Që kur ka filluar të shfaqet, të vihet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe të analizohet kriza aktuale greke dhe tiparet e saj, këtu e të paktën tre vitet e fundit, është bërë gjithnjë e më shumë e qartë për ne sesa shumë ngjashmëri ka në disa aspekte, botëkuptimi dhe mënyra e funksionimit të shoqërisë dhe politikës greke, me atë shqiptare të dy dekadave të fundit. Korrupsion, nepotizëm, zhvatje sistematike të arkës shtetërore, evazion tatimor i përhapur në sistem kapilar, pa harruar sigurisht trafiqet dhe krimin. Tarafe politike, fshehje shifrash, propagandë dhe krijime iluzionesh, politizim i një shoqërie të tërë dhe çuarje dëm, apo kanalizim periodik i gabuar i energjive të një populli të tërë.
Edhe duke lexuar përmbledhjen dhe pasqyrën mjaft të saktë dhe inteligjente që Teuta Baleta i bën librit të James Angelos mbi shkaqet e krizës greke, bëhet e qarta sesa tmerrësisht shumë simptoma të përbashkëta kanë dy vendet fqinje. Dhe menjëherë të shkon mendja tek një paralajmërim “profetik” që ish kryeministri Berisha bëri për pasardhësin e tij në pushtet, se Edi Rama do sillte në Shqipëri skenarin grek, edhe pse nuk u bë e qartë se për ç’arsye do t’i interesonte Ramës kjo.
E vërteta ngjan se është paksa ndryshe. Njeriu dhe politikani që e dinte më shumë se shumëkush se ç’shtet, çfarë financash, çfarë shoqërie dhe me ç’metoda drejtonte, e kishte të qartë se “skenarin grek” e kishte shtruar këmbëkryq ai vetë, me bëmat dhe të pabërat e veta, duke e nisur nga periudha e parë e pushtetit dhe duke e përmbyllur “suksesshëm” me të dytën.
Nëse mund të perifrazohet mënyra sesi ka funksionuar shoqëria dhe shteti grek për mbi tre dekada, me modelin e Berishës por edhe të qeverive të mëparshme, ajo është mjaft e ngjashme: “Vidh shumë dhe lër të vjedhin nga pak”. Por vjen një moment që ky sistem kërcet, kriset dhe në fund thyhet.
Ironikisht, kryeministri dhe qeveria e sotme, po tenton të zbatojë pikërisht ato masa që qeveritë greke të krizës po vënë në jetë aktualisht: Nga llogaridhënia e munguar fiskale, tek përpjekjet për të bërë të ndjeshme praninë dhe forcën e shtetit në çdo sektor tjetër. Deri tani sukseset dhe dështimet janë shumë pranë shoshoqit. Dhe vini re, po njësoj ata që po vuajnë më shumë janë të dobëtit, të varfrit dhe të papërkrahurit, teksa ashtu si në Greqi, ata që kanë vënë dhjamë dhe kanë fshehur në kohë kamjen e tyre, nuk ndihen. Madje jo rrallë dalin dhe të fituar dhe japin mend. Atëherë a nuk mund të nxjerrim konkluzionin se kemi qenë prej kohësh në krizë dhe nuk e kemi ditur?
Ky në fakt nuk është konkluzion i ri. Ashtu siç dihet, nga ana tjetër, se cilado krizë shqiptare nuk mund të marrë vëmendjen, të ketë pasojat dhe jehonën e kësaj krize greke, që u shndërrua sakaq në krizë të vetë monedhës evropiane. Por ajo që mund të nxjerrim si mësim nga ky krahasim, është se BE-ja nuk e përsërit dy herë gabimin me Greqinë: ta anëtarësojë, ta ngopë me fonde dhe vetëm 30 vjet më vonë ta kuptojë se e kanë gënjyer paksa.
Ndaj dhe ky lloj presioni i Ramës ndaj BE-së për të përshpejtuar hapat e anëtarësimit, sado që do na pëlqente, zor se do pijë ujë. Pa u “ç’greqizuar” një herë vetë, Europa do na mbajë afër, por në një distancë sigurie. Dhe ky ç’greqizim kalon nëpër një tel të hollë akrobati, ku pak gjë i ndan reformat e vërteta nga rikthimi tek sistemi i Kasandrës, “vidh dhe lër të vjedhin, se kështu e dashka ky milet”. Ne jemi ende majë telit.

Taktika “vidh shume dhe le dhe te tjeret te vjedhin nga pak” u ngjiz dhe lindi ne kohen e qeverisjeve te para socialiste, sidomos kur kryeminieter ishte Nano. Berisha e rriti dhe e edukoi kete pjelle, ku kjo/ky e coi deri ne krime. Eshte e vertete se kjo solli edhe simptomat e skenarit grek dhe tashme semundja ka plasur dhe ajo duhet kuruar. Aty ku lipset, duhet dhe operacion radikal ne menyre qe te shkulen metastazat e malinjitetit te saj. Rama si fryme e ka drejt, por si praktike ne shume drejtime le per te deshiruar. Duhet filuar me te dhjamosurit nga vjedhjet e abuzimet, nga pregatitjet e dosjeve penale per to, dhe dora dores te shkohet drejt formalizimit te ekonomise deri ne qelize, i cili eshte biznesi i vogel dhe konsumatori, qe do te vuaje efektet e rritjes se cmomeve, per pasoje do ulet konsumi dhe kjo do te shoqeroje nje sere efektesh zinxhir per ekonomine. Per keto shtresa duhet te hartohet edhe strategjia perkatese, qe barra e reformave te mos bjere me shume dhe me pare tek ata. Nuk thote kot populli se “nuk nxirret dhjame nga pleshti”. Specialistet duhet ta dine se mund te kete edhe forma te tjera me efikase per formalizimin e ekonomise ne teresi, pa e asfiksuar ate.