Qendra “PEW Center” ka publikuar një analizë mbi opinionet e evropianëve: nga mendimi i përgjithshëm për krizën ekonomike deri te stereotipet nacionaliste. Surprizat nuk mungojnë. Spanjollët konsiderohen si më pak arrogantët në BE, ndërsa gjermanët si populli më i besueshëm
Qendra PEW, një ndër institutet kryesore që merret me sondazhet e opinioneve në botë, ka publikuar një analizë mbi opinionet e 8 vendeve evropiane (Gjermani, Britani e Madhe, Francë, Itali, Spanjë, Greqi, Poloni dhe Republika Çeke) mbi disa çështje të Bashkimit Evropian. Pyetjet e shtruara i referoheshin krizës ekonomike dhe disa stereotipeve që i përkasin kombeve në përgjithësi. Vlen të theksohet se euroskepticizmi është përhapur gjithandej.
Ndaj pyetjes së parë nëse “i intervistuari ishte pro Bashkimit Evropian”, vihet re një bjerrje e qëndrimit pozitiv ndaj unionit. Ajo që bie në sy, është fakti se gjatë viteve 2012-2013, në Spanjë dhe në Francë përqindja e personave që kanë qenë mbështetës të Evropës së bashkuar ka zbritur nën 50%.
Mbështetja ndaj Projektit Evropian për integrimin ekonomik ka rënë po ashtu. Italia dhe Greqia janë vendet më skeptike, mbi efikasitetin ekonomik të BE-së. Në të dyja shtetet vetëm 11% e të anketuarve besojnë te rezultatet pozitive e këtij projekti.
Mbi bazën e një mesatareje të përgjithshme, mbështetja ndaj BE-së nga viti i kaluar ka rënë me -15%, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për integrimin ekonomik të tetë vendeve, e cila shkon në -6%.
Pyetjes se cila është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet ekonomike, me përjashtim të grekëve dhe polakëve, të gjithë mendojnë se është reduktimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike. Por, në rast specifikimi se ku duhet të aplikoheshin masat e shkurtimeve, të intervistuarit tërhiqeshin.
Cili komb në Evropë është më i denjë për besim dhe cili jo, kush është më arrogant dhe kush më pak, po vendi me popullsinë më të mëshirshme? Të anketuarit e tetë shteteve evropiane iu përgjigjën kështu:
Në kategorinë e “kombit më të denjë për besueshmëri” triumfon Gjermania, e cila mori përqindjen më të lartë të përgjigjeve pozitive (me përjashtim të grekëve që mendojnë se vendi i tyre është më i denji për të pasur besimin e gjithë Evropës). Ndërsa shtetet që falin më pak siguri për evropianët janë Greqia dhe Italia.
Gjermania është vlerësuar po ashtu si vendi më arrogant ndër të gjithë dhe pas saj renditet Franca. Ndërkohë Spanja merr përqindjen më të lartë në kategorinë e shteteve më pak arrogante.
Përsa i përket pyetjes se cili nga tetë kombet e BE-së është më i mëshirshëm secili prej tyre e identifikon veten me më të mëshirshmin në Evropë (e s’kishte si të ndodhte ndryshe). Ndërsa janë pothuajse të gjithë në një mendje kur bëhet fjalë për shtetin më pak skrupuloz: Gjermaninë. / Dorina Gjuzi
