Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur, ka deklaruar këtë të martë në Prishtinë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton.
Këto komente, Clinton i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i nderoi ish-presidentit amerikan me “Urdhrin e Lirisë”, për merita të veçanta.
Clinton gjithashtu shtoi: “Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George Ë.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju shpallët pavarësinë”, duke nënvizuar se ai ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
“Unë gjithmonë do të jam krenar me faktin se unë isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngritet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm”, theksoi Clinton.
Duke nënvizuar se e gjithë bota duhet të jetë krenare për arritjet në Kosovë, demokracinë e saj dhe ndërtimin e shtetit, Clinton inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani të ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të vendit, për dëshmuar se është shtet demokratik.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Clinton është heroi i Kosovës dhe i shprehu mirënjohjen më të më lartë atij për vendimin historik që kishte marrë në vitin 1999, për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
“Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë, shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe njëherë. Prandaj, duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, por edhe si mik i juaj, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës “Urdhrin e Lirisë”. Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuajin, sepse dekorimi më i madh është liria e Kosovës”, tha Thaçi
Clinton u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i shprehu mirënjohjen ish-presidentit amerikan, për ndihmën në çlirimin e Kosovës.
“Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës”, tha Haradinaj.
Si është raportuar më parë edhe nga Dita, ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja amerikan, Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënon edhe ditën e lirisë së Kosovës.
Kujtojmë se Kosova shënon të mërkurën, 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si dita e lirisë apo çlirimit të Kosovës.
e.ll./dita

Madheshtor e i paharuar ! Nuk ka fjal te shprehesh mirnjohjen per kte njeri te madh e te pazevendesushem ! Qofsh bekuar perjetesisht , adhurus i ktij populli ku more mundimin te vish e te shohesh mrekullin qe ju fale !
Respekte brezash Kosove ……e shqiptaresh ….