Del këtu edhe njëherë në pah paaftësia totale e qeverisë së Tiranës për të zgjidhur e menaxhuar problemet reale të vendit. Energji të pamata harxhohen në luftë politike dhe intriga të përçmueshme dhe thuajse gjithë dita politike e kryeministrit dhe qeverisë shpenzohet në këtë nivel – shoqëruar me propagandë bajate non stop. Kush do t’i zgjidh problemet në këtë vend? Përse agravohen përherë punët deri në atë pikë sa merr goditje të rënda e të padrejta qytetari shqiptar?
Adrian Thano
Rreth një vit më parë një grup gazetarësh shqiptarë ishin të ftuar të CEZ-it në Pragë dhe në disa qytete të tjerë ku CEZ kishte ndërmarrjet e veta kryesore. Në bisedat me drejtues të kompanisë çeke, ishte diçka që ata e përsëritnin vazhdimisht: “Kemi patur raste plot në vende të varfëra që njerëzit nuk paguajnë, por.. Vetëm në Shqipëri na ka bërë vaki që nuk paguan shteti”. Nëse i pyesje si reagonin në raste të tilla – përgjigja merrej me mend: u ndërpresim furnizimin. Por edhe në këtë pikë kishte një “por” për Shqipërinë. Tregonin që në Shqipëri, kur bënin ndërprerje të energjisë në ndonjë zonë, merrnin fillimisht telefonata nga deputetët e zonës.
Një prej tyre (emri nuk më kujtohet, por zyrtar me post të rëndësishëm në kompaninë e tyre) më tha gjatë një darke: “Kur nisëm të mos i dëgjonim më deputetët tuaj, filluan telefononin ministrat. Kur vendosëm të mos dëgjonim as ministrat, ndodhi diçka që na habiti. Na erdhën telefonata edhe nga nivele të larta të vetë qeverisë çeke, që na sugjeronin ta trajtonim me kujdes rastin shqiptar”.
Ndërhyrje të tilla dhe tolerimet e CEZ janë në bazë të kësaj situate sot të agravuar. Ata kanë toleruar borxhet e administratës në Shqipëri, e më pas për të “barazuar shqiptarçe” situatën kanë nisur të mos paguajnë energjinë që blenin nga KESH.
“Nuk merremi vesh me qeverinë tuaj, janë të paqëndrueshëm në ato që thonë” – tregonin në Pragë.
Dhe dje CEZ e qeveri shqiptare kanë shkuar në nivel banditesk. CEZ ekzekuton një dënim kolektiv, shteti shqiptar dërgon policë të arrestojnë punonjësit e CEZ dhe të rilidhin energjinë.
Kjo histori ka viktima të pafajshme. Së pari qytetarin shqiptar pagues të rregullt faturash. Ai duhet të vuajë pasojën e një kontrate të prishur mes qeverisë dhe një biznesi privat. Dhe ai pyet pse? Kategoria e dytë janë punonjësit e CEZ që arrestohen. Nëse nuk zbatojnë urdhërin pushohen nga puna, nëse zbatojnë urdhërin arrestohen nga policia. E kuptoni në çfarë pozite janë? Ose në burg ose të papunë.
Del këtu edhe njëherë në pah paaftësia totale e qeverisë së Tiranës për të zgjidhur e menaxhuar problemet reale të vendit. Energji të pamata harxhohen në luftë politike dhe intriga të përçmueshme dhe thuajse gjithë dita politike e kryeministrit dhe qeverisë shpenzohet në këtë nivel – shoqëruar me propagandë bajate non stop.
Kush do t’i zgjidh problemet në këtë vend? Përse agravohen përherë punët deri në atë pikë sa merr goditje të rënda e të padrejta qytetari shqiptar?
Janë pyetje që nuk do marrin përgjigje sigurisht, por janë pyesje që sot i ka në kokë çdo kryefamiljar i vendit që paguan me dinjitet faturat e jetës së tij dhe paguan edhe një qeveri që duhet t’ia shmangë situata të tilla.