Çmimet e banesave në Tiranë bien për të tretin 3-mujor radhazi

Edlira Shehu

Çmimet e banesave në Tiranë ranë sërish për tremujorin e tretë të vitit. Sipas indeksit të çmimit të banesave, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë, çmimet ranë për të tretin tremujor radhazi.

Sidoqoftë, në tremujorin e tretë rënia ishte më e përmbajtur, me 2.8%, krahasuar me rënien 5.9% të tremujorit të dytë dhe rënien me 11.5% të tremujorit të parë.

Rënia e çmimeve këtë vit është disi e papritur, në kushtet kur tregu i pronave dukej në një cikël pozitiv. Përmirësimi i ekonomisë reale, tregut të punës dhe rritja e kredisë bankare, në teori, do të mbështesnin një kërkesë më të lartë për blerje banesash.

Rritja ekonomike këtë vit ka kaluar pragun e 4%, ndërsa papunësia ka rënë në 13.9%. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë është vënë re përmirësim i mëtejshëm i portofolit të kredisë hipotekare, me 4.6% rritje vjetore, përkrahur vazhdimisht nga ofertat tërheqëse për këtë produkt.

Duke iu referuar matjeve të Bankës së Shqipërisë, mesatarisht, çmimet këtë vit janë në rënie. Në këto kushte, tregu ngelet sidoqoftë në një fazë kur blerja është ende e leverdisshme. Çmimet paraqiten në rënie, ndërsa interesat e financimit bankar janë në nivelet më të ulëta historike. Rrjedhimisht, blerja e banesës mund të jetë një investim i mirë për të ardhmen.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *