Cilësia: Procedurat për akreditimin e institucioneve mjekësore

Ornela

 

Me përjashtim të laboratorëve, të gjitha institucionet e tjera mjekësore duhet t;i nënshtrohen procesit të akreditimit, duke plotësuar standardet bazë të përcaktuara për ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientët. Kështu, pas licencimit të veprimtarisë përkatëse, të gjitha institucionet do i nënshtrohen verifikimit nga struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetësisë të përmbushjes së standardeve bazë për akreditim.

Ky proces ka nisur që në vitin 2005-2006 nga Doktor Isuf Kalo, i cili këtë material që është botuar në Këshillin e Ministrave e ka publikuar edhe në librin e tij: “Mjekësia, Pacientët, Shoqëria” botuar në vitin 2012.

Në vendimin e miratuar dje nga Qeveria përcaktohet se procesi i akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor realizohet nga këto struktura përgjegjëse: “Ministri përgjegjës për shëndetësinë, institucioni përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, si dhe Bordi i akreditimit. Grupet e inspektimit verifikojnë pranë institucioneve të kujdesit shëndetësor përmbushjen e standardeve bazë të akreditimit të miratuara nga ministri dhe hartojnë raportin përkatës me institucionet që kanë përmbushur ose jo standardet bazë të akreditimit.

Ky raport dërgohet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor. Institucioni përgjegjës për akreditimin, pas marrjes së raportit, njofton institucionin e kujdesit shëndetësor që ka plotësuar standardet bazë të akreditimit dhe e fton të vijojnë procesin e akreditimit. Pas marrjes së raportit për institucionet e kujdesit shëndetësor publik, që nuk përmbushin standardet bazë të akreditimit, Ministria e Shëndetësisë vendos me urdhër, masën përkatëse që ka të bëjë fillimisht me pezullimin e licencës për një periudhë 30 ditore. Nëse edhe pas kësaj periudhe institucioni i kujdesit shëndetësor nuk i ka përmbushur standardet bazë të akreditimit, atëherë Ministria vendos revokimin e licencës.

Vendimi i ministrit për pezullimin e shfuqizimin e licencës së institucionit të kujdesit shëndetësor jopublik publikohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve dhe i përcillet për njoftim Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Vetëvlerësimi

Institucioni i kujdesit shëndetësor, pas pajisjes nga institucioni përgjegjës për akreditimin me dokumentacionin e sipërcituar, merr masat për kryerjen e vetëvlerësimit. Institucioni i kujdesit shëndetësor vlerëson vetveten përkundrejt standardeve të akreditimit dhe harton raportin/et e vetëvlerësimit, të cilat dorëzohen, brenda dy muajve pas marrjes së ftesës, pranë institucionit përgjegjës, si dhe plotëson dokumentacionin e nevojshëm për akreditim.Në përfundim të vetëvlerësimit, institucioni i kujdesit shëndetësor dorëzon raportin e fundit të vetëvlerësimit dhe bën kërkesën për vlerësim të jashtëm nga ekspertët e përcaktuar nga institucioni përgjegjës për akreditim. Pas dorëzimit të raportit të vetëvlerësimit, institucioni përgjegjës për akreditim dakordëson me institucionin e kujdesit shëndetësor datën e vlerësimit të jashtëm brenda një afati 10 ditor. Kohëzgjatja nga momenti i marrjes së ftesës për akreditim deri në vizitën përfundimtare të ekspertëve të vlerësimit të jashtëm nuk duhet të kalojë periudhën 6 mujore.

Vlerësimi i jashtëm

Institucioni përgjegjës për akreditimin harton programin e vlerësimit të jashtëm akreditues dhe njofton paraprakisht titullarin e institucionit shëndetësor për programin që do të ndjekë ekipi i vlerësuesve të jashtëm dhe përbërjen e tij. Njëri nga anëtarët e ekipit zgjidhet si drejtues i ekipit. Vizita e ekspertëve të vlerësimit të jashtëm akreditues kryhet në datat e paracaktuara nga institucioni përgjegjës për akreditimin dhe institucioni i kujdesit shëndetësor. Institucioni duhet t’i ofrojë ekipit kushte optimale pune, pavarësi, mbrojtje dhe mbështetje nga çdo ndikim. Grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm harton brenda 2 javësh draftraportin e vlerësimit lidhur me përmbushjen me standardet dhe ia paraqet institucionit të kujdesit shëndetësor dhe institucionit të vetëvlerësuar për komente e sugjerime të mundshme. Grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm mund të marrë parasysh ose jo vërejtjet e institucionit të kujdesit shëndetësor dhe, brenda një jave, dorëzon raportin final të vlerësimit të firmosur nga të gjithë anëtarët e ekipit pranë institucionit përgjegjës për akreditimin, i cili i jep një kopje të këtij raporti institucionit të kujdesit shëndetësor. Pas marrjes në dorëzim të raportit final nga grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm, institucioni përgjegjës për akreditimin përgatit për mbledhjen e ardhshme të bordit të akreditimit dosjen e plotë të akreditimit. Ekspertët e vlerësimit të jashtëm paguhen me një tarifë ditore prej 10 000 lekësh, të cilat përballohen nga institucioni përgjegjës për akreditimin. Ministria vendos për akreditimin ose jo të institucionit të kujdesit shëndetësor, pasi shqyrton rekomandimet e bordit të akreditimit dhe vendos të miratojë atë ose ta kthejë për rivlerësim nëse e gjykon të arsyeshme brenda një afati 30ditor.

Bordi i akreditimit rekomandon për çdo institucion mjekësor :

  • Akreditimin e plotë për 5 vjet kur realizimi i standardeve optimale është >85 për qind.
  • Akreditimin e pjesshëm 1-3 vjet kur realizimi i standardeve optimale është >70 për qind.
  • Mosdhënien e akreditimit kur realizimi i standardeve optimale është <70 për qind.
  • Ministria përgjegjëse për shëndetësinë shpall publikisht listën e institucioneve të akredituara dhe të atyre që nuk kanë përmbushur standardet bazë për akreditim.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *