Cilësia e dobët e infermierëve, nevojitet përfshirja e tyre në kualifikim

anazapta

Edukimi në vazhdim për kualifikimin e personelit mjekësor në vend duhet të përfshijë edhe infermierët. Shqetësimi është ngritur nga strukturat e Urdhrit të Infermierit, për shkak se ky personel i cili përbën rreth 70 për qind të personelit mjekësor në vend, shfaq probleme të theksuara me kualifikimin, ndërkohë që nuk janë përfshirë ende në këtë proces. Specialistët e këtij institucioni kanë deklaruar se qendra  kombëtare e edukimit në vazhdim deri më tani nuk ka përfshirë në trajnimet dhe kualifikimet pjesën dërrmuese të personelit shëndetësor, teksa nuk dihet ende se kur pritet të nisë certifikimi i tyre. Ndërkohë që më problematike cilësia e njohurive shfaqet tek të sapodiplomuarit në këtë profesion. Kjo kategori manifeston mangësi të shumta, duke bërë që cilësia që ata prodhojnë në sistemin mjekësor të jetë tepër e dobët. Një fakt i tillë shqetësues është konfirmuar edhe nga rezultatet e dobëta që studentët e diplomuar në degën e infermierisë kanë arritur në sezonin e provimeve të shtetit përmes të cilit fitojnë edhe të drejtën për të ushtruar profesionin. Krahas numrit të lartë të mbetësve në sezonin e fundit të provimit të shtetit, ka rezultuar problematik edhe niveli i njohurive të kandidatëve që kanë kaluar pragun minimal të pikëve për të fituar licencën profesionale. Situatë kjo që e bën të nevojshme shtrirjen e kualifikimit detyrimisht edhe në radhët e infermierëve, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të personelit mjekësor në vend. Aktualisht në procesin e kualifikimit janë përfshirë tre kategori, mjekët, dentistët dhe farmacistëve. Deri në mbyllje të vitit të ardhshëm kjo kategori profesionistësh duhet të ketë siguruar nga aktivitetet e kualifikimit 100-150 kredite, në të kundërt për të mbajtur vendin e punës do të duhet që të kalojnë përmes testimeve mbi aftësitë profesionale.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *