Operacioni i koduar “Cikloni 1” i Zyrës Antitrafik në Elbasan, ka çuar dje në bllokimin e katër veturave që rezultojnë të vjedhura në vendet e BE-së. Policia tha se mjetet ishin prodhime të viteve të fundit dhe të trafikuara për në Shqipëri. Mjetet e sekuestruara janë “Range Rover”, i vitit 2010, me targë AA115HK, i vjedhur në Kosovë në vitin 2012, “Citroen C5”, me targë CA3295HC, i vitit 2009, vjedhur në Bullgari në 2011, “Golf 5” pa targa i 2006, vjedhur në Gjermani më 2010 dhe “Golf 5” pa targa i 2005, vjedhur në Itali në vitin 2013. Pas veprimeve hetimore dhe njoftimit të Interpol Tiranës, është bërë edhe procedimi penal në gjendje të lirë për përdoruesit e mjeteve, që kanë dëshmuar se nuk kishin dijeni se ishin të vjedhura dhe i blenë tek persona të tjerë. Dosja penale i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “trafikim i mjeteve motorike”, ndërsa pritet që makinat të kthehen tek pronarët e tyre.