Nëse jeni tip që ju pëlqejnë udhëtimet dhe pushimet më poshtë ne të gazetës Dita po ju sjellim disa sugjerime për të shpëtuar në xhunglën e çmimeve të hoteleve dhe fluturimeve.
Ja cilat janë mekanizmat që përcaktojnë luhatjet e çmimeve, të cilat shpesh herë janë me diferencë të madhe nga një motor kërkimi, në një tjetër.
Për sa i përket fluturimeve dhe hoteleve çmimi nuk është i fiksuar, por luhatet në bazë të një logjike.
Kompanitë kanë si qëllim shitjen e numrit maksimal të vendeve, apo të dhomave brenda një date të caktuar, për të minimizuar në maksimum humbjen që do shkaktonte mos shitja e biletave dhe dhomave.
Është kjo arsyeja se përse paketat e minutave të fundit kanë çmime të favorshme, ndërsa gjatë kulmit të sezonit këto fluturime dhe këto dhoma mund të blihen me 60% më shumë nga çmimi i tyre fillestar.
Më poshtë kemi radhitur një listë mekanizmash dhe lëvizjesh që duhen bërë për të shpenzuar sa më pak të jetë e mundur me hotele dhe fluturime.
Kur duhet ti blemë biletat e avionit? Momenti më i mirë për t’i prenotuar varet nga popullariteti i destinacionit. Nëse destinacioni është shumë i kërkuar dhe kompania nuk rrezikon të ketë bileta të pashitura, është mirë të prenotoni sa më parë, për të siguruar tarifa sa më të ulëta, të cilat më pas do jenë zhdukur nga sistemi.
Ndërsa nëse destinacioni nuk është shumë i kërkuar, mund të guxoni pak më tepër, nëse deri në një datë të caktuar nga kompania, nuk janë shitur vendet e parashikuara, tarifat e biletave do të ulen.
Nëse jeni kujtuar shumë vonë, një moment i mirë është prenotimi i biletave 10 ditë para fluturimit, sipas Claudio Piga, Profesor ekonomie, çmimet e kompanive ajrore ndjekin një kurbë në formë U-je: një javë para fluturimit është shumë vonë.
Fluturimet për destinacionet më të kërkuara nuk do t’i ulin çmimet edhe sikur të kenë vende të lira, ndërsa fluturimet për në vendet më pak të kërkuara edhe mund të ofrojnë çmime më të ulëta në ditët e fundit para fluturimit.
Në çfarë dite të javës? Debati është shumë i ndezur përsa i përket kësaj të dhëne. Logjika të thotë të shmangësh fundjavat (në fakt është momenti kur prenotohet pjesa më e madhe e fluturimeve). Megjithatë në bazë të raportit vjetor të Expedia 206, tarifat më të mira për fluturimet dhe hotelet gjenden të dielave dhe të martave.
Më mirë në bllok, apo një nga një? Nëse duhet të blini bileta avioni për shumë persona, mirë është të ndaheni në grupe të vogla, ose të vendosni që çdo njëri të mendojë për biletën e tij. Profesori Piga simuloi blerjen e 50 biletave me një kompani low- cost dhe doli në përfundimin se të blesh bileta avioni në bllok, mund të shpenzosh më tepër se tek e tek.
Nëse do ketë mbetur vetëm një biletë me çmim low- cost dhe juve ju duhen patjetër dy, për të dyja biletat do paguani çmimin më të lartë, ndërkohë që bileta me çmimin low- cost do mbetet e pashitur.
Fshini cookies. Gjatë krahasimeve të çmimeve në motorrët e kërkimit të fluturimeve si Kayak, apo Skyskanner, preferencat tona mblidhen në software të ndryshme dhe ruhen në mënyrë automatike në kompjuter. Herës tjetër që do kërkoni për një fluturim, tarifat me shumë gjasa do të dalin më të larta se ato të parat.
Kujtohuni të fshini “cookies” para se të bëni një kërkim të ri, ose zgjidhni të kërkoni në një dritare anonime. Nëse nuk fshini “cookies” preferencat tuaja do të memorizohen dhe çmimet kanë tendencë të rriten.
Ndaloni në gjysëm të rrugës. Për ata që udhëtojnë vetëm me bagazh dore dhe mund të blejnë një biletë vetëm vajtje, një truk tjetër është të zgjidhni dhe fluturimet që nuk mbërrijnë në destinacionin e dëshiruar, por bëjnë një transit në të: shpesh herë të kushton më lirë të ndalosh atje. Një fluturim për në San Françisko mund të kushtojë më shumë se një fluturim për në Siatëll, i cili bën transit në San Françisko.
Rregulli i hoteleve. Çmimet e hoteleve janë më pak të luhatshme se ato të fluturimeve. Në përgjithësi duke prenotuar kohë më parë do të gjeni oferta më të mira. Çmimet dhe mund të ndryshojnë në bazë të tipit të hotelit, nëse shkoni në një vend turistik në fundjavë, zor se mund të gjeni një ofertë të mirë; duhet të prenotoni në mesjavë.
E kundërta ndodh me hotelet që përgjithësisht janë për udhëtimet e punës, ato kanë tendencë që gjatë javës të kenë çmime më të larta.
Për herës tjetër... faqet e Facebook dhe Twitter shpesh ofrojnë tarifa të ulëta, kjo si shkak i gabimeve në programim: mund të përfitoni, ama duke marrë parasysh që fluturimi mund të anulohet (por në këto raste do të rimbursoheni). Website si cheapflightslab.com ose flynous.com i kapin gjithnjë këto anomali dhe japin oferta pushimesh të shkëlqyera.
b.m. / dita
