I nderuar lexues!
Kanionet janë lugina shumë të thella e të ngushta në trajtë grykash, me shpate të thikta gati pingule, me fund që zakonisht zihet i tëri nga një shtrat lumi ose përroi. Thellësitë e kanioneve mund të shkojnë nga disa dhjetëra në qindra metra. Në Shqipëri kanionet janë shumë të përhapura në të gjithë vendin, kryesisht në viset gëlqerore, por edhe në ato të përbëra nga shkëmbinj magmatikë. Më të njohurit janë: kanioni i Shoshanit në Valbonë, kanioni i Thethit, kanionet e Osumit, kanionet e Devollit, kanionet e Vjosës dhe degëve të saj, kanioni i Shkopetit (në lumin Mat), kanionet e shumta të Drinit dhe Drinit të Zi etj. Pamje madhështore ka kanioni i Gjipesë, i formuar në përroin me të njëjtin emër në bregdetin e Jonit.
