Cili do jetë kryeprokurori i ri…

anazapta

Bujar Nishani njoftoi zyrtarisht shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, brenda muajit, përmes njoftimit se kishte thirrur partitë politike të jepnin mendimet e tyre për standardin e prokurorit të ardhshëm (!). Njoftimi zyrtar i Bujar Nishanit, i ngarkuar nga Berisha me çështje të Presidencës, ishte aq cinik, sa nuk e zinte fare në gojë kryeprokuroren në detyrë, por fliste për atë që do ta pasojë në detyrë. Pra, shkarkimi i saj është fakt i kryer dhe ndoshta dekreti është gati. Gati është natyrisht dhe kryeprokurori i ri, por e gjithë kjo skenë e talljes publike është një dëfrim i Berishës me kundërshtarët politikë dhe ndërkombëtarët.

 

Unë nuk e di me emër dhe mbiemër se cilin do bëjë kryeprokuror Sali Berisha, por di makthet e tij nga drejtësia dhe jam i gatshëm ta vizatoj portretin e kryeprokurorit të ri. Kryeprokurori i ri do të plotësojë kryesisht këto kushte.

 

Ai mund të jetë dikush mes atyre që i fali vrasjen e 26 qytetarëve në Gërdec, një biznes i mbështetur dhe lobuar nga i biri i tij, i cili nuk u thirr asnjëherë për hetim, edhe pse ka lënë gjurmët kudo në skenën e krimit.

 

Një tjetër tip i preferuar natyrisht që duhet të jetë prokurori që mbuloi vrasjen e Kosta Trebickës. Ai ka qenë një moment delikat për të dhe familjen e tij, pasi i ndjeri akuzoi të birin.

 

Një tjetër tip i lakmuar duhet të jetë ai prokuror që hetoi dhe gjykoi vrasjet e përgjakshme të Tropojës, që kishin në bazë hasmërinë e dy fiseve të futur në luftë për shkak të Sali Berishës. Dhjetëra djem të rinj vdiqën duke vrarë njëri- tjetrin. Ai prokuror që i mbylli ato vrasje pa asnjë vrasës, natyrisht që ka besimin e thellë të tij.

 

Një tjetër prototip me shumë shanse mund të jetë ai prokuror që arriti ta kthejë gjyqin e Remzi Hoxhës nga një çështje kriminale e urdhëruar nga lart, në një gjyq ordiner ku dënohet vetëm ai që nuk kapet, kurse të tjerët gradohen në pozita shtetërore.

 

Në ngeltë keq për këta tipa, mund t’i vijë radha dhe atij që mbylli gjyqin e Fazlliçit, ku implikohej studioja e vajzës së tij për pastrim paresh, edhe pse tani duket si çështje jo shumë e rëndësishme.

 

Të hënën do jetë debati për tre ligjet që kërkojnë shumicë në Kuvend. Është mirë që dikush t’ia thotë qartë, jo për shkak të Fierit, por për shkak të Sali Berishës, opozita nuk do t’i japë konsensusin për asnjë gjë derisa ta rrëzojë nga pushteti. Nuk ka asgjë më properëndimore, më progresive dhe më të përgjegjshme se sa të mos e konsiderosh më politikan normal dhe partner Sali Berishën, i cili është tani President i Republikës, kryeprokuror, kryetar parlamenti, kryetar i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, dhe kryeministër i vendit. Ç’i duhen tre ligje kur deri këtu ka arritur pa asnjë ligj?

 

Me shkurtime online nga gazetatema.net

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *