“Cinématographe” dhe shfaqja e parë e filmit

DITA Online

 

Nga Luan Rama

(Në vazhdën e “Impresione parisiane”)

Për nostalgjikët e kinematografisë, Parisi është një lloj “Meke”, veçanërisht për fillimet e këtij arti. Kur erdha fillimthi në Paris ishte një “javë e filmit shqiptar” në kinemanë “Renelagh” dhe ishte e kuptueshme që më pas kur do të vija përfundimisht, edhe pse diplomat, kjo nostalgji do të qëndronte gjithnjë e ndezur, çka më shtyu të rigjej vendet mitike të kinemasë për të cilat kisha shkruar në revistën “Skena dhe Ekrani”, por që më shumë më kishte folur miku im regjisori Gëzim Erebara.

Dhe pa qenë asnjëherë në Paris, ai i njihte po aq mirë sa dhe historiani i kinemasë Gerges Sadoul vendet e krijimit, sheshet e xhirimit të filmave më në zë të kinemasë së “romantizmit poetik francez” duke filluar me Jean Vigo, Jean Renoir, René Claire, Duvivier e René Clement, apo ata të “Valës së Re” në vitet ’60 me J. L. Godart, F. Truffaut, C. Chabrol apo regjisorin tjetër Alain René, autorin e filmit “ Hiroshima mon amour “.

Sigurisht, do të doja të isha me Erebarën por ai kishte mbetur tashmë në Tiranë dhe unë në Paris për të shkelur rrugët nga kishte ecru kinematografia franceze. E padyshim, takimi i parë do të ishte “Hôtel Scribe”, me “sallonin e tij indian”, ku edhe sot ka mbetur ajo pllakë që na njofton se më 28 dhjetor 1896, aty ishte bërë shfaqja e parë publike e një arti të ri që do të lindë, kinematografisë. Një pllakë përkujtimore, një datë, një piketë në historinë e arteve… Gjenia njerëzore ishte gjithnjë në kërkim të arteve të reja…

Vëllezërit Lumière – shpikësit e “Cinématographe”-it

Dhe kjo kishte ndodhur në Francë, në Paris. Një ditë, Antoine, ati i vëllezërve Louis e Auguste Lumière, bashkë me Georges Mélies, kishin parë në atelierin e një miku aparatin “Kinetoscope” të shpikësit amerikan Edison, i cila sapo ishte sjellë në Paris që përtej Atlantikut. Ishte një aparat i çuditshëm me 8 filma të “perforuar” (me vrima anash) dhe i gjatë 17 metra, me gjerësi 35mm secili. Ky aparat i tërhoqi shumë dhe ata shkuan të shohin mrekullinë e parë të këtij aparati në teatrin e Mélies, “Robert Houdain”, ku para aktorëve dhe punonjësve të tjerë, mund të fusje një monedhë prej 25 cent dhe të shikoje një imazh të animuar gjatë 30 sekondave, personazhe këto në një sfond të zi, siç ishin dhe dy boksierë që bënin boks. Por Edison nuk kishte menduar për projektorin e filmit që mund ta shihte një turmë njerëzish njëherësh.

Si aktor dhe prestigjiator i njohur që ishte, Mélies-it kjo gjë i la mbresa të thella dhe që nga ai çast ai filloi të mendojë, por dhe Antoine Lumière nga ana tjetër, i cili sapo shkoi në Lyon ku kishte djemtë e tij dhe uzinat e filmit Lumière, kur hyri në shtëpi, duke u hedhur përpara një copë nga filmi i Edisonit, u tha : “Ja çfarë duhet të bëni, pasi Edison i shet këto me një çmim të kripur dhe sipërmarës të shumtë në Francë po kërkojnë ta komercializojnë… “

Kështu, dy vëllezërit Lumière nisën të mendonin për të konceptuar krijimin e një aparature të ngjashme, por kjo nuk ishte e lehtë. Proçesi i lëvizjes së filmit dukej i vështirë dhe pas dy muajsh, një ditë, kur Auguste ishte i sëmurë, pas një zhgjëndre cfilitëse ai kishte imagjinuar sesi mund të krijohej kjo lëvizje dhe të realizohej teknikisht animacioni i filmit, pra gjallërimi i fotografive. Pas dy muajsh aparati ishte gati. Po kështu dhe filmi si material.

Por çfarë do të shfaqnin për të demostruar mrekullinë e këtij aparat ?

Atëherë ata menduan xhirimin e një filmi dhe ky do të ishte “Dalja ne puntorëve nga uzinat Lumière” në Ciotat. Ata pritën një ditë me kohë të bukur dhe pa njoftuar puntorët që ata të mos bëheshin kureshtarë, ata e morën aparatin dhe e vendosën në ndërtesën përballë uzinës së tyre “Montplaisir” që ndodhej në Rue Victor, në apartamentin e një miku të tyre.

Që lart nga dritarja e tij, në çastin kur u hapën dyert dhe kur puntorët dolën nga puna, Auguste Lumière filloi të lëvizte me dorë manivelin dhe të filmonte. Ishte filmi i parë që do t’i fliste krijimit të kinematografisë. Që nga ajo ditë, vëllezërit Lumière bënë disa projeksione të tjera në Lyon dhe në Paris, si në Sorbonne, etj, për të demostruar aparatin e tyre, por shfaqja e parë publike në konceptin e sallave të kinemasë do të bëhej më 28 dhjetor të po atij viti, pra më 1895, në 14, boulevard des Capucines, ku salla u mbush me artistë, gazetarë dhe personalitete të njohura, mes të cilëve dhe njeriu i spektaklit Georges Mélies.

Imagjinova një çast spektaklin e asaj pasdite, “Sallonin Indian” (“Le Salon indien”) në hollin e hotelit “Scribe”, ku një afishe njoftonte shfaqjen me çmimin 1 Franga: “Cinématographe Lumière, Entrée 1 Franc”. Poshtë në një sallë që dikur ishte një vend bilardoje, dy vëllezërit Lumière kishin vendosur aparatin e madh dhe pastaj ishin fikur dritat. Në heshtjen e sallës dëgjohej zhurma e aparatit dhe ja ku puntorët e uzinave Lumière të quajtura “Montplaisir” filluan të dalin. Ishin imazhet e pra të një arti të ri që ende s’kishte lindur. Heshtje, habi, thirrje gëzimi dhe në fund duartrokitje të shumta. Ishte thjeshtë një copëz jete që shfaqej para tyre.

Mélies gjatë xhirimit.

“Kur i pashë ato imazhe, – do të kujtonte më pas Mélies, – ku puntorët po ecnin drejt nesh dhe disa minuta më vonë një tren që përshkonte perden vërtitej mbi atë auditor, dhe kur ne të gjithë mbetëm të shtangur, menjëherë i thashë vetes: “Ja diçka që më intereson shumë, një gjetje e jashtëzakonshme!” Atë mbrëmje, krahas këtij filmi të hskurtër u shfaqën dhe nëntë filma të tjerë si Kopshtari, Dreka, Deti, Ujitësi i lagur, etj. Mélies menjëherë u propozoi Lumiere-ve t’ua blente për 10.000 fanga. Duke dëgjuar këtë, drejtori i muzeut “Grevin” u propozoi 20.000 ndërsa drejtori i teatrit “Folies-Bergere”, 50.000. Por Lumiere-t nuk u joshën nga paratë, madje në projeksionet e ardhshme ata vendosën dhe një pianist që shoqëronte shfaqjen.”Dëshiroj që spektatori ta harrojë ekzistencën e një ekrani ku projektohen personazhet që lëvizin dhe që ai të jetë thjesht para një dritareje të hapur në jetën reale” – shkruante Auguste Lumiere.

Georges Mélies nê atelierin e tij në Montreuil.

Që nga ajo natë kinematografia do të bënte udhën e saj dhe Mélies ishte i pari ai që e ktheu filmin nga një shfaqje e zakontë, pra nga industria në art, çka vëllezërit Lumière nuk e kishin imagjinuar kurrë.

Ishte ai që realizoi “Udhëtimi në hënë”, një nga befasitë më të mëdha të histories së klinematografisë, ku tashmë filmi nuk shikohej thjesht si një regjistrim i realitetit, por si një rikrijim i këtij realiteti, si një fiksion, ku aktorët mishëronin ngjarje, drama, histori njerëzore.

Ky ishte “arti i shtatë” që lindi në studiot Mélies në studio e tij në Motreuil, në periferi të Parisit. Shumë vite më parë, disa nga filmat më të rëndësishëm të Mélies u restauruan, madje u kthyen me ngjyra dhe nga ngazëllimi i madh si një ish kineast, i propozova ministrit të Kulturës së asaj kohe gjatë viteve ’90 që të organizohej një veprimtari për krijuesin e artit të shtatë në Tiranë, madje dhe një ekspozitë me fotografitë e “Arkivit të Planetit” të Albert Kahn, me fotografitë autokrom me ngjyra e realizuar nga M. Léon në vitin 1913 gjatë një udhëtimi në Shqipëri.

I mjeri Mélies, ne fund perfundoi nje shites kinkalerish ne stacionin e trenave nê Montparnasse.

Menjëhere takova mbesën e Mélies, e cila u tregua e gatshme të prezantonte filmat e gjyshit të saj, por Shqipëria mesa dukej kishte prioritete të tjera në këtë kohë dhe s’kishte nevojë të shikonte “ Udhëtimin në hënë “ të Mélies. Kështu si Mélies ashtu dhe fotot e arkivave të Albert Kahn, nuk do të shfaqeshin.

Jo rralle fati i gjenive eshte i trishte!

Fillimet e vëllezërve Lumière si dhe të Mélies, etj, ç’ka më kujtojnë gjithashtu ditët kur i magjepsur nga filmat e vjetër të viteve ’20 të ekspresionizmit gjerman me “ Nibelungen “ dhe “ Metropolis “ shikoja në sallën e rezervuar për miqtë nga Abaz Hoxha, në arkivat e Kinostudios, ato filma pra n’a kujtojnë gjithnjë lidhjen që kishin pionerët e parë të fotografisë me Francën, ku merrnin materialet fotografike, pllakat e xhamit apo filmat për t’i projektuar në kinematë e para në Shqipëri, siç bënte artisti Kolë Idromeo me studion e tij të quajtur “Dritëshkronja”.

Sot, kur shikon pllakën që ndodhet në ish sallonin e dikurshëm indian të “Hôtel Scribe”, mund të imagjinosh atë udhë të lavdishme të kinematoghrafisë, ku Franca padyshim zuri një vend të veçantë me autorët dhe veprat e tyre, me aktorët e shquar të ekranit, shumica e të cilëve sot nuk janë më.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *