Cikli poetik i mbijetesës

Ornela

Moikom Zeqo

Një murg po lexon, – trupi i Homerit rrëzohet – diku në Jeruzalem, – a në malin e Sinajit, – një buri e të vdekurve – s’nxjerr tinguj, – por proverba të Solomonit! – Dhe murgu lexon – edhe sikur rreth tij – të lëvizin dhe të ikin shekujt! – Murgu hesht, – nga Apokalipsi – dalin ca kuaj me koka gaforesh! – Erdhi koha, – që një kohë tjetër – të vijë – më në fund! – Kush kërcen – tek Zotërimet e Përjetësisë? – Një Hënë inkandeshente – tani rri nën det! – Erdhi koha, – për një tjetër hapësirë – ku bredhin mendime të fshehta! – Erdhi koha, erdhi koha, – që murgu t’i djegë pergamenat antike! – Ca shqyte të – ndryshkura të pikëllimit – janë rrëzuar në stralle! – Kush i ruan amanetet – e zogjve të vdekur – njëmijë vjet më parë? – Digjen qirinjtë – dhe këmbanat gjëmojnë, – por qyteti ka mbetur pagan, – rrugët e tij – janë të hapura – si subjekte të Dyshimit të Madh! – Skelete kuajsh – janë grumbulluar – në fushën e muzgut! – Si skelete zotash! – Si hieroglife – të qenieve, – që s’i pamë – dhe s’i pamë kurrë! – Murgu – ngriti ballin – drejt pishtarit të ndezur – të qelës së vetmisë! – Sy të bardhë, – sy të verbër, – si sytë e Jehovait, – që s’u shfaq asnjëherë – në formën e vërtetë, – Moisiut ju shfaq në mal – si një shkurre, – që digjej, – por s’konsumohej, – më pas – u shfaq si Krishti, – pa asnjë imunitet – nga rrahja e turpëshme – dhe kryqëzimi i frikshëm, – për të mos u shfaqur kurrë më! – Murgu i fandaksur – s’del dot – nga qela! – Mjekra e tij – veç gurëzohet – dhe gjithçka përfundon – në një kaleiodoskop stalagmitesh!

1996

 

SHPIRTRAT E LUMIT

Shpirtra të lumit! – Pse doni – të shkoni – në det? – Shpirtra të lumit, – me supet plot gjethe, – me gjokset plot zogj të vegjël! – Ka mbetur – në kodër – skeleti i një peme – si një timon detar, – i një anijeje, – që s’është më, – pa kapiten, – pa marinarë, pa busull, – pa vela! – Një anije – e së Panjohurës, – që i ka tundur – të parët tanë, – por jo pasardhësit!

1996

DELFINËT PËRRALLORË

Ai e artikulonte – fjalën “det”, – si askush, – që brenda saj të lëviznin, dhe të vezullonin delfinët përrallorë!

1996

FUGA E VDEKJES

Paul Celan mendon, – për fugën e vdekjes, – njerëzit pinë – qumështin e zi – të dritës së natës, – e pinë në agim, – në mesditë, – në mesnatë, – pastaj mihin një varr – në hapësirat e ajrit, – ku nuk është ngushtë, – për t’u shtrirë. – Diku banon një njeri – në një shtëpi me nepërka, – ai dëfrehet dhe shkruan! – Gjermania është gërsheti i artë i Margaritës – të veshur me mug! – Njeriu që shkruan – del nga shtëpia nën yje, – ndjell qentë e zinj – pastaj na urdhëron! të hapim një hendek – e mbi të të kërcejmë! – Qumështin e Zi – të dritës së natës – njerëzit e pijnë, – e pijnë në agim, – në mesditë, – në mesnatë, – e pijnë – e pijnë – dhe njeriu që shkruan zbavitet – mes nëpërkave – dhe Gjermania – është prej gërsheti të një bukurie – të veshur me mug! – Na urdhëron – të gërmojmë – më thellë hendekun, – ai tund një revolver, – bërtet, – sytë i ka të kaltër! – Qumështin e zi – të dritës së natës – njerëzit e pijnë, – gërsheti i artë i Margaritës – përhapet si hiri i kohës, – një luan na urdhëron, – vdekja është një usta gjerman, – bërtet, – që edhe varri në hapësirë – të hapet, – atje, ku s’është ngushtë! – Ah, qumështin e zi, – të dritës së natës – të tërë e pijnë, – në agim, – në mesditë, – në mesnatë – dhe njeriu me nepërka – e me sytë e kaltër, – i ndjell qentë – ai qëllon me plumb – drejt e në shenjë, – një varr qiellor – u dhuron – njerëzve -, të gremisur në hendek!

1996

AMFORAT

Në banketin e Kohës, – gostiten Zotat, – të rrethuar nga amforat! – Zotat pijnë me fund, – miliona sy, – që shohin, – por edhe sytë e të verbërve, – zemrat e sundimtarëve – dhe të hijeve, – ditët dhe netët, – i ngrenë amforat – dhe ato janë bosh, – dhe Zotat janë më të fortët e pijanecëve, – ata çojnë tek buzët, – zbrazëtinë, – dhe s’derdhin shkumën, – as piklat, – se Zotat s’pijnë – si vdekëtarët e brishtë!

1996

GJËRA QË KALUAN PA U VËNË RE

Claude Roy thotë, – në intimitet, – se ka gjëra të fshehta, – që kanë ngjarë, – njerëzit, – që i panë – dhe i përjetuan, – kanë dyshuar më pas, – dhe gjërat mbetën të fshehta, – përgjithmonë! – Në 12 prill 1883, – në Katanzaro të Kalabrisë – një çunak arbëresh, – dymbëdhjetë vjeç, – i quajtur Benvenuto Vergilio, – ndërsa peshkonte – mbi ujërat e një lumi, – befas i bëhet, – se hapësira ka katër përmasa, – pra i fekton në tru, – ai zbulim, – që më vonë – do të quhej Teori e Relativitetit. – Po çunakut – s’i mbeti në kujtesë – më pas – asgjë! – Më 1913, – ai u bë nëpunës – i Zyrës së Tatimeve, – në Regio di Kalabria, – u vra në 1915, – në Piava, – i veshur – me uniformë borsolieri! – Më 1979 – kozmonautët amerikanë – në raketën Apollo – panë se një skaj – të Galaktikës, – një burim, – që rrjedh, – me një murmurimë të mekur, – sigurisht, – që del – nga muzika e sferave, – që e përfytyroi Pitagora, – dhe Kolonel Gregu, – komandant i anijes kozmike – e njoftoi këtë zbulim, – në sallën e kontrollit të NASA-s, – por informata u hodh poshtë, – kjo dukuri – u shpjegua – me kondesimin e avullit, – që mbështillte – atë çast, – gallustrat e kabinës raketore! – Në 22 nëntor 1937, – në Pitsburg të Ohio-s, – me skenën e Comedy Hall-it, – iluzionisti Samuel Philips, – me pseudonimin Profesor Misterili, – gjatë dhënies së numrit “Gruaja e sharruar dhe e ringjallur”, – vë re, – se një sharrë e njëmendë, – e mprehtë si brisk roje, – ka zëvendësuar sharrën e rreme, – që ka përdorur çdo mbrëmje. – Ai do të ndërpresë gjithçka, – një forcë e papërballueshme, – e detyron të vazhdojë, – ta lëvizë sharrën, – kështu i jep fund numrit, – i bindur se ka bërë një vrasje. – Por asnjë pikë gjaku – s’del nga trupi i partneres, – që ngrihet në këmbë, – e pacënuar, – ajo i thotë Profesor Misterilit, – s’e s’ka ndjerë asgjë, – ndoshta diçka – e ka gudulisur lehtë. – Këto gjëra kanë mbetur të fshehta, – për shumë kohë, – ose për gjithmonë!

1996

 DETI ËNDËRRON

Deti ëndërron – për t’u shndruar – në një shumësi formash, – po kush mund të bëjë – nga gjeometria e kristaleve të borës, – një shtëpi futuriste – për lejlekun e Mjedës? – Tani mjegulla, – kafshë vizuale, – si e ardhur – nga psikika e të pagjumëve! – Muzgu vë flatrat – e një lakuriqi nate! – Dhe kudo ka zambakë – ngjyrë kozmosi! – Vjeshta klith – si grua e kapur nga leshërat! – Para vjeshtës është emblema, – një mburojë bronxi, – ku është vizatuar, – një kokë tigri! – Shumë e vështirë, – t’i afrohesh! – Dëgjo: po më rrëfehet – një portokall – dhe unë s’kam indulgjenca për të! – Po një kalë diçka më paralajmëron – si Kryeengjëlli Gabriel! – Si po hyjnë tani – këto qiparisë viganë – në të mbretërinë e të folurit njerëzor? – Këta shkëmbej – analfabetë janë, – por dinë t’i lexojnë – fytyrat tona!

1996

KOPËSHTI I MËNDJES

Mendja – është kopështi, – ku prashisin – më shpesh djajtë! – Kthehem tek vetvetja – si statuja – tek origjinali prej mishi! – Edhe metaforat plaken – ashtu si kuajtë! – Një i vdekur – mori formën e një zogu – dhe më ulet mbi sup!

1996

GJUMI

Adami dhe Eva – po flenë – pranë njëri-tjetrit, – Vetmi e pafund – dhe ja befas dy drurë – po ecin në pllajë – drejt Zenitit – dhe Hëna po i vështron – e habitur – si të ishin subjekti i dyfishtë – i ëndrrës së përbashkët – të Adamit dhe Evës! – Tek lulet – dritëson – një mistikë e panjohur! – Adami dhe Eva – po flenë – si dy personazhe – të një teatri, – që ende s’është konceptuar – dhe askush s’e di, – nëse do të ndodhë – diçka e bukur, – apo e tmerrshme! – Adami dhe Eva po flenë! –Dhe s’e kanë idenë, – se jo shumë larg – rrinte zgjuar – Gjarpëri i Madh, – nëse Zoti, Zoti – ka krijuar gjithçka, – ahere dhe Gjarpëri i Madh – është krijim hyjnor, – i padiskutueshëm! – Adami dhe Eva po flenë! – Po flenë, – po flenë – është e lemeritëshme – të zgjohesh! – Ah, të mos zgjoheshin, – të mos zgjoheshin urrë! – Se zgjimi – do të thotë – të lëvizte veprimi – i programuar, – padyshim i pashmangshëm! – Gjarpëri do të tundonte Evën – dhe Eva Adamin – për të prekur sakralen, – të paprekëshmen, – Mollën e Njohjes! – Dhe Zoti, Zoti, – do t’i ndëshkonte – duke i përzënë – Adamin dhe Evën – nga kopështi i Edenit! – Por tani, – Adami dhe Eva – po flenë, – mos t’i prekë askush, – as era të mos fryjë, – asnjë kafshë – mos të ulërijë, – s’ka gjë më të shenjtë, – më të pakufishme, – se gjumi!

1996

 QELQI KOZMIK I HESHTJES

Ulu Hënë, – eja, – t’i biesh tastave – të kësaj organoje të habitëshme, – që s’e di asnjeri – se si ka ardhur këtu – në këto shkrepa alpinë! – Ulu Hënë, – s’durohet det heshtja, – thyeje qelqin kozmik, – të heshtjes!

1996

ËNDËRRA DHE REALITETI

Pse Claude Roy ka shkruar: – “Jam në Kioto, – duke ëndërruar – se jam në Kioto”? – Në një Natë Halluini – unë jam në Durrës, – pa qenë në Durrës! – Mbase do të jem në Tempujt – e Atlantidës, – që s’dihet, – por të shpikur në ëndërra! – Jam edhe në shekullin XII, – e kam përpara një labirint të Kaosit, – mbas tetë shekujsh, – më duhet ta përfytyroj – nënën dhe babain tim, – në një grackë të rastësisë! – Dhe ëndërroj të jem biri i tyre, – pikërisht për të qenë – biri i tyre!

1996

MBI UJËRAT E MËDHA

Dhimbja ime, – e padukshme, – mbi ujërat e mëdha! – Stuhia, – rri pas shpinës time, – si Fama! – Djersa e yjeve – është për mua, – vuajtja dhe shqetësimi im ekzistencial. – Dora ime errësohet si pishtari kur shuhet! – Në këtë vis të zanafillës – dhe pemët kanë ADN njeriu! – Me këtë dorë – nuk mund ta gris – perden e realitetit, – të shoh Zotin, Zotin, – apo veten time!

1996

ZOTAT NA KTHEJNË SHPINAT

Zotat na kthejnë shpinat – pafundësia është e pakapshme! – Ja një ide, – e rrugëtuar me mish njeriu, – e arratisur në tru zogjsh! – A mund ta ribësh këtë det – veç me vështrimin tënd e dashur? – O, natyra fluturuese e fjalëve, – mistika s’ka pranga! – mendoj, – pse vallë – nuk mund të rroj në pambarim? – Këto agime – më grishin – të zhdukem – më në fund!

1996

POMPEU I KUJTESAVE

Rrjedh magma e ndezur – e trurit tim – për të mbyllur, – për të mbuluar – Pompeun e Kujtesave! – Dhe unë rrëzohem – në shtegun e rrezikshëm – të Bukurisë në flakë! – Njëqind jetët e mia, të dikurëshme – unë i fal – veç për një ditë të vetme ngazëllimi – dhe përkorje plot hare!

1996

FJALË TË NDËRMJETME

Zogjtë, – i kam – në dorëshkrime, – si fjalë të ndërmjetme! – Shumë larg, – shumë larg – qetësia kalbet si mollët! – Dera është e mbyllur, – si valle – je nën lëkurën time e dashur?

1996

GAFORET SARKOFAGË

Përpikmëria, – m’i ka skalitur idetë! – Nuk i përkas askujt, – veç fëmijërisë time, – asnjë moshë tjetër, – veç fëmijërisë! – Aty jam – me gaforret, – që ushqehen – me trupin tim! – Gaforret detare – më mbartin – si sarkofagë të vegjël, – bronxi të shndritshëm, hyjnor, – për të mos fshehur, – në thellësirat e Harresës!

1996

KOHA SI MIDIASI

Ca princër të tulipanëve – vijnë të më krijojnë një përrallë! – Në shkretëtira – më purpurohen ëndërrat, – zhapikët qajnë – dhe Koha – si Midiasi – rërën e klepsidrave – e kthen në grimca ari!

1996

DUAR FLUTURUESE

Ja, duart e mia fluturuese – rreth e qark planetit! – Ndërsa yjet – i nuhasin – shputat e mia, – m’i lëpijnë gërvishtjet! – Dhe një bishë e panjohur – befas bëhet – dritë e drurëve!

1996

PRANVERA

Balli im detar, – blatim i erërave! – Dhe vjen pranvera e plotfuqishme, – që gjethezon nën dhe – dhe qivuret!

1996

REALITETET E EGRA

Imagjinata – m’i sjell – realitetet e egra! – O shtjella kalvari – plot ankth përvëlimi! – Në qivurin tim – fus vetëm librat, – jo vehten!

1996

LUANI ME KOKË NJERIU

Një luan me kokë njeriu – më shikon në largësi, – stinët janë shpërbërë – dhe erërat janë gërmadha ajri! – Një mjekër vigane e shtrëngatës – më del në faqet, – e fytyrës time të dikurshme – prej fëmije! – Dhe luani i çuditshëm – largohet, – i kërcënuar – nga pyjet e dafinave njeringrënëse!

1996

GJAKU I YLBERIT

Një prill i përjetshëm, – një prill shkëlqimtar – që i ndrohet gjaku i ylberit – papushim, – mrekullisht!

1996

PASJETA

Ç’klorofilë koncentroj – te drita e semaforit! – Janë hënëzuar – sytë e tu e dashur! – Ajo, që na tmerron – është se ç’ka Pasjeta, – sepse mund të mos jetë vdekje!

1996

DEGË FLLADI

Fluturon një pulëbardhë, – duke zgjatur florudhën – si një film hollivudian! – Dhe gjethesohet – një degë e kaltër flladi – mbi dritaren e detit!

1996

SYRI I CIKLONIT

Pasthirrmat e mia – ngjyrosin akuarele ankthi – mbi botën! – Po syrin e ciklonit – e kam amuletë, – të varur, – mbi gjoks!

1996

FYTI I THARË I KOHËS

Ulërima e tablosë së Munkut – është hieroglifi jashtëtokësor! – Blerimi po derdhet – si dolli gëzimi – mbi fytin e tharë të Kohës! – Zogjtë kanë vendosur – të na qullin krejt – në shiun e beftë të cicërimave!

1996

S’DO TË BËHEM MBRET

Dhe nëse më prek rastësisht – krahu i një ëngjëlli – e di, – që s’do të bëhem mbret! – Ajri shket – nëpër shpinën e zogut, – si një mendim poetik – mbi botën. – Fallosi, – që shumëzon jetët, – është më i plotfuqishëm, – se heshta e shën Gjergjit!

1996

JAM KËTU

Jam këtu, – këtu, këtu, – sy-det dhe vesh-breg, – krahë-kaktues, – gju-guackë, – shputë-shkumë, – jam këtu, – këtu, këtu, – ball-kometë – dhe pëllëmbë-shtrëngatë!

1996

KARAOKE

Egoizmi i poetit – është i rremë! – Tërë krijimet e tij – s’i përkasin më atij. – Ai vdes, – sapo e lind një libër. – Mbas shumë shekujsh, – tërë librat sëbashku, – mundet, – që vdekjen e tij – ta paraqesin – si një lindje të re, – të pashmangëshme!

1996

FILOZOFIA DHE REALITETI

A është filozofia, – e padobishme – sa dhe loja e shahut? – E nëse filozofia – është interpretimi hipotetik – i realitetit, – s’është pra – vetë realiteti!

1996

PËR FERRIN DHE QIELLIN

Borgesi thotë, – se Zoti, Zoti, – s’ka nevojë për zjarrin përvëlues, – kur trumpetat e Gjyqit të Fundit, – do të buçasin, – toka do të nxjerrë mbi sipërfaqe rropullitë, – të vdekurit e kombeve – do të çohen, – një mal kokëposhtë, – s’do t’i tregojë nëntë rrathët, – askush s’do të shohë zambakët, – mbi pllajën e zbehtë, – ku harkëtari fantazmë, – gjuan drerin fantazmë, – askush s’do ta vështrojë – ujkun prej zjarri, -në pjesën e poshtme – të skëterrës islamike, – as Adamin, – as dhe terrin e ndritshëm –të poet Miltonit! – Me ankthin e një labirinti të lemeritshëm, – një zjarr ndëshkimi, – do t’i bëjë të nxjerrin tym – shpirtrat e të mallkuarve! – Në Ferr – humb koncepti i ardhmërisë, – s’ka kuptim – dhe pamja magjike – e një kopështi sekret! – Për të vlerësuar, – të shejtin dhe të virtytshmin – Zoti, Zoti – s’do të ketë nevojë – për rrathët e Ferrit, – për teori koncentrike, – për engjëjt dhe kerubinët, – për artin iluzor të muzikës, – nuk do të përdorë, – shkëlqimin e kobshëm të tigrave – nuk do të përdorë – as të verdhën delikate – të perëndimit të Diellit, – mbi dunat e shkretëtirës, – apo për shijen e stërlashtë – dhe natyrore – të ujit. – Në sublimin e tij – Zoti, Zoti, – nuk ka kopështe, – nuk ka dritë shprese – apo përkujtimi! Ferrin e vërtetë të vdekjes – mund ta konceptosh – në kristalin e një ëndërre, – për ditën fatale, – kur nën trumpetat – e Gjyqit të Fundit – vetë planeti mëkatar – do të tronditej! – O Kohë e Njeriut, – me piramidat e mëdha – me ngjyrat e së shkuarës – do të veçohet në hije, – një fytyrë që fle, – besnike – e patjetërsueshme, – e palëvizëshme, – ndoshta fytyra, – që do të jetë Ferri, – për të dënuarin, – për të zgjedhurin, – o Parajsë!

1996

MEGJITHATË DO TË VDES

Me një sapun fyshekzjarresh – e laj kokën time – të pluhurosur nga shekujt! – Dhe megjithatë, megjithatë, – do të vdes – si zhapiku i vockël – me ëndërrën e lashtë të dinosaurin, – si ushtari i shahut, – i rrëzuar mbi skakierë – si një gjeneralisumus, – që kurrë nuk u bë!

1996

KRIMBAT DHE ZEUSI

Për krimbat, – s’ka asnjë kuptim – miti shkëlqimtar i Zeusit! – Ca pemë vigane – pezull në lartësi, – kanë zënë miqësi me ëngjëjtë!

1996

MOS U FRIGO!

Mos u frigo o Njeri! – Po të fsheh tek hija ime! – Te hija e kalorësit Gjergj Kastrioti – u fsheh në ide, – kaq kohë, – vetë shën Pali, – i kërkuar plot kërcënim, – nga agjentët e Cesarit të Romës!

1996

RIDIMENSION

Te portokalli metalik, – i filmit të Kumbrikut, – e gjej, – labirintin tim modern! – Tri zambakë në laborator – i vunë të thithin – një ozon të çuditshëm, – për të ridimensionuar – trupin tim!

1996

SI WHITMANI

Fijet e barit, – tani më lëpijnë, – më lëpijnë – si gjuhet e holla – të mijra gjarpërinjve të shenjtë – të Eskulapit. Më lëpijnë me përdëllim, – aq sa befas ndihem – si Whitmani!

1996

KËTO UJËRA TË PJERRËTA

Këto ujëra të pjerrëta, – ah, këto ujëra të furishme – kanë nën lëkurën shkumore – instiktet – dhe shpirtin e Tigrit të W.Blake-ut!

1996

PULËBARDHA

Aty, – ku bije – dhe jep shpirt – një pulëbardhë, – ngrihet dhe shfaqet, – një murg i zi detar, – një murg pirat, – i shkumave!

1996

FUQIA JETËDHËNËSE

Prekmë! – Nga trupi im, – del fuqia jetëdhënëse – si nga trupi i Jezusit! – Prekmë! – Prekmë! – Qofsh ti i sëmurë, – depresiv, – që mendon vetvrasjen, – qofsh ti i kthjellët – dhe i qetë për fundin tënd, – prekmë dhe do të përjetosh – një kuptim të amëshuar, – të vehtes dhe të gjithçkaje!

1996

PËRZËNIA NGA PARAJSA

Seksologët, – janë në armiqësi të hapur – me teologët! – Vetë Eva e di – se gjarpëri fallos, – i Adamit – do të përdorej më pas – si alibi, – për t’i përzënë, – që të dy – nga Parajsa!

1996

PSIKOTERAPIA E STATUJËS

Tek ethet e mia – është sekreti i tërmeteve të mëdha! – I bëj psikoterapi – mermerit të kësaj statuje – në Apoloni, – për t’i riaktivizuar – Kujtesat e qytetit të lashtë!

1996

KALI I MILOSAOS

Dora e De Radës – është pullumbesha ungjillore – të lumit të Jordanit! – Çdo peizazh i panjohur, – që i del përpara, – është fanitje fantazmagorike, – që përcakton – ditë dhe fate të mëdha! – Tej në pllajën kalabreze – kali i Milosaos – është hyu mashkull, – i shekujve femra!

1996

NJË E QESHUR SHEKUJSH

Ka mbetur – diku, – një e qeshur shekujsh, – një e qeshur, – gati e dukëshme, – si një shelg blu – mbi një bregdet jeshil!

1996

RRËZOHEN AFRESKAT

Rrëzohen afreskat, – sëbashku me suvanë, – nga muret e lashtë të manastirit, – si kapelja ime – nga mbajtësja – në dysheme! – Rrëzohen qiejtë pikturikë të muzgut, – nga paradhoma e Zotit, Zotit, – si xhaketa ime e vjetër, – që s’e vesh më, – sëbashku me garderobën, – në shtëpinë e braktisur, – ku s’vjen më asnjeri!

1996

ABETARE PËR DRURËT

Si ta shpik – një abetare – për drurët analfabetë!

1996

PARADOKSI I SHIGJETËS

Një poet anonim – nga thellësia e shekujve – na dërgon – një varg “të dhuruar”, – askush s’ja di – këtij poeti emrin, – askush, askush! – Po ky poet, – është ai, – për të cilin – unë dyshoj – nëse i jeton, – jetën time të vërtetë, – brenda meje – dhe ai është – mbase, – jo vetë Zenoni, – por paradoksi i aporisë së shigjetës, – që lëviz, – duke qëndruar, – në vend!

1996

SYRI I TRETË

Syri i Tretë, – është ai, – që mundëson, – kuptimin e fshehtë – dhe imazhin e jopamjeve! – Jo detyrimisht – në rrafshin sakral, – por as detyrimisht, – jashtë tij. – Është, – por askush, – nuk e di – se çfarë është! – Është këtu, – është atje, – është larg, – është afër, – është në thellësi, – është në zenit. – Është Poezia, – si gjuhë e të pathënës? – Syri i Tretë: – llampa e vendosur – mbi kaskën e minatorëve, – të pavetëdijes -ftillëzuese!

1996

UNI TJETËR I RIMBAUD-IT

Rimbaud, – e ka thënë, – me një qartësi tronditëse: – “Uni është një tjetër”, – Në fakt: janë disa “unë”; – cili prej tyre – është ai, – që shkruan? – Ai, – që i përmbledh, – të gjithë? – Jeton brenda nesh? – Apo jashtë nesh? – I kapërcen kufijtë, – e mundësive, – që na kufizojnë? – I mbart gjurmët – e një të kaluare, – që s’e zotërojmë dot? – Sheh ndonjë të ardhme, – që askush nuk e di?

1996

BOJË KËPUCËSH PËR BALLO

 

Në marketingun global, – dhe unë i hap një dyqan, – me tryezën time të shkrimit, – si banak, – u shes klientëve, për bojë të kuqe këpucësh, – në ballo, – vetë gjakun tim!

1996

TË DASHURUARIT, SONAMBULËT E MËDHENJ

Të dashuruarit, – janë somnambulët e mëdhenj, – të njëri-tjetrit! – Mos i zgjoni, – mos i zgjoni, – se syhapur – do ta urrenin, – për vdekje, – realitetin, – dhe njëri-tjetrin!

1996

KIPCI

Tani drurët pëndëzohen, – në shtrëngatë, – si shpendë përrallorë! – si Shën Mëri e Padukëshme, – ndërgjegjja ime – e lind Kipcin tim të Dukshëm!

1996

PRESTIXHATOR I UNIVERSIT

Si prestixhator i Universit – e nxjerr nga kapela, – një krokodil, – hyjneshën Kara Salia, – Qytetet e Padukshëm, – të Italo Calvino-s, ndërsa shtrëngatat, – i gurëzoj, – pezull mbi mijëvjeçarët – dhe Dyshimin e Madh – të tërë magjistarëve!

1996

KOKTEJLI MAGJIK

Hëna i çvesh lëkurët – si të Kadmit gjarpër! – Po unë – për ju të gjithë, – të gjallë, – dhe të vdekur, – po e përgatis, – këtë agim si koktejl magjik, – për festën e harruar, – të datëlindjes!

1996

OBJEKTET E IMAGJINATËS

Një oqean, – e mbaj në kuletë, – si një monedhë më të fortë, – se sa Euro-n, – më të plotfuqishme – dhe universale, – për objektet e imagjinatave – të poetëve, – që vdiqën, – pa i botuar librat e tyre, – të mbytur në harresë!

1996

DËNIMI BIBLIK

Nëse Nabukodonozori, – u shndrua në një ujk, – pse të mos dënohem – edhe unë, – me mosvdekje monotone?

1996

KËRCIMI

Bukuri e thellë, – sa lart arrin kërcimi yt!

1996

THËNËSI I SË VËRTETËS

Një njeri, – del e shëtit, – me lëkurën e tij, – mbi supet! – “Kush je?”, e pyesin. – “Jam ai, – që thotë të Vërtetën!”

1996

 MOSKUPTIMI

Tërë pemët, pikojnë, – në heshtje – djersën time, – lindjen time të ankthit! – Por ju, – ah ju, – s’kuptoni asgjë, – s’dini asgjë, – për këto – vuajtje, – sepse kurrë, – asnjëherë, – s’më kuptuat – dhe as do të më kuptoni!

1996

AROMA

Erë u marr – trandafilëve biblikë, – ç’aromë e athët, – dhe heroike , – e luftrave të Juda Makabesë!

1996

FATI

Aristotel, – ç’fat, – që s’pate, – nxënës – Neronin!

1996

KËRTHIZA

Kleopatra e Egjiptit, – mbase, – këtë yll të Afërditës – në lartësi, – e kishte, – kërthizën e saj, – që e magjepsi – Mark Antonin!

1996

E VËRTETA IME

Shpesh e vërteta ime – s’është dhe e vërteta juaj , – ashtu si tropiku – s’është shpikësi – i akullit polar!

1996

PA KËPUCË MAGJIKE

Zëri im, – zëri im, – sa shumë ka shtegëtuar, – pa këpucë magjike!

1996

ZEMRA E MBINJERIUT

Nga zemra e një zambaku – shpërthen një rrufe poetike. – Po tek shegët në zgrib – piqet – zemra e purpurt e Mbinjeriut!

1996

TË KORRURAT

Në të korrat e mëdha, – të Zotit, Zotit, – unë i ve – dy shtrëngata buaj – për të tërhequr karrot, – të ngarkuar – me duajtë e rëndë!

1996

Share This Article
1 Comment
  • Mbas nji udhetimi pune te gjate ,
    ne vendin e Parajses se Parave te Myllura ne Tynelet
    e fshehura maleve te ngurte ,te mistershem ,
    qe fshin brenda tyre fosilet e se kaluares ,

    eshte nji kenaqsi e vecante ,mjaft relaxuese ,
    te lexosh ,

    kte Mozaik Metaforash ,
    te nxjera nga Thesari i Botes se Literatures
    e un ,ndjehem papritur jovetem i magjepsur
    por edhe i ngjyrosur nga ngjyrat e shumellojeshme
    te Mozaikeve – coduar _ 1996
    ku shkruhet :

    Mos e prek “Mollen e Eves ”
    ( ajo nuk eshte Molle Adam eshte Bota e X- Poeti
    ne Doren e Eva-s )

    Sikur kto Metarfore te ktij Mozaiku te ishin Frutat
    e pejetesise ,
    do ushqehesha vetem prej tyre ,ne pafundesi
    edhe pse Gjarprit do spruconte Helm mbi to .

    Love & Literature

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *