Çka fitoi me NATO-n, Kosova po e humb me Isën e Thaçin…

redaktor

Gjatë vitit të fundit Kosova po kalon situata tejet të tensionuara për shkak të politikës së qeverisë së saj. Krijimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve, dëshmon se Kosova po e cungon pavarësinë e fituar me gjak. Edhe kufirin me Malin e Zi nuk e vendosën njohës të çështjes, por të ngarkuarit e pakualifikuar të qeverisë. Të dyja këto marrëveshje janë gatuar nga Hashim Thaçi, por lustrën e fundit ja dha kryeministri Isa.

Marrëveshja e Brukselit për ngritjen e kësaj bashkësie midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë është marrë nën presionin e Bashkimit Europian, në të mirë të Serbisë dhe të keqe të Kosovës, prandaj është e papranueshme nga opinioni i shëndoshë kosovar. Ka qenë zonja Mogherini, që me presionet e saj ndaj kryeministrit të Kosovës, bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje. Prapaskenat e saj nuk i dimë plotësisht, por padyshim korrupsioni është në vendin e parë. Serbia e ka traditë të paguajë shuma të mëdha për të vënë në jetë planet e saj.

Në shumë shtete të botës ka pakica kombëtare dhe plus kësaj ka edhe probleme në trajtimin e tyre, por në asnjë vend nuk u veprua si në Kosovë. Në disa shtete të BE ka pakica kombëtare, që kanë probleme me trajtimin e tyre: Sllovakia dhe Rumania probleme me pakicën hungareze, Spanja me Baskët, Greqia ka problemin e madhe me minoritetet, sepse nuk i njeh fare. Por asnjeri prej këtyre shteteve problemet me pakicat kombëtare nuk i trajton në Bruksel, por në vendin e tij. Pse për Kosovën bëhet ky përjashtim? Përgjigja është e lehtë: sepse për këtë ka kërkesa nga Serbia.

Burokratët e Brukselit për politikën e jashtme dhe sidomos Ashton dhe tani Federica Mogherini, janë interesuar posaçërisht të ulin së bashku kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës dhe qëllimi ka qenë për t’i ardhur në ndihmë Serbisë. Që në nisjen e këtij dialogu u filluar qëllimisht mbrapsht.

Bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe të Serbisë janë futur në një rrugë të shtrembët dhe të dëmshme për Kosovën, e cila me sakrifica të mëdha pas 100 vjetësh pushtim, fitoi pavarësinë. Këto bisedime, që frymëzohen nga Serbia dhe mbështeten nga BE, po kthejnë një kapitull të ri lufte shqiptaro-serbe në Ballkan.

Bisedimet në Bruksel duhet të përqëndrohen në diskutimin e problemeve që ka midis Serbisë dhe Kosovës, që janë të shumta, dhe që rëndojnë sidomos mbi popullin e Kosovës. Probleme të rëndësishme për t’u zgjidhur nga Serbia, që duhet të ishin objekt diskutimi në Bruksel janë: -Heqja e neneve nga Kushtetuta e Serbisë, që Kosovën ende e mban si krahinë autonome

të Serbisë, megjithëse Kosova tashmë është shtet i pavarur. Kjo është e papranueshme në marrëdhëniet midis dy shteteve, por për Isën, Thaçin dhe Mogherinin kjo është krejt normale.

-Gjetja e të gjithë të vrarëve nga regjimit serb i Miloshevic-Sheshel-Nikolicit,

-Kthimi i dokumentacioneve të grabitura në Kosovë nga forcat pushtuese serbe,

-Njohja e pensioneve të qytetarëve të Kosovë, që kanë punuar gjatë kohës që Kosova ka qenë pjesë e Serbisë,

-Kthimi i parave të depozituara nga qytetarët e Kosovës në bankat jugosllave, të bllokuara nga Serbia,

-Keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës ose të huaj në kufirin Kosovë-Serbi,

-Të sigurohen të drejtat e plota të popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevë dhe shqiptarëve në Serbi etj.

Të gjitha këto duhet të jenë problemet, që duhet të diskutohen në Bruksel, për rregullimin e marëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve. Por serbët vazhdojnë politikën e Milosheviçit, për të kthyer në Kosovë sërish kthetrat e Serbisë dhe më pas dhunën e saj.

Në këtë politikë jo korrekte, që ndjek Serbia ndaj Kosovës, ajo ka gjetur mbështetjen e plotë nga kryeministrat Isa -Thaçi dhe shpura e tyre në Kosovë dhe nga shefja e diplomacisë së BE Federica

Mogherini, e cila edhe më shumë po e tregon veten dashamirëse e madhe e Serbisë në korriz të Kosovës.

Duke qenë bashkëpuntorë të zellshëm në këto bisedime, Mustafa dhe Thaçi megjithë kundërshtimet e mëdha të popullit të Kosovës dhe opozitës kosovare, nuk duan aspak ta gjykojnë dëmin e madh, që i kanë sjellë Kosovës dhe t’i rishikojnë marrëveshjet e bëra, ashtu siç veprohet në vendet e tjera në këto raste.

Ka shumë shembuj marrëveshjesh të padrejta, që më pas janë kthyer dhe rregulluar. Po përmend këtu njërën prej tyre. Para disa vjetësh qeveritë e Kinës dhe të Tajvanit nënshkruan një marrëveshje për marrëdhënie të ngushta midis dy shteteve. Në Tajvan u ngritën mjaft kundërshtarë të kësaj marrëveshjeje dhe pas disa grevave, qeveria e Tajvanit e anulloi marrëveshjen dhe e diskutoi sërish me Kinën, duke rregulluar disa nene të saj. Asgjë e keqe nuk ndodhi, përkundrazi, u qetësua situata dhe u bë një marrëveshje e re më e mirë.

Marrëveshja e re me Malin e Zi nuk ka pse të mos bëhet, në një kohë që kryeministri malazez u afrua vetë për ta riparë problemin dhe për ta rregulluar marrëveshjen.

Edhe në zgjedhjen e presidentit Kosova po shkel të gjitha rregullat demokratike. Ajo përgatitet të zgjedhë një president kukull, përfaqësues i klasës korruptive dhe kriminale, me mekanizmin e detyruar të votave në kuvend, shumë larg mënyrave demokratike, që përdoren në botën e qytetëruar. Këtë mënyrë jo demokratike ka zgjedhur Mustafa dhe partia e tij, që Thaçi të bëhet president dhe, sepse e dinë që rruga demokratike do të sillte si president njeri larg allishverisheve, që do ti dënonte marrëveshjeve në dëm të Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës le të marrin shembull nga presidentja kroate, që nuk pranon të takohet me presidentin serb, pa plotësuar disa kushte dhe këto kushte janë po ato çështje që ka Kosova me Serbinë. Në bisedime me Serbinë duhet ulur, vetëm kur ajo të plotësojë detyrimet e saj ndaj Kosovës dhe jo kur e don Serbia e mbështetur nga Mogherini.

SHQIPËRIA DHE KOSOVA

Janë mjaft probleme, që duhen rregulluar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria, “vendi Amë” i të gjithë shqiptarëve të botës popullin e Kosovës e don dhe e respekton. Udhëheqjet partiake shqiptare, të majtë dhe të djathtë, duket se e kanë humbur interesin për të, gjë që e mirëpret Serbia dhe dashamirësit e saj në BE.

Kjo u vërtetua edhe në mbledhjet e fundit në Bruksel, ku Kosova mori një shuplakë të fortë, duke u miratuar marrëveshjet e propozuara nga Serbia në dëm të saj. Të dërguarit shqiptarë: nga Kosova Xhavit Haliti, nga Shqipëria Valentina Leskaj dhe Sali Berisha, dhe nga Maqedonia Ermira Mehmeti, e lanë në mëshirë të fatit Kosovën, megjithëse paguhen nga parat e shqiptarëve. Këta katër përfaqësues shqiptarë në Bruksel nuk do t’i harrojë kurrë historia, si njerëz që shkojnë në Bruksel me paratë tona, për të mbrojtur interesat tona. Më e çuditshme është se partitë e tyre heshtin për këtë!

“Udhëheqësit shqiptarë dhe kosovarë” nuk duan as bashkimin e dy shteteve shqiptare, por nuk kanë interesa as edhe për shqiptarët jashtë Atdheut, që i kanë lënë në mëshirë të fatit, qofshin këta refugjatë apo shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre etnike.

Ka ardhur koha, që shqiptarët të hapin sytë, të kthjellojnë mendjen dhe të ndërgjegjësohen, sepse nesër mund ti humbasin të gjitha liritë, që na i lanë trashëgim baballarët dhe të fituara me gjak dhe mund të kthehen në skllevër.

FEDERATA SHQIPTARE

Është koha të shtojmë presionin nda atyre, që kanë marrë pushtetin me vjedhje dhe blerje

votash dhe ku deputetët i blejnë vendet në kuvend. Ka ardhë koha për të ngritur në Ballkan shtetin tonë shqiptar të përbashkët, sepse nesër do të jetë shumë vonë. Forma më e mirë do të ishte themelimi i Federatës Shqiptare në Ballkan, me dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë. Federata do të kishte dy qeveritë vendore dhe qeverinë qëndrore. Presidenti të zgjidhej nga populli, por fillimisht të ishte nga Kosova. Ky shtet i përbashkët i shqiptarëve do të rregullonte më mirë marrëdhëniet me shtetet fqinje, do të priste kthetrat e huaja të zgjatura në territorin shqiptar si dhe do të kishte kujdesin e duhur, në përputhje me kushtetutën, për shqiptarët jashtë atdheut, që ata të ruanin dhe zhvillonin jetën e tyre kulturore dhe ekonomike.

Mendoj se kjo platformë do të ishte në përputhje me interesat tona në botën e sotme mjaft të trazuar, ku shtetet e mëdha mundohen të shtypin më të vegjlit. Europianët sot na shohin si lypsa rrugësh, sepse varfëria nga vjedhjet dhe korrupsioni i klasës politike, na ka kthyer më të varfër dhe më të përbuzur se sa kemi qenë më parë.

Por të ruajmë qetësinë dhe ta shohim realitetin tonë me syrin kritik, sepse përgjegjësinë për gjendjen tonë të mjeruar e kemi vetë. Vendin e kemi shumë të pasur, më të pasur se Zvicra, Gjermania, Austria apo Çekia. Vendin e kemi plot diell, ujëra të pastra, dete e liqene, male e fusha minerale me shumicë, njerëz të ditur, të shkolluar dhe punëtor dhe gjithçka që i duhet njeriut për të jetuar në bollëk. Por kemi një të metë të madhe: zgjedhin në krye më të këqijtë, ata që punojnë vetëm për vete dhe nëpërkëmbin bashkëqytetarët. Por nga këta të këqij që zgjedhim vetë, nesër ata zgjedhin qindra mijë të tjerë në poste drejtuese, që të na pijnë gjakun. Nga kjo gjatë 25 vjetëve të fundit, në vend të ecim përpara, si gjithë vendet e tjera dhe ti bënim njerëzit tanë të lumtur në vendin e tyre, kemi ecur sa majtas aq djathtas dhe në fund bilanci është se kemi bërë hapa prapa në shumë drejtime.

Duhet më shumë durim dhe punë, duke zgjedhur për të drejtuar vetëm më të mirëve, që na rrethojnë, për ta administruar dhe drejtuar më mirë vendin. Nuk është zgjidhje të ikim dhe ta lemë vendin, sepse në vendin e huaj do të jesh “i huaj” gjithmonë, edhe fëmijët tanë do të jenë të huaj dhe të përçmuar. Prandaj të luftojmë bashkërisht në vendin tonë për ta përmirësuar gjendjen dhe njerëzit të jetojnë më mirë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *