Sefer PASHA
Një reklamë nga dy vëllezërit këngëtarë korçarë në një emision televiziv më shtyti që, së bashku me një mikun tim shkrimtar të udhëtojmë për një drekë drejt Durrësit, aty ku është “Kantina Duka”. E gjetëm me pak vështirësi. Ishte në të majtë të Ishmit me vështrim nga deti. Na mahniti peizazhi, rruga e asfaltuar, pylli i padëmtuar dhe në mënyrë të veçantë një liqen i fshehur. Dikush na tha se liqeni quhej Topana. Liqeni që dikur ka qenë ujëmbledhës të linte pa mend. Konfiguracini gjeografik në formën e një trekëndëshi i rrethuar nga pyjet i jepte një hije të rëndë dhe e bënte misterioz. Prej aty ku pronari kishte ngritur lokalin luksoz vizitori nuk e shikonte dot se ku ishte fillimi dhe fundi i liqenit. Të krijohej përshtypja sikur liqeni kishte zbritur nga qielli. Lart i kishte burimet. Një “vapor” ishte brenda në liqen për shëtitje për vizitorët. Tek e vështroja atë natyrë të magjishme mu kujtua poeti spanjoll Rafael Cansinos – Asens, i cili ka thënë: “O Zot! Na shpëto nga tërë kjo bukuri!”. Po ashtu siç rrodhën ngjarjet ne nuk hëngrëm dot as drekë, le pastaj të bënin vozitje për të parë misteret e liqenit të maskuar. Unë ia vura emrin liqenit “Deti i Zi”. Ashtu mu duk. Kisha parë ca pamje në një dokumentar për Detin e Zi.
Zumë vend në një tavolinë të pastër me pamje nga “Deti i Zi”. Kamerieri, një djalë i ri me mjekër, si të qe fajkua mbërriti dhe, pa na përshëndetur, tha: “Sa shishe vere do të merrni me vete?”. Nuk jemi tregtarë verërash u përgjigj miku im. Kemi ardhur nga Tirana për të ngrënë një drekë të mirë. Verën e paskeni të shtrenjtë i thashë. Edhe ushqimi qenka i kripur. “Po pse jeni munduar gjer këtu?” tha kamerieri i nervozuar. Dashkeni restorante të lirë! Restorant të lirë kërkonte edhe Heminguej tha miku im shkrimtar. Ç’është ky “Emini” pyeti kamerieri të cilin nuk po e mbante vendi. “Emini” është pensionist në Durrës, i thashë unë. Ka qenë dikur drejtor i ndërtimit të liqenit, i cili në socializëm quhej rezervuar. Ka vuajtur shumë “Emini” dhe punëtorët e bonifikimit që e ngritën këtë mrekulli, të cilën e ka “rrëmbyer” shefi yt. “Emini’’[Heminguej] që e ndërtoi liqenin nuk e pi dot një gotë verë, e cila kushtoka sa një kec Ishmi.
Porositëm vetëm nga një gotë verë. Ktheva gllënjkën e parë dhe recitova një varg të Khajamit: “Mbushe kafkën me verë para se të mbushet me dhe”. Kamerieri ishte gati të na përzinte me shqelma. Nuk ke se çfarë të bësh më tha miku që më shoqëronte. Me sa duket pronari i verës e ka përshtatur lokalin luksoz vetëm për një elitë. Bëmë gabim që erdhëm. Unë e kundërshtova. Çmimi i verës është skandaloz. Ne jemi në lëmin ku është kantina e verës dhe ajo është në prodhim. Ke dëgjuar ti kur flitet për lëmin e grurit, të mjaltit, të rakisë, të verës, të djathit e të tjera. Në lëmë ka thënë i moçmi gjërat janë të lira. Në lëmë njerëzit pinin raki dhe verë, provonin frutat, bulmetrat, rehaninë, pekmezin e gatimet e tjera. Në lëmë nuk paguhej. Provoje ç’të donte zemra. Këtë e tregojnë rrëfenjat dhe këngët. Për lëmin ka qindra gojëdhëna. Në një këngë i dashuri i thotë asaj që dashuron: “Ktheje penxheren nga lëma/ Dhe në ardhsha s’ bëhet gjëma”. Kështu e thotë dhe proverbi : “Puno sot e paratë në lëmë”. Një shishe verë këtu në “Detin e Zi” është sa gjashtë shishe vere në kantinat e tjera të bregut të Gjirit të Lalëzit. Në Radë miku im Baki Gjergji, i cili ka një kantinë vere modeste e ka verën më cilësore se kjo e “Detit të Zi”. Disa shishe të verës që m’i dha Baki Gjergji i çova dhuratë në Rahovec. Vera u pëlqye. Dhe ku? Në Rahovec ku vera është nga më të dëgjuarat në Ballkan. “Shtëpinë e Verës” në Rahovec e ka ngritur Rankoviçi. Shkrimtari që më dëgjon më kundërshton. Je i kohës së Baba Qemos mërmërin ai. Kapitalisti i “Detit të Zi” të shtrydh si limoni. Ku do t’ia dijë ai se “Kantina Duka” edhe sot është në lëmë. 100 metra mbi ne nxirret verë. Pa shko po deshe që të provosh një gotë verë. As ujë.
Hesht. Nja dy familje që kishin një festë kur panë çmimet u larguan. Erdhën ca zonja gjysmë lakuriq. Njërën e njoha. E kisha parë në emisionin “Për’puthen”. Zonjat e bllokuan njërin aneks të lokalit. Këto kanë para, thashë unë. Për këto është ngritur lokali i “Detit të Zi”. Dhe shkrimtarit nisa t’i tregoj historinë e damave romake. Ato dikur uleshin në shilte dhe pinin vaj pishe me qëllim që urina t’u delte me erë të këndshme. Zonjat që sapo erdhën filluan të kërcejnë. Nuk vonuan dhe mbërritën dhe ca “leshko”. Këtë kontingjent kërkon kapitalisti i “Detit të Zi”. Po mirë, e ngacmova unë shkrimtarin që nxinte si retë mbi liqen. Tek ai kepi poshtë nesh me lisa të lartë na treguan se çdo natë del dhe kuis një ulkonjë. Një natë kishin dalë turistët dhe i kishin hedhur copëra mishi të pjekur. Ku do t’ia dijë pronari oligark se dy qyqyramë si ne nuk kanë para të blejnë një shishe verë. Asgjë nuk zgjidhim dot. Kamerieri bëri fjalë me familjarët që u larguan të zhgënjyer. Fshatar, u tha kamerieri. A e dini ju se bëhet luftë në Ukrainë? Prandaj janë rritur çmimet në “Kantinën Duka”. Nga debati me familjarët shkrimtari mbajti shënim dhe këtë shprehje të kamerierit me mjekër deri në gju: “Ikni brekëgrisur! Ku pjerdh ujku se ngordhi gomari i xha Sulos!”
Shoqëruesi nisi të më kundërshtojë. Nuk na duhet ne se çfarë çmimesh i ka vënë verës “kunati i shokut Xhemal”, që tani po kalbet në burg. Është i zoti. Unë s’kam lekë të botoj një libër. Edhe Arben Duka nuk kishte lekë që t’i botonte librat. Mijëra faqe janë të palosura në arkivin e tij.
Gjithsesi po luftoja që t’i mbushja mendjen se ky bosi e ka ngritur kantinën dhe lokalin në buzë të një liqeni magjik. Ky liqen ore mik nuk ka të paguar. Koston pa frikë miliarda. Më kanë treguar se ujëmbledhësin e ka inauguruar Manush Myftiu. Ai shpërndau për punëtorët stimuj moralë. Një ishmakas që kishte nëntë fëmijë kur mori pakon pa se i kishte rënë si dhuratë një kukull. Kurse tani gjithë këtë pasuri kombëtare e merr një lab nga Tepelena, që ka zbritur në Durrës. Kush ia la atij gjithë këtë pasuri? Nga e trashëgoi? Prandaj t’i ul çmimet. Të vijnë për të pirë një gotë verë dhe ish punëtorët e bonifikimit, që e ngritën “Detin e Zi” me djersë dhe me gjak.
Debati nuk kishte të sosur. Unë i tregova fabulën e një poezie të Brehtit. Kishte vdekur Lenini. Ushtari sovjetik ishte roje në fund të arkivolit. Ishte fare i vetëm. Nuk i besohej se kishte vdekur Lenini. Thirri disa herë: Lenin! Lenin! Lenin….in! Nuk kishte përgjigje. Më në fund ju afrua arkivolit dhe i thirri fort: “Lenin! Po vijnë shfrytëzuesit!”. Sërish nuk pati përgjigje. Oh, tha roja i arkivolit!. Qenka e vërtetë. Paska vdekur Lenini. Brehti është poet komunist, tha shkrimtari që sa e kishte prekur gotën e verës të “Detit të Zi”. Komunistët nuk janë aq të këqij sa i bëjnë i thashë. E shikon se çfarë po bën hitleriani Putin? Askush nuk e kishte menduar.
Po bëheshim gati për tu larguar nga “Deti i Zi”. Unë nuk e kisha pirë gotën e verës. Sa e kisha provuar. E mora gotën në dorë dhe dola në buzë të liqenit ku notonin një tufë me peshq. E derdha gotën. Le të dehen peshqit thashë me vete. Një punëtor i “Detit të Zi” më tha se në liqen kishin hedhur rasat të krapit.
Kur po ngjiteshim të brengosur u dëgjua një qyqe që nisi të këndojë në pyllin me lisa mbi të cilët ngrihej si karakoll “Kantina Duka”. Kënga e qyqes është ogur i bardhë thashë unë. Kisha kohë që nuk e kisha dëgjuar qyqen që të këndonte. Dikur në fshatin tim në Mallakastër kur në prill fillonte këngën qyqja i gjithë fshati delte nga shtëpitë. Mbanin vesh këngën e qyqes nëpër avlli dhe në udhë. I hiqnin këpucët[opingat] dhe këmbët e zbathura i vinin mbi dy pllaka guri të ftohtë, ose mbi dy gurë. Të hipur mbi gur rrinin gatitur. E dëgjonin këngën e qyqes me emocion. Kështu kishte qenë denbabaden. Ky rit pagan është harruar.
Para se të futeshim në makinë shkrimtari më tha që ta kishim pritur pronarin e “Detit të Zi”. Do të ishte mirë që t’i kishim folur për çmimet që të kallnin datën. Jo, i thashë unë. Kushedi se si e ka hallin. Kam lexuar një poet që thotë se: “Borxhe, gra e kundërshtarë/ S’ka kalorës që nuk ka”.