Çmimi special për fizikën nga instituti i manjatit rus Yuri Milner i është dhënë fizikanit britanik Stephen Hawking dhe dy shkencëtarëve të tjerë që kryen kërkime mbi grimcën Higgs. Londinezja “Guardian” ia ka dedikuar aperturën në faqen e saj online fizikanit Hawking, shkencëtarit që prej vitesh i ka kaluar kufijtë e pamundësisë fizike me forcën e tij të jashtëzakonshme të mendjes. Çmimi prej tre milionë dollarësh i jepet Hawkings në veçanti për zbulimin e rrezatimit të lëshuar nga vrimat e zeza në hapësirë.
Milner, një i apasionuar pas fizikës
51 vjeç, i diplomuar në Fizikë Teorike në Moskë, manjati Milner ka mbetur i apasionuar pas fizikës, në atë masë sa ka vendosur të ndajë një pjesë të pasurisë së tij për fondacionin që i dedikohet financimit të punës së mendjeve më të ndritura që lëvrojnë këtë fushë. Juria që përzgjedh fituesit përbëhet nga një grup i pavarur fizikanësh si Ed Witten e Alain Guth.
“Asnjë nuk bën kërkime në fizikë me qëllimin për të fituar një çmim, – ka thënë Stephen Hawking, pasi është njohur me çmimin. – Kënaqësia më e madhe është lumturia që ndien kur zbulon diçka që më parë nuk dihej. Megjithatë, çmime të tilla luajnë një rol të rëndësishëm: rrisin peshën e fizikës dhe interesin rreth saj”.
Por çfarë do të bëjë me këtë çmim shkencëtari që nuk mund të lëvizë asnjë pjesë të trupit përveç syve? “Do të ndihmoj time bijë dhe djalin e saj autik. Mbase mund të blej edhe një shtëpi për të kaluar pushimet, por nuk është se kam shumë kohë për të pushuar. Kërkimet në fizikën teorike më marrin pothuajse gjithë kohën time”, shkruan ai në letrën me të cilën falënderon jurinë.
Ndërkohë, 3 milionë dollarë do t’u shkojnë një grupi shkencëtarësh, të udhëhequr nga Lyn Evans, të cilët kanë zbuluar grimcën Higgs. Ndërkohë një tjetër çmim është dhënë për tre shkencëtarë të rinj. Niklas Beisert, Davide Gaiotto dhe Zohar Komargodski, të tre nën 35 vjeç, do të shpërblehen me nga 100 mijë dollarë për kërkimet e tyre në fizikë.