Kryeministri Edi Rama tha diçka dje duke dalë nga selia e Partisë Socialiste. Sipas tij, mediat ngrenë çështje, shpikin argumente, venë fjalë dhe insinuata në gojë të politikanëve dhe pastaj kërkojnë përgjigje për diçka që e kanë sajuar po vetë. Në disa raste mund të ketë ndodhur edhe kështu.
Por a ishte ky i djeshmi rasti? Tema për të cilën gazetarët këmbëngulën të pyesnin kreun socialist ishte, ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar. Dhe Rama dha përgjigjen e mësipërme.
Pak më vonë, aleati i tij në qeverisje, kreu i Kuvendit Meta, e bëri të qartë se qeveria “ka nevojë për impulse të reja”. Në fjalorin lakonik dhe disi prej sfinksi të Metës, nuk mund të thuhej më hapur se kaq, që kabineti duhet të ketë ndryshime.
Fakti që Meta shtoi më pas se gjithsesi “kjo është kompetencë e kryeministrit Rama”, nuk e bën më pak të vërtetë ekzistencën, tashmë të publikuar dhe “të dokumentuar”, të kërkesës për një kabinet të rifreskuar.
A do të ketë pra ndryshime? Le të kujtojmë se zërat për lëvizje në rang ministror, kanë nisur që përpara fushatës për zgjedhjet lokale të qershorit 2015.
A i ka nisur këto zëra vetëm media, apo janë frymëzuar nga zyra partiake? Shumë gjëra mund t’i vishen mediave dhe ndonjë prej pronarëve mediatikë, por konkretisht pakënaqësia e publikut prej punës së disa ministrive ishte dhe është e dukshme. Pakënaqësia e elektoratit socialist, po ashtu. Cfarë pret ky elektorat më shumë se thjesht ndryshimet e emrave? Pra cili është ndryshimi real në qeverisje që presin 1 milion votuesit e mazhorancës?
Besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohet Berisha, jo vetëm si person, por si precedent i rrezikshëm politik e financiar, ka filluar të humbasë. Njerëzit këtë qeveri e besuan dy herë edhe për ndëshkimin e krimit. Nuk është mirë të harrohet – shkruan Bedri Islami
Z.Rama e z.Meta! Bëni një marrëveshje për ndëshkimin e merituar të Sali Berishës. /DITA
*****************
Nga Bedri Islami
Në dy dekada e gjysmë, jo rastësisht, mbi këtë vend kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar e do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.
Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtëmendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme, por vendosëse deri në vrasje, shpërthimin e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviçit e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, në Shqipëri ndëshkueshmëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzistente.
Me një ulërimë vrastare, në pak kohë, klasa politike u bashkua përgjithësisht në një lukuni ujqërish, për të mbështetur fuqishëm njëri-tjetrin në një përballje që do të mund të vinte, dhe që, për fat të keq, nuk erdhi kurrë.
Mjerisht, ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen, e më pas edhe kombin.
Kjo klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti prej dy viteve, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stërvitet e ushtron presionin e saj të kudoqofshëm, deri në absurditet, por tashmë, krejtësisht jashtë rrezikut për të ardhmen e tyre, kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet, qoftë edhe përmes përbaltjes dhe kriminalizimit të shtetit të tyre.
Në këtë mjedis politik, lideri i këtij mendimi dhe precedenti politik të pashembullt, vazhdon të jetë i njëjti njeri, që fatkeqësisht hyri në politikë me bluzë të bardhë, për ta gjakosur atë pas pak viteve, si askush tjetër në një shtet demokratik. Edhe sot, megjithëse në dukje jashtë pushtetit, ai ka ende në vete mjaft nga fijet që e vërdallosin këtë pushtet, sidomos në disa nga strukturat kyçe të tij. E përsëri, si ndodh rrallë, mëria e tij ndaj Ramës, si dikur ndaj Metës, Majkos apo Nanos, pra ndaj kujtdo që e ka larguar nga pushteti, është aq e madhe, saqë do të kishte pranuar çdo lloj disfate e katastrofe, financiare apo politike, vetëm e vetëm për të arritur fitoren “e brendshme” të tij.
Mbi klanin politik berishist rëndojnë, le ta themi haptas, mjaft krime të pandëshkuara. Janë aq të shumta, sa që tani është e panevojshme ripërsëritja e tyre. Ky klan, familjar e politik, krijesë e një oligarkie politike e financiare të rrezikshme deri në skaj, është përgjegjës në një rëndesë të madhe, por jo i vetmi, në gjithë këtë katrahurë ku vërvitet një vend me resurse, me njerëz të aftë, por të pashpresë, dhe në të cilin, pasuritë e tij, si mos ma keq, janë shitur në koncensione të babëzitura.
Përse nuk do të gjykohen ata?
Së pari, sepse qeveria e sotme, megjithë premtimet elektorale, nuk ka këllqe ta bëjë këtë. E gjithë retorika e fushatës së para qershorit 2013, që solli ndezjen e një vale shprese tek njerëzit, ishte pikërisht ndëshkimi i krimit, ndëshkimi i së keqes dhe i njerëzve që e kishin sjellë atë, duke u shndërruar në sheikët shqiptarë, megjithëse nuk kishin asnjë “pikë naftë” në trojet e patrashëguara që kishin zaptuar politikisht.
Tani, çdo ditë e nga pak, shpresa po shuhet, qeveria bën sikur do të ndëshkojë, por në të vërtetë çdo gjë e kalon në kalendat greke, domethënë, në askund. Opozita bën sikur i hakërrohet qeverisë, por në të vërtetë e di se asgjë nuk do të ndodhë, dhe duke e ditur këtë trashin zërin, mallkojnë, sajojnë dhe shpifin.
Përse nuk dëshkon qeveria e sotme krimet që kanë ndodhur nën qeverinë e djeshme? Përse, të paktën për ato që ka dëshmuar dy vite më parë, nuk përgatit dosjet, të cilat të bëhen publike, të hapura për të gjithë, që një e vërtetë e ditur skutash ose e pëshpëritur, të bëhet pjesë e verdiktit të mendimit njerëzor?
Berishistët e dinë këtë më mirë se ne të tjerët. Edhe ata, pas vitit 2005, kur rierdhën në pushtet nga ndarja e së majtës në disa pjesë e shumë pjesëza, pas bubullimave lëshuan pak shi të butë dhe ata që “u lagën në mëngjes, u thanë gjatë drekës”. Të jetë kjo kthimi i një borxhi të vjetër? Qeveria duhet t’ua thotë njerëzve këtë të vërtetë.
Së dyti, pak para largimit nga pushteti, klani berishist lëshoi me dhjetëra konçensione vrasëse për Shqipërinë, që nga Lotaria Kombëtare e deri tek ato për kromin, bakrin, naftën, si kishte lëshuar më parë për Aeroportin e Rinasit, etj. Duke qenë oligarki dhe nën drojën e pushtetit despotik, vendimet kaluan nëpër frymën “kolegjiale” dhe si të tilla, tani, ata janë të pagjykueshme. Por edhe kur ato janë bërë nga një ministër i vetëm, si Ruli për shembull, jashtë çdo atributi juridik, përsëri kanë gjetur “selamllëkun” e qeverisë. Si është krejt e mundur, segmente të qeverisë së sotme, medet, janë bërë pjesë e vjeljes së këtyre konçesioneve, për të cilat ishin betuar se do ua kthenin qytetarëve si një përfitim për to. Duke qenë tashmë pjesë e përbashkët, askush të mos presë ndëshkimin për krimin.
Së treti, askund tjetër nuk ka e nuk do të ketë një sistem drejtësie kaq të implikuar me krimin, sa ky që kemi sot në Shqipëri. Shumë prej tyre, sidomos në postet kryesore, kanë kaluar nga zyrat e pushtetit për të mbrojtur pushtetin dhe për të qenë, së bashku me të, pjesë e rrjepjes së shtetit. Që nga presidenti Nishani e deri tek ata që janë ulur në shumicë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Mafia e drejtësisë së sotme është e lidhur fuqishëm me politikën, është pjellë e saj, ndaj askush të mos mendojë se është një pjellë që mund të “hajë” rritësit e saj. Por, edhe nëse do të donin, në zyrat berishiste janë aq shumë dosje për to, aq shumë përgjime për çfarë kanë bërë e çfarë kanë arritur të bëjnë, janë të dhënat për transfertat e parave në parajsat fiskale, jo vetëm në bankat qipriote; aty gjenden transaksionet që kanë bërë, fitimet që kanë përfituar, vilat e ngritura si me magji, me gjthë rrogën e zakonshme; ashtu si, në rast të kundërt, mund të vijë edhe ndëshkimi. Rasti i gjyqtarit Konomi nuk është i largët, e po ashtu nuk është i largët as rasti Trebicka. Qeveritarët e djeshëm janë aq të aftë saqë, pasi të zhdukin, të premtojnë të të bëjnë fjalimin më të bukur që është mbajtur ndonjëherë në një varrim publik.
Ideja e hedhur se, pas miratimit të reformës së re të drejtësisë, gjërat do të çuditin gjithë dynjanë, nuk të ngjallin shpresën e pritur, pasi, duam apo nuk duam, klasa politike berishiste, për fat të keq, edhe është larguar nga pushteti, edhe është në pushtet.
Edhe nëse nuk janë disa nga njerëzit e saj, është aty mentaliteti që sollën me vete: Të rrjepin shtetin, duke shfrytëzuar pushtetin. Ndryshe nga sa është pritur, dukja e tashme e qeverisë së sotme, të ngjan me atë që shkoi, megjithë dëshirën e mirë të shefit të qeverisë për të bërë shtetin.
Shteti, që kur është krijuar, më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkueshmëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo, për fat të keq, do të jetë si ato kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë…
************
Shkrimi i plotë i z.Islami mund të lexohet KËTU

Ato 1 milion vota jane te Rames, por dhe te Metes! Qe ishte ne qeveri mepare me Berishen! Pra nuk jane te gjitha vota ndryshimi. Ato te LSI jane vota vazhdimi te ndenjes ne qeveri. Prandaj dhe jane shtuar! Thjesht per te vazhduar jeten ne pushtet! Kaq!
Cfare thote Eshrefi nga Smokthina per keto ceshtje?! Ka valle ndonje prapaskene?!
Z.Thano ,krijoni nje parti me bashepunetoret tuaj Islami,Stefani dhe me intelektuale te tjere te mirefillte ,nga dyshja Rama -Meta nuk ka zgjidhje ,ato mendojne te rrjepin akoma cfare ka lene Saliu.
Shikoni skandalin e Chez dhe sa e sa te tjere , si jane zhdukur pasurite e vendit,hajdutet nuk mund te kapin hajdutin .Populli po pret nje parti tuajen,kohe nuk ka me !
Po mire more artikullshkrues, nuk e kupton ti qe Berisha-Meta jane ne nje koalicion te fshehte e qe nuk ka zot qe i rrezon apo tu tregojne deren e burgut?
Mire e ke o Moisi,te krijojme edhe ca shushunja te tjera,qe te na heqin edhe piken efundit te gjakut se pak i kemi 100 parti deri tani.Parti fantazma qe kane vetem kryetar dehe nuk kane asnj vote kur behen zgjedhie.Populli kerkon drejtesi dhete deshkohen te gjith ata qe kane vene doren ne djersen e popullit.
Keshtu eshte kur ca mashtrues ordinere arrijne te indoktrinoje imazhe te shtremberta ne publik, me pikesynim te vetem forcimin e pushtetit te tyre personal. Tendenca per te demoralizuar perfaqesuesit e mediave kritike te lira, tregon se jane te vendosur per te mos kryer ndryshimet e shumepritura nga elektorati qe i zgjodhi.
Ndeshkime nuk ka patur dhe as do te kete! S’doi te kete se edhe keta jane po aq te zhytur ne gropen skeptike, sa dhe qelbesirat e sojit tjeter. Kane marreveshje me njeri-tjetrin per te rropatur shtetin, dhe pike!
Rrugezgjidhja e vetme per shpetim mbetet revolucioni. Kush nuk arrin ta kuptoje kete gjekaq te thjeshte eshte tamam RR. K.
ai doli ne me te salles, se i vune kushtin qe ju do te beni gjysmen e salles te qeshi dhe gjysmen te qaj. pranaj vuri nje perde dhe hoqi pantallonat, qe ta shikonin ata prapa te cilet i pane prapanicen dhe qeshnin.
ndersa ata qe degjonin pjese dramatike filluan te perloturat e qanin.
kush qesh e kush qan nga kata aktoret tane te politikes te pangopur vetem per veten, per ata qe duhet te qeshin
populli le te qaje…
Banditizmi i prijësave shqipëtarë buron nga struktura jonë genetike !
Le të hidhemi përpjetë , sa të duam , vetes nuk i shpëtojmë dot , ne jemi këta që jemi !
Si dje, edhe sot, fajin e kërkojmë jashtë vetes . E vërteta është se , si dje edhe sot , fajin e kemi vetë !