Një uebsajt kozmetike me emrin ‘Total Beauty’ është vendosur në qendër të talljeve dhe kritikave pasi përmes një mesazhi të postuar në Twitter gjatë natës së çmimeve Oscar ngatërron aktoren Whoopi Goldberg, 60 vjeçe, me moderatoren e suksesshme Oprah Winfrey, 62 vjeçe.
‘Total Beauty’, një kompani me bazë në Los Angeles postoi një foto të Goldberg në tapetin e kuq të edicionit të 88 të Academy Awards, me tatuazhin që duket qartë në shpatullën e saj, duke e shoqëruar me përshkrimin: “Nuk e dinim se Oprah kishte bërë një tatuazh dhe kjo na pëlqen shumë”.

Nisur nga atmosfera që shoqëroi ‘Oskarin’ e sivjetshëm, ku nga aktorët me ngjyrë u nënvizuan prirjet raciste, reagimet ndaj kompanisë që kishte ngatërruar dy femra mjaft të fuqishme afro-ameriane ishin të shumta dhe të pamëshirshme.
“Keni parë ndonjëherë më parë një njëri me ngjyrë? Oprah dhe Whoopi nuk kanë asgjë të ngjashme”, shkruante dikush në faqen e kompanisë, e cila ndërkaq e fshiu menjëherë postimin duke kërkuar edhe ndjesë për ngatërresën.
