Çmimi i energjisë elektrike do të rishikohet pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Enti Rregullator i Energjisë vendosi që rishikimi i radhës për çmimin e energjisë me të cilin KESH i shet energjinë CEZ-it dhe çmimin me të cilin OST transmeton për llogari të shpërndarjes, të bëhet pas qershorit të vitit 2013, bën të ditur e përditshmja “Panorama”.
Në mbledhjen e djeshme, ERE është shprehur se aktualisht nuk mund të përcaktohet çmim i ri për operatorët, pasi të dhënat e rezervuara nga CEZ Shpërndarje për bilancin e vitit të kaluar nuk janë ende të qarta për ERE-n, ndërkohë që nuk është vënë në dispozicion edhe materiali i nevojshëm që është kërkuar nga ana e ERE-s për të bërë një vlerësim të saktë të situatës.
Gjithashtu, ERE shprehet se nuk mund të diskutohet për çmime të reja të energjisë në momentin që ndaj CEZ Shpërndarjes ka nisur një procedurë për heqje licence për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e kompanisë.