Bukuria e ka gjithmonë një çmim. Por nëse nuk ke një gjoks të bukur dhe i drejtohesh kirurgut për të ta ribërë, operacioni dhe paratë që paguan nuk janë çmimi i vetëm. Një studim i kryer kohët e fundit ka dalë në përfundimin se femrat që kanë ribërë gjoksin përmes kirurgjisë plastike kanë 38 për qind më shumë probabilitet për të vdekur nga kanceri i gjirit. Në fakt, studimi në fjalë është përfundim i rishikimit të shumë studimeve të kësaj natyre që janë botuar gjatë 20 viteve të fundit në revistën “British medical journal”. Studiuesit thonë se nuk ka prova që protezat shkaktojnë kancerin, por është e sigurt që prezenca e tyre mund të fshehë tumoret edhe në kontrollet e rregullta të mamografisë.