Mançester Siti është gati të bëjë një çmenduri tjetër për të bindur kapitenin e vet Vinsent Kompani që ta mbyllë karrierën e tij në “Etihad”. Sipas medieve britanike për ta bërë realitet një gjë të tillë Mançester Siti është gati t’i ofrojë një rinovim edhe për 6 vjet kontratës me mbrojtësin belg, duke i ofruar atij rreth 80 milionë euro në këmbim të një firme. Kompani firmosi në sezonin e kaluar rinovimin e kontratës së tij me “Qytetarët”, por trajneri Pelegrini i ka kërkuar klubit që të rinovojë kontratën me mbrojtësin 28-vjeçar. Në bazë të kontratës së re ai pritet të përfitojë rreth 230 mijë euro në javë. Kompani është një nga kolonat e Mançester Sitit dhe ai shihet si pjesë e projektit të ardhshëm të kampionëve aktualë të Anglisë për të dominuar në Evropë.
Mangala – Veç rinovimit të kontratës me kapitenin Kompani apo me sulmuesin Edin Xheko, Mançester Siti po punon dhe në afrimin e lojtarëve të tjerë. Sipas medieve britanike objektivi i vetëm i mbetur në merkato i kampionëve të Anglisë është mbrojtësi i Portos, Elakim Mangala. Mançester Siti ka realizuar 5 afrime gjatë verës, por kapakun duket se do t’ia vendosë Mangala. “Qytetarët” pritet të shpenzojnë 40 milionë euro për të.
