Spektakël marramendës dhe gola të shumtë në “Anfield Road”, ku Liverpuli fitoi 3-2 me Manchester City, duke iu afruar shumë titullin kampion, të parit pas 24 vjetëve. Skuadra më e mirë angleze në Evropë kryesonte me trofe edhe në vendin e saj deri tre vjet më parë, kur Aleks Ferguson realizoi ëndrrën shumëvjeçare për të bërë Manchester United klubin me më shumë tituj në Angli. “Djajtë e kuq”, kampionë në fuqi, kanë 20 tituj, ndërsa Liverpul 18, por me sa duket, muajin e ardhshëm diferenca do të shkojë në një. Pas 34 javëve, skuadra e Brendan Rodgers ka 77 pikë, dy më tepër se Chelsea dhe shtatë më tepër se City, që ka dy ndeshje më pak. Lufta është e hapur midis këtyre tri skuadrave, por të kuqtë janë më mirë aktualisht, aq më tepër që, krahasuar me blutë e Londrës, nuk kanë kompeticion tjetër për t’u shpërqendruar apo harxhuar energji. Në ndeshjen e djeshme, vendasit kryesuan 2-0 pas një starti fantastik në pjesën e parë, madje shifrat mund të kishin qenë më të thella. City, të cilit iu dëmtua Jaja Turé, filloi të ngulmonte më tepër në dhjetë minutat e fundit para pushimit, por e shkurtoi diferencën vetëm në pjesën e dytë, me Silvën. Pesë minuta më pas, Xhonson shënoi autogol, duke riekuilibruar takimin, por Liverpuli nuk u dorëzua dhe u shpërblye kur shënoi golin e tretë 12 minuta para përfundimit. Me fitore u përgjigj edhe Chelsea, që fitoi 1-0 në Swansea, me golin e shënuar nga Demba Ba, heroi i fitores kundër Paris SG në Champions League, ku shënoi golin që solli kualifikimin. Ndërkaq, Arsenali, i dalë jashtë zonës Champions për momentin, ka njohur edhe kundërshtarin në finalen e Kupës së Anglisë. Përballë do të ketë Hull City, i cili dje mundi 5-3 Sheffield United.
