kërcënuese

Na mbulon me ortekun e saj.

 

Ah, çdo mutant ëndërron

Një kostum nervash njerëzorë!

Dhe shirat e beftë mbarojnë

Si kandilët e porsafikur!

 

Njeriu është paralele e vjetër

E gjërave të reja,

Që ja shpik vetvetes

Pezmatimi i tij!

 

Durrës 1999

 

PENDËT E SHQIPONJËS ME AROMË DAFINASH

 

S’ka gjë më të errët

Se sa e folura e kulluar.

Mbase dhe metaforat

Janë molepsje dhe kanceri i fjalëve.

 

Ç’aromë dafinash

Vjen nga puplat e shqiponjës!

Ç’urë magjike lumbardhash

I ndërlidhin shpirtrat?

 

Nëse Orfeu është i kuq

Euridika është blu,

Dy ngjyra

Në lëvizjet marramendëse të koncepteve.

 

Durrës 1999

 

 

PERËNDIMI, ANIJE E NDRYSHKUR PA DET

 

Historia është kaq shpesh

Paradoks i njerëzimit

Dhe muzgu shpërbëhet

Si miliarderi i kalbëzuar në sarkofag.

 

Kafshët e verbëta

Nuk e shohin Hënën,

Por e ndjejnë, e ndjejnë

Me vuajtje njerëzore, të pafund!

 

Perëndimi anohet në horizont

Si anije e ndryshkur, – pa det!

Puhia e blozdë

Na bën maska mbi fytyra!

 

Durrës 1999

 

DETET E PAZBULUAR NË HARTA

 

Qarkojnë epiqendrat

Dhe rëshqasin mes realitetit.

Detet e pazbuluar në harta

Dallgëzojnë në fjalët e pashkruara!

 

Po ju jap një të Kaluar shekujsh,

Që ju ka munguar tërë jetën!

Kometa më pyet:

“-A beson në diçka?”

 

Ç’kohë e humbur,

Për të shkruar historinë e mjerimit.

Ah, lulet e thjeshta dhe naive të fushave

Janë gati të shpikin fishekzjarret!

 

Durrës 1999

 

RINGJALLJA E OFELISË

 

Deti lulëzon

Kur… thahet!

Si ta populloj imagjinatën e një kali

Me dritare dhe eukalipte?

 

Unë e ringjall Ofelinë e mbytur

Dhe e le të rrojë aq,

Sa për të vajtuar

Vdekjen e mëpasshme të Hamletit!

 

Dhe horizontet janë sallë koncerti

Me rrufetë instrumente!

Statujat në sheshe me djersë bronxi

Mund të treten… deri në zhdukje!

 

Durrës 1999

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *