CILËT JANË “YJET” E RINJ TË PD-së?

anazapta

 Më tepër sesa konsumimi tej mase i PS-së në 8 vjet qeverisje; më tepër sesa ndarja e saj në dy pjesë nga largimi i Metës me të tijtë, fitorja e PD-së më 2005 erdhi dhe për shkak të kuotave të ngritur vrulltazi të kësaj force politike në opinionin publik prej një karte tejet të efektshme, të quajtur KOP (Komiteti i Politikave Orientuese), që ngjante askohe, me gati-gati, ajkën e elitës shqiptare, që do e mirëqeveriste Shqipërinë, pas një tip qeverisjeje të majtë, të njollosur keq me hedonizmin e kreut të saj, Fatos Nano. Ishte pikërisht ai gjak i ri, që e pudrosi portretin e rrudhur politik të Berishës, duke e rinuar e rehabilituar më pas, aqsa t`i besohej sërish qeverisja.

Sot, nga ata figura shumë pak kanë mbetur, një a dy, ja dhe tre, mes tyre dhe Basha, e në 8 vjet, vështirë se mund t`u bëhet ndonjë bilanç se çfarë sollën e se çfarë i lanë vendit. Por çështja shtrohet se cilët janë “yjet” e rinj të PD-së, ata që nesër do aspirojnë për të udhëhequr Shqipërinë?! Nuk është ndonjë mister. Basha është një prej tyre, që vuan nga një paaftësi e lindur për t`u vetëfaktorizuar si një personalitet politik. Po pas tij? Po promovohet Arben Ristani. Ose Keltis Kruja.

Këto dy emra ishin dje në një konferencë për shtyp, në mbrojtje të Xhelal Mziut. Çfarë u thonë shqiptarëve këto dy emra?! Sidoqoftë, Ristani e ka një emër, por pa asnjë lloj shkëlqimi, as profesional e as intelektual, e madje me ca bëma të shëmtuara në profilin prej juristi. Teksti i djeshëm që lexoi para medias, ishte i një niveli rural: të ngjante si i hartuar nga ndonjë komunar i zemëruar me ndonjë bashkëfshatar të tij.

Për Keltis Krujën, deri më tani nuk ka asnjë të dhënë se ç`përfaqson si profil. Në krah të tyre ishte Aldo Bumçi, që ashtu siç shumica e emrave në lidershipin e PD-së, nuk ka arritur të rrezatojë diç të yllsishme në politikë. Por sado t`i marrrësh një e nga një, mjafton Basha që është në krye, figura më e diskutuar për nga papërputshmëria mes formimit të tij të cungët në shumë drejtime e galopit të jashtëzakonshëm politik krejt të papërligjur, për ta parë me dyshim një “rilindje” të shpejtë të PD-së.

Nga rubrika e përditshme: Monitorime

Share This Article
14 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *